Dikur

U fut ilegalisht në Shqipëri/ Dëshmia e rrallë e përkthyesit: Si e shoqërova për 12 vite kryekomunistin e Polonisë, rrinte në vilat sekrete ku vinin Enveri, Ramizi dhe…

Dëshmia e rrallë e Koci Zengo, ish-punonjës i aparatit të Komitetit Qëndror që ishte diplomuar në Poloni në fundin e viteve ’50-të, i cili u caktua si shoqërues dhe përkthyesit i tij, ku për 12 vite me rradhë që Mijal qëndroi në Shqipëri, nuk i’u nda për asnjë çast, madje duke e shoqëruar atë edhe në shumë vizita sekrete që ai bënte në shtete të ndryshme të botës.
Featured image of article: U fut ilegalisht në Shqipëri/ Dëshmia e rrallë e përkthyesit: Si e shoqërova për 12 vite kryekomunistin e Polonisë, rrinte në vilat sekrete ku vinin Enveri, Ramizi dhe…
Përditësuar:

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kazhimierzh Mijal, kryetarit të Partisë Komuniste të Polonisë, i cili në vitin 1966 erdhi ilegalisht në Shqipëri, pasi kërkohej për t’u arrestuar në atdheun e tij dhe këtu u prit me të gjitha nderimet nga udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye Enver Hoxhën, që së bashku me Hysni Kapon dhe Ramiz Alinë, shkonin për ta takuar herë pas herë në dy vilat që atij i’u lanë në dispozicion në qendër të Tiranës dhe në Plazhin e Durrësit, ku shërbenin një personel i madh, ashtu si edhe anëtarëve të Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së. Dëshmia e rrallë e Koci Zengo, ish-punonjës i aparatit të Komitetit Qëndror që ishte diplomuar në Poloni në fundin e viteve ’50-të, i cili u caktua si shoqërues dhe përkthyesit i tij, ku për 12 vite me rradhë që Mijal qëndroi në Shqipëri, nuk i’u nda për asnjë çast, madje duke e shoqëruar atë edhe në shumë vizita sekrete që ai bënte në shtete të ndryshme të botës.  Largimi i papritur i Mijalit nga Shqipëria në vitin 1979, pasi marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën ishin prishur për shkak të qëndrimit dhe rezervat që ai kishte ndaj udhëheqjes së lartë komuniste të Tiranës zyrtare, pas prishjes së saj me Kinën.

“Aty nga mesi i muajit shkurt të vitit 1966, më thirri shefi im Pirro Bita, që ishte Drejtori i Drejtorisë së Mardhënieve me Jashtë në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe më tha se duhej të shkoja në Portin e Durrësit, për të pritur një nga shokët kryesorë të Partisë Komuniste të Polonisë, i cili do të rrinte për një kohë të gjatë në Shqipëri. Sipas porosisë të shokëve të udhëheqjes, unë vajta dhe e prita në Durrës, dhe personi që erdhi, ishte udhëheqësi kryesor i komunistëve polakë, i quajtur Kazhmierzh Mijal, të cilin që nga ajo ditë e shoqërova për dymbëdhjetë vjet me rradhë që ai qëndroi në Shqipëri”. Kështu e kujtonte porosinë që i’u dha nga eprorët e tij, Koci Zenga, ish-punonjës i aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, i diplomuar në Akademinë e Sporteve të Polonisë në vitin 1953, i cili tregonte se si e ka shoqëruar në Shqipëri nga viti 1966, deri në 1978-ën, ish-Kryetarin e Partisë Komunistëve të Polonisë, i cili gjatë gjithë asaj kohe ishte një nga miqtë personal të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, duke qenë fare pranë tyre në protokollin e të gjitha festave apo pritjeve të ndryshme zyrtare.

Kush ishte Koci Zengo?

Pas një telefontate të bërë nga redaksia jonë dhe arsyen përse kërkuam që të takohemi, me një gatishmëri që gazetarët e hasin shumë rrallë, Koci Zengo, me zonjën e tij Ollgën, na ftojnë menjëherë që të urdhërojmë për vizitë në apartamentin e tyre aty në katin e pestë të nja pallati në qëndër të Tiranës dhe mikëpritjen e njohur korçare, atyre u’a shtoi akoma dhe më shumë fakti, që ai takim kishte të bënte pikërisht me njeriun me të cilin ajo familje kishte lidhur një pjesë të jetës së saj, me kujtime të paharruara dhe mbresa njerzore nga më të pashëlyeshmet. Ndonëse me një shtat të lartë dhe fizik prej ish-sportisti, ashtu siç ka qenë në të vërtetë Koci Zengo, i cili është diplomuar në Akademinë e Sporteve të Varshavës në vitin 1953, ai nuk e ka më atë gjallërinë e dikurshme dhe shëndeti i tij i është keqësuar dukshëm, nga një jetë e kaluar plot me strese dhe peripecira, të cilat i filluan pikërisht atë ditë kur miku polak që e shoqëroi për 12 vjet me rradhë, u shpall “agjent i revizionizmit”. I lindur në vitin 1924 në fshatin tepër të njohur, Dardhë, të rrethit të Korçës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, Koci Zengo që në rininë e tij u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe gjatë viteve të Luftës, ishte një nga eksponentët kryesorë të Rinisë Komuniste të rrethit të Korçës. Në vitin 1949, ai fitoi të drejtën e studimit për të ndjekur Akademinë e Sporteve në kryeqytetin polak, Varshavë, të cilin e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1953. Kur u kthye në Shqipëri, ai punoi për disa kohë si nënkryetar i Komitetit të Fiskulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë dhe në vitin 1954, atë e thirrën që të punonte në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai shërbeu pa ndërpreje deri në vitin 1966, kur shefi i tij, Pirro Bita, që ishte Drejtor i Drejtorisë së Mardhënieve me Jashtë në Komitetin Qëndror, e njoftoi se ai duhet të shkonte në Portin e Durrësit, për të pritur një mik të Shqipërisë që vinte nga Polonia e largët, ku Koci kishte kryer studimet vite më parë.

Ardhja e Mijalit në Shqipëri

Po përse u caktua pikërisht Koci Zengo për të pritur dhe shoqëruar kreun e komunistëve polakë, Kazhimierzh Mijal? Lidhur me këtë Koci na shpjegonte: “Në atë kohë të gjithë miqtë e Shqipërisë që vinin nga jashtë, prej atyre që quheshin “partitë motra”, shoqëroheshin nga punonjësit e Drejtorisë të Mardhënieve me Jashtë të Komitetit Qëndror. Duke qenë se unë kisha mbaruar studimet në Poloni dhe isha një njohës i mirë i gjuhës polake, shefi im Pirro Bita, më caktoi mua që të prisja dhe të shoqëroja Kryetarin e Partisë Komuniste të Polonisë, Kazhimirezh Mijal, i cili mbërriti në portin e Durrësit aty nga mesi i muajit shkurt të vitit 1966, me një traget që erdhi nga Italia. Sipas porosisë së shefit tim, unë dola dhe e prita në Durrës Mijalin, e më pas erdhëm në Tiranë dhe ai u sistemua në një vilë të veçantë në Rrugën “Lek Dukagjini”, në afërsi, apo më saktë në krah të vilës ku sot është Ambasada e Maqedonisë. Që në ditën e parë të mbërritjes së tij në Tiranë, atë erdhi dhe e takoi Enver Hoxha me Ramiz Alinë, të cilët i uruan mirseardhjen dhe para atij takimi, ata më njoftuan mua për orën kur do vinin. Kazhimierzh Mijal, erdhi si ilegal në Shqipëri, i ndihmuar nga Ambasada jonë në Varshavë dhe shkaku i largimit të tij nga Polonia, ishte se ai rrezikonte të arrestohej nga që kishte formuar Partinë Komunistë të Polonisë dhe ishte zgjedhur kryetar i saj. Në Shqipëri, idenditeti i vërtetë i Mijalit u mbajt sekret dhe ai erdhi me një emër të rremë, me të cilën ne e prezantonim kudo. Emrin e vërtetë të tij e dinin vetëm një numër i kufizuar njerzish, që ishin drejtues në Drejtorinë e Mardhënieve me Jashtë në Komitetin Qëndror, si Piro Bita e Pirro Koçi, e gjithashtu dhe udhëheqja kryesore me Enver Hoxhën, Hysni Kapon e Ramiz Alinë, e ndonjë tjetër. Që nga ajo ditë e për 12 vjet me rradhë që Kazhimierzh Mijal qëndroi në Shqipëri, unë nuk u ndava për asnjë çast prej tij. Pasi paraqitesha në zyrë në Komitetin Qëndror, ku qëndroja vetëm pak minuta, menjëherë shkoja tek vila e Mijalit, për tu angazhuar sipas programit që ai kishte. Ai vetëm gjumin e bënte pa mua. Vila ku u vendos Mijali ishte rezervuar vetëm për të dhe aty shërbente një personel i tërë që nga guzhineri, pastruesja, shoferi, si dhe ushtarët e Gardës që e ruanin vilën me shërbim të përhershëm. Përveç meje që kisha rolin e shoqëruesit e përkthyesit e isha i detyruar që të qëndroja në çdo kohë me të, për të siguruara jetën e Mijalit, ishin caktuar dhe dy oficerë të Sigurimit të Shtetit që na shoqëronin kudo. Po kështu, përveç vilës që Mijalit i ishte rezervuar në dispozicion në Tiranë, ai kishte dhe një vilë tjetër në Plazhin e Durrësit, në afërsi të Hotel “Adriatiku” e cila në atë kohë lihej në dispozicion të miqëve marksistë-leninistë që vinin në Shqipëri, ku dhe aty kishte një personel shërbimi të përhershëm. Në atë vilë Mijali kalonte pjesën më të madhe të muajve të verës dhe nisur nga ky fakt, për shumë kohë ajo vilë njihej ndryshe nga durrsakët dhe si “vila e polakut”. Përveç vilës së Durrësit dhe asaj të Tiranës, ku Mijali kishte rezidencën e përherëshme, ai shkonte shpesh për pushime në Dhërmi, ku qëndronte me nga gjashtë-shtatë muaj”, kujtonte Koci Zengo, atë kohë kur u caktua të shoqëronte mikun polak dhe vilat rezidenciale ku ai qëndroi për 12 vjet në Shqipëri.

