Aktualitet

U gjet e vdekur në shtratin martesor me bashkëshortin, vëllai i Rezartës tregon amanetin e saj të fundit

Familjarët e Rezartës, kanë dyshime të forta se vajza e tyre mund të jetë helmuar për shkaqe që as ata vetë nuk dinë t’i thonë.
Featured image of article: U gjet e vdekur në shtratin martesor me bashkëshortin, vëllai i Rezartës tregon amanetin e saj të fundit Dhoma dhe çifti që u gjet i vdekur

LIBRAZHD– “Mos u mërzisni se ndihem shumë mirë! Mos qani për mua!”, janë fjalët e fundit që Rezarta Xibrraku iu ka thënë familjarëve të saj nëpërmjet telefonit përpara se të ndahej nga jeta. E reja u gjet pothuajse pa shenja jete në shtratin martesor, ndërsa bashkëshorti i saj Olsi Hajdari ndodhej në gjendje të rëndë.

Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së premtes në Xibrrakë të Librazhdit dhe çifti ishte martuar të dielën e kaluar. Familjarët e Rezartës, kanë dyshime të forta se vajza e tyre mund të jetë helmuar për shkaqe që as ata vetë nuk dinë t’i thonë. Gazeta Shqip ka mundur që të flasë më vëllanë e Rezartës, i cili pretendon se motrën ia kanë vrarë dhe njëkohësisht kërkon zbardhjen e së vërtetës.

INTERVISTA E PLOTË

Reshit, si e morët vesh lajmin për vdekjen e motrës?

Mëngjesin e së premtes, na morën në telefon të afërmit e Olsit dhe na thanë se Rezarta ishte shtruar në spitalin e Librazhdit. Kur shkuam atje, morëm vesh se kishte vdekur.

Nga se kishte vdekur?

Të afërmit e dhëndrit na thanë se janë helmuar me mangall, por ne nuk e besojmë një gjë të tillë. Kemi dyshime që i kanë helmuar. Njeriu nuk mund të vdesë aq lehtë nga mangalli.

Ju dyshoni se bëhet fjalë për krim dhe jo për ngjarje aksidentale?

Kemi dyshime se dikush nga të afërmit e Olsit mund t’i ketë helmuar nga zilia. Ata të dy e donin shumë njëri-tjetrin. Janë martuar me dashuri dhe dukeshin shumë të lumtur. Ende nuk e kemi marrë veten nga ajo që ka ngjarë, por ne si familje do të bëjmë hetimet tona. Ndër të tjera, po presim që të vijë edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Aty do të gjendet e vërteta.

Kur keni folur për herë të fundit me motrën?

Folëm në telefon mbrëmjen e së enjtes, pra një natë përpara ngjarjes dhe e pyetëm se si ndihej në familjen e re. Ajo dukej mirë. Na tha që të mos e kishim merak dhe që të mos qanim për atë. Kishte vetëm pak ditë që ishte martuar dhe dukej e lumtur.

Dyshuat për ndonjë gjë atë natë?

Jo, nuk dyshuam, ndonëse nga zëri kishte diçka që nuk shkonte me të.

A mund të ketë qenë ky ndoshta një amanet për juve?

Ndoshta po.

(Marrë nga Gazeta Shqip)

Shto Koment