Aktualitet

Arrestimi i Henri Çilit, profesorati i UET: S’ka lidhje me veprimatarinë e universitetit

Në reagim Senati Akademik shprehet se UET gëzon reputacion të lartë dhe vlerësim maksimal sa u përket standardeve të cilësisë, të njohura nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, prej të cilave është licensuar dhe akredituar dhe arrestimi nuk do ndikojë në punën e tyre. 
Featured image of article: Arrestimi i Henri Çilit, profesorati i UET: S’ka lidhje me veprimatarinë e universitetit

TIRANË– Profesorët e Universitetit Europian të Tiranës kanë reaguar pas arrestimit të Henri Çilit, i cili e ka në pronësi këtë universitet. Në reagim Senati Akademik shprehet se UET gëzon reputacion të lartë dhe vlerësim maksimal sa u përket standardeve të cilësisë, të njohura nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, prej të cilave është licensuar dhe akredituar dhe arrestimi nuk do ndikojë në punën e tyre. Më tej shtohet se arrestimi i Henri Çilit në organet e drejtësisë lidhet me dhënien sqarime mbi Legal Studio sh.p.k, i cili është një entitet krejtësisht i pavarur nga Universiteti Europian i Tiranës.

REAGIMI I PLOTË

Në interes të informimit të drejtë publik, Senati Akademik i Universitetit Europian të Tiranës sqaron se ndalimi i z. Henri Çili nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e UET dhe European Education Initiative shpk, që ka në pronësi këtë universitet. Si një institucion me përvojë 15 vjeçare në arsimin e lartë në Shqipëri, UET gëzon reputacion të lartë dhe vlerësim maksimal sa u përket standarteve të cilësisë, të njohura nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare, prej të cilave është licensuar dhe akredituar, ligjërisht. Performanca ekselente i ka dhënë këtij Universiteti statusin e një aktori publik me rëndësi kombëtare dhe më gjerë, ndaj ne si anëtarë të Senatit Akademik reagojmë me indinjatë ndaj pasaktësive, spekulimeve ose dashakeqësive në raportimin e ngjarjes së sotme, duke sqaruar se thirrja e z. Cili në organet e drejtësisë lidhet me dhënien sqarime mbi Legal Studio shpk, i cili është një entitet krejtësisht i pavarur nga Universiteti Europian i Tiranës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

UET është universiteti më i madh privat në vend, me numrin më të lartë të studentëve të regjistruar në ciklin e parë, Bachelor, për vitin akademik 2019-2020 dhe renditet i gjashti për numrin e studentëve, ndër të gjitha universitetet publike dhe private, në rang kombëtar. UET dhe shoqëria që e ka në pronësi, respektojnë të gjitha standardet e mirëadministrimit, sipas legjislacionit në fuqi në të gjitha aspektet dhe kanë marrëdhënie shumë korrekte me të tretët. Ky institucion u është nënshtruar standardeve më të larta ndërkombëtare në auditim financiar. Senati Akademik i UET garanton opinionin publik se i gjithë stafi akademik i Universitetit, mbi 100 pedagogë të brendshëm, profesorë dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave mbeten të përkushtuar për të vijuar misionin e këtij institucioni të arsimit të lartë, në raport me studentët dhe shoqërinë.

Dosja.al ka zbuluar ekskluzivisht, se është arrestuar gjatë natës, pronari i UET, Henri Çili, shoferi i tij, avokati Ilir Korbi, biznesmeni Sait Fishta dhe 23 persona të tjerë. Të arrestuarit akuzohen se kanë ndikuar tek gjyqtarët për të liruar bandën e Lazaratit. Ndaj Çilit rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment