Aktualitet

U la i lirë në këmbim të 5 mln lekëve, Prokuroria apelon vendimin për Ervis Martinajn

Martinaj u vendos të lihej i lirë pasi la një garanci prej 5 milionë lekësh të reja. Momentalisht Prokuroria ka ngritur 7 akuza ndaj Martinajt
Featured image of article: U la i lirë në këmbim të 5 mln lekëve, Prokuroria apelon vendimin për Ervis Martinajn
Përditësuar:

TIRANË– Prokuroria e Tiranës ka apeluar vendimin e Gjykatës për të lënë të lirë Ervis Martinajn, i cili qëndronte në qeli për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok, më 4 tetor 2018. Martinaj u vendos të lihej i lirë pasi la një garanci prej 5 milionë lekësh të reja.

Momentalisht Prokuroria ka ngritur 7 akuza ndaj Martinajt, atë të të: “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim mbetur tentative”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”,“Falsifikim të pasaportave apo letër njoftimeve”, “Pastrimit te produkteve te vepres penale ose veprimtarise kriminale”, “Fshehje të ardhurash”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe ”Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Martinaj ishte personi i vetëm që qëndronte në qeli për ngjarjen e 4 tetorit, pas lirimit të Ervin Matës, të njohur ndryshe si ish-i fejuari i këngëtares shqiptare Elvana Gjata.

Mata u vetëdorëzua në polici në shkurt të këtij viti dhe u la i lirë vetëm pas një muaji. Apeli la në fuqi masën “detyrim paraqitje”, për Matën, i cili në dëshminë e tij ka mohuar që të ketë qëlluar me armë, apo edhe me grusht natën e vrasjes.

Arratinë për gati 6 muaj, ai e argumentoi me faktin se ishte larguar pasi ishte i frikësuar. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Çfarë ndodhi mbrëmjen e 4 tetorit 2018

Mbrëmjen e 4 tetorit 2018, rreth orës 21:00, në lokalin “Monopol” pati një përplasje me armë ku për pasojë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe shoku i tij Eljon Hato. Ky i fundit u arrestua nga policia, por iu ndryshua masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, në sajë të një garancie pasurore prej rreth 1 milionë lekësh, për t’u hetuar në gjendje të lire për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Njëri nga plumbat e preku Haton në shtyllë kurrizore dhe sipas raportit mjeko-ligjor nuk mund të qëndrojë në qeli pasi ka mbetur pothuajse i paralizuar.

I përfshirë në konflikt ishte edhe Ajaks Bonjaku, i cili u vetëdorëzua vetëm disa ditë pas ngjarjes, kurse Fabjol Alushi u arrestua nga policia dhe më pas u la në masën detyrim paraqitje. Ndërkohë në kërkim nga policia është ende ish-komandoja Merviol Bilo, i cili akuzohet të ketë qëlluar për vdekje Gaxhën.

Si fillim u mendua se arsyeja e përleshjes ishte këngëtarja Elvana Gjata, por hetimet e mëtejshme zbuluan se bëhej fjalë për një sherr të mbartur të të fejuarit të saj, Ervin Mata, me disa persona të tjerë, ku përmendet emri i biznesmenit Eldi Dizdari (partneri i Suada Sherifit). Dizdari është gjithashtu kushëriri i Arbër Cekajt, pronarit të magazinës ku u kapën 613 kg kokainë në Maminas, i cili aktualisht është në Gjermani i arrestuar.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment