
SARANDË- Është sjellë në atdhe trupi i 33-vjeçarit shqiptar, Bandiol Tusha i cili u gjet i vdekur në burgun e Koridhalosit.
Edhe pse hetimet për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tij ende vijojnë, trupi i tij do të përcillet ditën e nesërme në varrezat e fshatit Shelegar të Sarandës.
Tusha u gjet u vdekur më 27 janar në godinën E të burgut famëkeq grek. Në njoftimin zytar pas publikimit të rastit nga mediat greke, Policia bëri me dije se në trupin e shqiptarit nuk janë konstatuar shenja dhune. Shkak për vdekjen e tij dyshohet se është përdorimi në doza të mëdha i drogës.
Pak ditë më parë në të njëjtin burg u vra Albert Bako, nga një shqiptar dhe një grek. Një ditë pas vrasjes së Bakos, në burgun e Kretës u gjet i pajetë një tjetër shqiptar, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur nga mediat greke.
Ndërsa disa javë më parë, një tjetër shqiptar, po ashtu i paidentifikuar humbi jetën në burgun e Triakalasë nga shkaqe që ende nuk dihen.