Aktualitet

Ulsi Manja: Të hënën votohen në Kuvend 2 anëtarët e rinj, presidenti nuk e bllokon dot “Kushtetuesen”

Kryetari i Komisionit të Ligjeve,  Ulsi Manja shprehet se letra e presidentit nuk pezullon asnjë vendim juridik, dhe se tashmë i pari në listë shpallet anëtarë i Gjykatës Kushtetuese, në këtë rast Arta Vorpsi.
Featured image of article: Ulsi Manja: Të hënën votohen në Kuvend 2 anëtarët e rinj, presidenti nuk e bllokon dot “Kushtetuesen” Ulsi Manja

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë ditën e hënë më datë 11, do të votojë dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se presidenti i vendit Ilir Meta refuzoi për të zgjedhur anëtarin e radhës së Gjykatës Kushtetuese, mes një liste të dytë me tre emra të renditur nga KED.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve,  Ulsi Manja shprehet se letra e presidentit nuk pezullon asnjë vendim juridik, dhe se tashmë i pari në listë shpallet anëtarë i Gjykatës Kushtetuese, në këtë rast Arta Vorpsi.

Presidenti ka dërguar një letër ku kërkon pezullimin e dekretimit të vakancës së dytë që i takon presidentit, dhe unë nuk di që letra pezullon një veprim juridik. Kushtetuta flet shumë qartë. Secili nga institucionet kushtetuese të përfshira në procesin e kompozimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe këtu e kam fjalën për presidentin e republikës, Kuvendin dhe Gjykatën e Lartë nëse nuk e ushtrojnë këtë kompetencë brenda afatit 30 ditor kandidati i listuar i pari konsiderohet i emëruar dhe ky afat është afat prekluziv. Kuvendi i Shqipërisë ditën e hënë do të ushtrojë këtë kompetencë në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, tha Manja.

Sipas Manjës, presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë këndvështrime të ndryshme për mënyrën si gjykojnë ligjin dhe Kushtetutën.

“Kemi këndvështrime të ndryshme si gjykojmë Kushtetutën dhe Ligjin. Nga sot presidentit i ka skaduar afati 30 ditor për të dekretuar vakancën e dytë të shpallur prej tij për Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh Manja.

Gjykata Kushtetuese tashmë ka dy anëtarë. Pak ditë më parë Ilir Meta emëroi Besnik Muçin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Ky i fundit ende nuk ka përfunduar procesin e rivlerëzimit, pasi çështja e tij është në KPA. Kuvendi ka nisur punën për emërimin e anëtarit të tretë, pasi Komisioni i Ligjeve miratoi listën me 3 kandidatë dhe do të kalohet në seancë për votim.  Deri më tani janë dy anëtarë të kësaj Gjykate, Vitore Tushi dhe Besnik Muçi, por duhet të plotësohen të 9 anëtarët.

a.m/dosja.al

Shto Koment