Aktualitet

Ekzekutimi i bosit të drogës Behar Sofia, autori ishte me kapele, syze dhe maskë kirurgjikale, pas vrasjes u largua me biçikletë drejt kodrave të Liqenit, familja mohon konfliktet, shpresat janë tek telefoni i viktimës 

  • FOTOT-IDENTITETET/ Kush janë dy vëllezërit Sofia, njëri punon si IT në burg, tjetri “shijonte” paratë
  • Një dinamikë e re paraqitet një ditë pas vrasjes së Behar Sofisë. 66-vjeçari dyshohet se u vra nga një person i veshur me kostum sportiv ngjyrë të errët. Pandemia dhe masat e ndihmuan të kamuflohej pasi ishte veshur me kapele, syze dhe maskë kirurgjikale. Pas krimit u largua drejt Kodrave të Liqenit me një biçikletë.
    Featured image of article: Ekzekutimi i bosit të drogës Behar Sofia, autori ishte me kapele, syze dhe maskë kirurgjikale, pas vrasjes u largua me biçikletë drejt kodrave të Liqenit, familja mohon konfliktet, shpresat janë tek telefoni i viktimës  Behar Sofia, pamje nga vendi i ngjarjes dhe foto ilustruese

    TIRANËBehar Sofia u vra nga një person me biçikletë. Kjo është panorama e re që vjen një ditë pas ekzekutimit të padronit të drogës pranë Piramidës në Tiranë. Hetuesit kanë dalë në përfundimin se autori ishte një person i veshur me kostum sportiv me ngjyrë të errët, kapele, syze dhe maskë kirurgjikale.

    Pasi e qëlloi dy herë me pistoletë “TT” me silenciator, ai mori biçikletën dhe jo makinën siç u raportua dje dhe u largua drejt Kodrave të Liqenit Artificial. Ai ia doli të largohej pa e parë askush, ndërsa edhe sot, megjithëse mbi 10 persona janë marrë në pyetje, ende nuk dihet pista kryesore se kush e donte të vdekur Behar Sofinë. 

    Ndër personat e pyetur në polici, janë edhe familjarët e viktimës, të cilët kanë mohuar që të kenë pasur konflikte apo kërcënime kohët e fundit. Ata kanë treguar se herën e fundit që Behar Sofia ka dalë nga shtëpia, u ka thënë se do pinte një kafe, do blinte diçka dhe do kthehej sërish në shtëpi.

    Doli të pinte kafe, nuk na tha kë do takonte. Do blinte diçka dhe më pas do kthehej. Nuk kemi pasur konflikte me asnjë njeri. Nuk kemi pasur as kërcënime kohët e fundit. Nuk dimë gjë tjetër,“- kanë thënë ata.

    Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

    Ndërkohë që hetimi vijon dhe një shpresë kryesore për zbardhjen e vrasjes është edhe verifikimi i telefonit të viktimës dhe tabulatet telefonike. Deri më tani, nga kqyrja paraprake që i është bërë celularit, nuk janë nuk janë konstatuar biseda të dyshimta apo me persona të përfshirë në botën e krimit.

    Behar Sofia, 66 vjeç, një biznesmen i njohur nga Berati dhe që përdorte katër emra, u ekzekutua me dy plumba mëngjesin e djeshëm te Piramida. Ai kishte disa biznese në zonën e Komunës së Parisit ndërsa emri i tij rezulton i përfshirë në trafikun lëndëve narkotike nga ku dyshohet se atentati ndaj tij është për pasojë e larjes së hesapeve. Emri i tij, përmendet edhe në masakrën e vitit 2009 në Durrës ku u vranë katër efektivë policie në tentativë për të arrestuar Dritan Dajtin. Sofia ka qenë i lidhur edhe me bosin e njohur të mafias turke Abdulselam Turgut.

    (f.m;f.g/dosja.al)

    • 14:22

      FOTOT-IDENTITETET/ Kush është Fatmir Sofia, vëllai problematik i ‘padronit të drogës’, të dy ishin përfshirë në trafikun e heroinës… njëri punonte si IT në burg, tjetri “shijonte” paratë e familjes

      Behar Sofia, personi që u ekzekutua një ditë më parë pranë Piramidës në Tiranë ishte i përfshirë bashkë me të vëllanë në aktivitete kriminale. Gazetari Elton Qyno shkruan se Sofia, një prej katër identiteteve që ka përdorur ka qenë edhe i të vëllait, Fatmir Sofia. Behar Sofia dhe Fatmir Sofia janë dy persona nga fshati Lapardha i Beratit, dhe rezultojnë të jenë vëllezër.

      Por, ai që menaxhonte një pjesë të pasurisë në Shqipëri ishte personi që u vra dje, Behar Sofia me të bijën, të birin, dhëndrrin e tij në Tiranë dhe jo vetëm. Behar Sofia, njihet si një biznesmen kontravers për shkak edhe të kaluarës së tij kriminale, në trafikun e heroinës, ku i përfshirë ka qënë dhe vëllai i tij, Fatmir Sofia. Sipas Qynos, Fatmir Sofia sot është punonjës IT-je pranë një burgu në Shqipëri.

      Behar Sofia kishte një kopësht në zonën e “Ish-Bllokut”, një tjetër tek Ali Demi dhe disa biznese të tjera në zonën e Komunës së Parisit. Behar Sofia është shoqëruar në grupin e heroinës në Turqi me turkun Abdulselam Turgut, por nuk është dënuar. Emri i tij është përmendur edhe në çështjen e Dritan Dajtit, në masakrën e Durrësit, të vitit 2009, ku u vranë katër efektivë policie. Më poshtë keni edhe fotot e të dy vëllezërve, të cilët janë thuajse identikë me njëri-tjetrin:

      Fatmir dhe Behar Sofia
    • 12:03

      Jo më makina por biçikleta, si u largua i qetë në këmbë autori i vrasjes së "Padronit të Drogës", Behar Sofia u ndoq pa kuptuar, shoferët që kaluan tek Piramida rrëfehen në polici

      Vrasja e Behar Sofisë është një nga ekzekutimet më të sofistikuara të viteve të fundit në Shqipëri, ku edhe krimi i është përshatur kohës kovidiane që po jetojmë.

      Ndryshe nga sa ndodh zakonisht, kur pas atentateve mafioze fshihen disa autorë, makina, motora dhe logjistikë e përshtatur për rëndësinë e personit që do të vritet, kësaj here, personave që iu është dashur vrasja e Behar Sofisë, iu ka mjaftuar një person, i veshur në ‘kushte pandemie’, me një biçikletë, e ndoqi për minuta me radhë Behar Sofinë, dhe më pas ndaloi, e qëlloi dy herë dhe kaloi në këmbë urën e Lanës.

      Atje, sipas burimeve nga grupi hetimor, ai mori biçikletën dhe më pas u largua drejt Kodrave të Liqenit. 

      Edhe pse sipas hetimit, autori u ndihmua nga persona të tjerë, për ta ekzekutuar bosin e drogës iu desh vetëm një biçikletë, kostum sportiv, kapele, syze dhe maskë kirurgjikale. 

      Në polici janë marrë në pyetje edhe disa shoferë që janë kapur në kamerat e sigurisë duke kaluar në Bulevardin “Bajram Curri”, dhe kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna. 

    • 11:02

      Vrasësi nuk ishte profesionist! Detaje nga ekzekutimi i Behar Sofisë, autori u largua në këmbë nga ‘Rruga e Elbasanit’, vdekja i erdhi 66-vjeçarit nga çarja e aortës

      Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ekzekutimi i Behar Sofisë. Bëhet e ditur se autori i ngjarjes nuk ka qënë profesionist. Ai besohet se është i moshës 35-vjeçare e se ka qënë i maskuar me kapuç dhe me maskë kirurgjikale. Pas vrasjes ai është larguar në këmbë nga rruga e Elbasanit në Tiranë e më pas ka marrë një biçikletë të parkuar më tutje. 66-vjeçari është plagosur në kofshë, duke iu prekur organet jetësore e më pas duke iu çarë aorta.Ndërkohë besohet se Sofia mund të jetë vrarë si pasojë e borxheve të mëparshme ose për hesape të palara në trafikun e heroinës. Identitetet e shumta të tij bëjnë të vëshirë zbardhjen e ngjarjes.

    • 09:52

      Kamerat filmuan ekzekutorin e Behar Sofias, i veshur me kostum sportiv me ngjyrë të errët, qëlloi dy herë me “TT” me silenciator

      Foto nga vendi ku u vra Behar Sofia

      Personi që ekzekutoi Behar Sofian është filmuar nga kamerat e sigurisë që mbulojnë zonën, nga shtëpia e Behar Sofias, deri tekP Piramida, pranë të cilës ndodhi edhe ekzekutimi i 66-vjeçarit. I veshur me kostum sportiv me ngjyrë të errët dhe me fytyrën e mbuluar, autori është pozicionuar dhe ka qëlluar dy herë me një pistoletë TT me silenciator. Si pasojë e palgëve të marra, Sofia ndërroi jetë. Në vendin e krimit janë gjetur dy gëzhoja.

    • 9:47

      E priti të dilte prej ditësh! Ekzekutori e ndoqi Behar Sofian nga dera e pallatit deri përballë Piramidës

      Dosja.al ka zbardhur të tjera detaje në lidhje me vrasjen e Behar Sofias, ngjarje e ndodhur mëngjesin e djeshëm në mes të Tiranës. Mësohet se ekzekutori e ruante prej kohësh 66-vjeçarin. Për ditë me radhë, ai ka pritur pranë derës së shtëpisë së Sofia, që ky i fundit të dalë prej aty.

      Dhe pikërisht dje, kur Behar Sofia doli, ai e ndoqi nga dera e shtëpisë e deri tek Piramida, ku dhe gjeti mundësinë ta qëllonte dy herë me një armë të pajisur me silenciator. plumbat i shkaktuan plagë të mëdha Sofias, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital.

    Shto Koment