Rajoni

Ujmani për pak sa nuk e prishi Qeverinë e Kosovës

Tensionet dhe përplasjet brenda partnerëve të koalicionit në Prishtinë e Washington i kanë paraprirë marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, të premten e kaluar. Mospajtimet kishin arritur deri në pikën që rrezikonin koalicionin qeverisës. Kjo, pasi insistimi i kreut të AAK-së, Haradinaj, se pika që parasheh ndarjen e resurseve të Liqenit të Ujmanit mes Kosovës dhe Serbisë është i papranueshëm, ishte përballur me heshtje nga partneri qeverisës, LDK-ja, dhe presion nga zyrtarët amerikanë në Washington.
Featured image of article: Ujmani për pak sa nuk e prishi Qeverinë e Kosovës Foto ilustruese

KOSOVË– Këtë e shpjegon një burim i afërt me zhvillimet, i cili tregon se krerët e AAK-së ende janë të irrituar me incidentin rreth Ujmanit, posaçërisht pasi tani kryeministri Hoti, në paraqitjet publike, pretendon se pika rreth Ujmanit ka qenë e njëjtë që prej fillimit.

Në një intervistë dhënë “RTV Dukagjinit”, të shtunën, kryeministri Hoti tha se nuk ka pasur ndryshim në pikën ku flitet për Ujmanin. “Nuk ka pasur asnjë ndryshim për marrëveshjen. i vetmi ndryshim ka qenë marrëveshja për Izraelin”, ka thënë Hoti.

Por, sipas një drafti të hershëm të marrëveshjes që i ishte dhënë delegacionit të Kosovës të enjten, një kopje të së cilës e posedon edhe “Koha”, pika për Liqenin e Ujmanit flet për ndarje të këtij resursi natyral mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dy palët do ta ndajnë Liqenin e Gazivodës si burim i qëndrueshëm për furnizim me ujë dhe energji”, thuhet në draftin, për të cilin një burim nga Qeveria e Kosovës thotë se kryeministri Hoti ishte i gatshëm ta nënshkruante.

“Drafti që kryeministri ishte i gatshëm ta nënshkruante parashihte që resurset e Ujmanit të ndahen mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë burimi. “Ajo ndryshoi vetëm pas presionit që e krijoi Haradinaj me insistimin e tij se kjo pikë është e papranueshme”.

Sipas burimeve të “Kohës”, para se të dalë publikisht për ta kundërshtuar pikën rreth Ujmanit, Haradinaj ka tentuar që të diskutojë çështjen me partnerët e koalicionit.

Ai thuhet se ka tentuar të komunikojë edhe me kreun e LDK-së, Isa Mustafën, dhe mundësia që pika të mbetet e pandryshuar e ka shtyrë atë që të premten paradite të dalë publikisht me paralajmërimin se për AAK-në marrëveshja që përfshin pikën e pandryshuar rreth Ujmanit është e papranueshme.

Në lidhje me komunikimet me Haradinajn, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se ka pasur komunikim me kryetarin e AAK-së. i pyetur nga “Koha”, Mustafa tha se me z. Haradinaj është takuar ditën kur është nënshkruar marrëveshja.

“Kemi biseduar edhe për Ujmanin. Kemi komunikuar edhe me telefon, atë ditë por dhe më 3 shtator, pasdite. Kam komunikuar edhe me Kryeministrin Hoti dhe delegacionin tonë në Washington”, tha Mustafa për Kohën. Sipas tij, tani me rëndësi është se nuk ka dështuar të arrihet marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë. “Është një marrëveshje e rëndësishme me mbështetje të partnerit tonë strategjik, sepse të gjithë ne e kemi kërkuar involvimin e fuqishëm të SHBA-së”, ka thënë Mustafa.

Ai përkujtoi edhe se marrëveshja për Liqenin e Ujmanit ka të bëjë me studimin e fizibilitetit nga Departamenti për Energji dhe institucionet e tjera qeveritare të SHBA-së.” Studimi i fizibilitetit pritet të hedhë në pah mundësitë dhe potencialet zhvillimore”.

Sidoqoftë, në kohën kur ishte paraparë të nënshkruhet marrëveshja, pati një reagim publik të Haradinajt. Sipas agjendës së publikuar nga Shtëpia e Bardhë, marrëveshja ishte paraparë të nënshkruhej të premten në orën 17:05 sipas kohës sonë. 44 minuta më herët, në orën 16:21, Haradinaj shkroi në Facebook se “situatën në dialog e vështirësoi njëra nga pikat e draft-marrëveshjes që flet për Ujmanin”.

“Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia”, shkroi Haradinaj, duke shtuar se “AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”.

Burimet tregojnë se paralajmërimi i Haradinajt ka nxitur një telefonatë nga Washingtoni, prej një zyrtari të administratës së Trumpit, i cili kreut të AAK-së i ka kërkuar që të pranojë dokumentin të tillë si është propozuar. Sipas burimeve të afërta me Haradinajn, telefonata është përcjellë edhe me “tone kërcënuese” nga zyrtari amerikan, pasi kreu i AAK-së ka refuzuar të ndërrojë qëndrim.

Situata shkaktoi edhe shtyrjen e nënshkrimit të marrëveshjes.

Në orën 17:15, Haradinaj përsëriti se nuk pranon pikën për Ujmanin ashtu siç është propozuar.

“Unë nuk do të pranoj që Kosova të nënshkruajë marrëveshje trilaterale ku Serbia është palë karshi Kosovës. Kosova duhet të marrë obligime dhe të drejta vetëm me ShBA, ku vetëm ShBA-të janë garantuese të sovranitetit dhe zhvillimit tonë. Ujmani është yni dhe pranojmë bashkëpunim vetëm me ShBA-të për zhvillimin e energjisë dhe ujërave”, ka shkruar Haradinaj.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sipas burimeve nga AAK, derisa në Kosovë Haradinaj insistonte në qëndrimin e tij, në ministrat e tij, në Prishtinë e Washington, i kishin të gatshme dorëheqjet nga Qeveria dhe partia ishte në prag të daljes nga koalicioni.

“AAK po ashtu kishte shprehur rezerva edhe për Mini-Schengenin dhe moratoriumin në lobim, por këto ka thënë se ishte e gatshme t’i pranojë për të respektuar rolin amerikan në proces. Ndërsa pikën për Ujmanin tha se nuk mund ta pranonte”, ka thënë burimi.

E gjithë situata ka ndikuar që pika në fjalë të riformulohet, për të marrë formën që është në dokumentin e nënshkruar dhe e cila flet për një “studim fizibiliteti” që do të kryhet bashkërisht me Departamentin amerikan të Energjisë, për të parë mundësitë e ndarjes së Liqenit të Ujmanit si një resurs të qëndrueshëm të ujit dhe energjisë.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në versionin final të marrëveshjes për pikën rreth Ujmanit.

Haradinaj të dielën ka shkruar në “Facebook” duke thënë se Kosova e ka hedhur “një hap të madh përpara, me marrëveshjen në Washington”. Sipas tij, me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe një herë dëshmuan lidership botëror dhe konfirmuan interesin strategjik për paqe, prosperitet ekonomik e stabilitet në Kosovë dhe rajon.

Teksa Kosova dhe Serbia e vazhdojnë në Bruksel dialogun në nivel ekspertësh, Haradinaj ka thënë se Bashkimi Evropian duhet ta lehtësojë procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, pika që flet për studim fizibiliteti të Ujmanit, nuk përbën cenim të sovranitetit. “Kështu siç është nuk mund ta cenojë, por në të ardhmen mund të ndryshojë, ta zëmë fizibilitet të thotë se çështja e menaxhimit aktual duhet të ndryshojë. Ajo çka sot shihet si një studim i fizibilitetit ku Kosova dhe Serbia zotohen të bashkëpunojnë me autoritetet amerikane, asnjë të keqe nuk ka. Kur të nisë zbatimi, atëherë kjo çështje duhet të shkojë përmes Kuvendit, me akte juridike implementuese”, ka theksuar Hasani.

Në lidhje me përplasjet brenda delegacionit Kosovar në Ëashington kishte folur edhe presidenti i Sebrisë, Vuçiq, në konferencë për media, teksa tregonte prapaskenat e marrëveshjes.

“(Ministri) Selimi ishte shumë i zemëruar në lidhje me Ujmanin dhe mini Shengenin. Me siguri një gjë të tillë ia ka bartur edhe Haradinajt, e me gjasë i ka treguar edhe për vendosmërinë time për ta hequr pikën 10 nga marrëveshja. Pra kemi qenë 20 veta kur ka ndodhur kjo, kemi parë edhe si Grenelli mbrapa ka ndryshuar deklarimin e tij”, ka thënë Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, shqiptarët “janë çmendur” kur kanë kuptuar se ai ka arritur ta heqë pikën 10, e cila fliste për njohjen e ndërsjellë.

“Pra, jemi dakorduar që ata të flasin të parët, qëndrimi i tyre ka qenë kundër Ujmanit dhe Mini Shengenit, pastaj unë jam deklaruar se bisedimet ndërpriten nëse nuk hiqet pika 10. Është kërkuar pauzë. Pastaj pika është hequr. Më pas, shqiptarët kanë thënë se i tërheqin të gjitha vërejtjet për Ujmanin dhe Mini Shengenin, vetëm të kthehet pika 10. Por, kjo ka qenë e padiskutueshme”, ka theksuar Vuçiqi.

Serbia prej vitesh tenton ta vendosë në tryezën e negociatave Liqenin e Ujmanit dhe resurset e tjera në Kosovë. Tre vjetët e fundit, damari kryesor i ujit për Kosovën është bërë pjesë e diskursit të politikanëve shqiptarë e serbë, që flasin për ndryshim kufijsh e shkëmbim territoresh. Përpos për prodhimin e 30 megavateve të energjisë elektrike, Ujmani furnizon me ujë disa komuna dhe është kyç në funksionimin e industrisë së rëndë. Nga Mitrovica deri në Obiliq është i ndërtuar hidrosistemi që me ujin e Ujmanit ushqen tokat bujqësore në veriperëndim të Kosovës.

Për Ujmanin nuk flitej shumë derisa Serbia nuk shfaqi hapur pretendimet për hise në këtë resurs. Si argument e ka përdorur faktin se liqeni gjeografikisht kalon nëpër komunën veriore të Zveçanit, të cilin Prishtina zyrtare nuk ka arritur ta fusë plotësisht nën kontroll.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht janë shprehur se Ujmani është pasuri e Kosovës dhe për të nuk do të pranojnë të diskutohet në negociata.

Aktualisht liqeni ruhet nga KFOR-i. Shumica e punëtorëve në Hidrocentralin e Ujmanit janë serbë, të cilët i raportojnë ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”. Ligji për ndërmarrjet publike e përcakton se Qeveria e Kosovës është pronare e aseteve të të gjitha ndërmarrjeve publike, ku hyn edhe “Ibër-Lepenci”.

Marrë nga KOHA.net

Shto Koment