Çfarë bënte Mijali në Shqipëri?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Po cili ishte misioni i vërtetë i Mijal-it në Shqipëri, çfarë bënte ai këtu dhe cilat ishin mardhëniet e tija me Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë? Lidhur me këtë, Koci tregonte: “Që nga takimet e para që pata me Mijalin, u mirkuptuam dhe krijuam mardhënie të sinqerta. Ai ishte një tip shumë inteligjent dhe me kulturë të gjerë, e pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke lexuar në studjon e punës, ku kishte një bibliotekë shumë të pasur. Kazhimirezhi ishte një njeri tepër korrekt dhe gjatë gjithë kohës që qëndroi në Shqipëri, ai zbatonte një regjim tepër strikt, me rigorozitetin më të madh. Ai çohej në mëngjez dhe pasi bënte tualetin e nevojshëm, hante mëngjezin dhe pastaj shkonte në studion e tij, në një nga dhomat e vilës dhe studjonte deri nga ora tre. Pas kësaj, ai hante drekën dhe nuk ndodhte asnjëherë që ai ta linte punën para orarit dhe të dilte nga studio e punës, për të ngrënë apo për gjëra të parëndësishme. Pasi hante drekë, ai pushonte, dhe përsëri shkonte në studion e tij dhe studionte deri kur vinte ora për të ngrënë darkën dhe për të fjetur, binte gjithmonë në të njëjtin orar. Këtë regjim ditor Mijali mund ta prishte vetëm në raste të veçanta, të cilat i kishte paracaktuar më parë, si kongreset e Partisë, festat zyrtare, apo ceremoni të ndryshme ku ai ftohej vazhdimisht dhe në protokollin qeveritar e partiak, atij i rezervohej një vënd i veçantë, duke e caktuar gjithmonë fare pranë Enver Hoxhës dhe udhëheqjes së lartë. Lidhjet kryesore Mijali i mbante me Ramiz Alinë, por ai takohej dhe me Enver Hoxhën dhe Hysni Kapon, të cilët sa herë donin të takoheshin me të, më njoftonin mua për të bërë ndërmjetësimin e takimit. Po kështu unë u kujdesa për shtypjen e botimin e librit që Mijali shkroi në atë kohë, duke qëndruar me ditë të tëra në Ndërrmarjen Tipografike, si dhe bëra shpërndarjen e tij në Poloni. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në Shqipëri, pothuaj çdo vit, Mijali bënte punën fizike nga një muaj, nëpër ferma apo kooperativa bujqësore në fshatrat e Tiranës. Përveç kësaj, ai kishte dëshirë për të udhëtuar dhe unë e kam shoqëruar në shumë ndërrmarje prodhimi, uzina, fabrika dhe ndërrmarje bujqësore, pothuaj në të gjithë Shqipërinë nga Jugu në Veri”, kujtonte Koci Zengo, atë kohë kur ai ishte ngarkuar për të shoqëruar mikun nga Polonia dhe lidhjet e tija me udhëheqjen e lartë.

Udhëtimet e fshehta jashtë Shqipërisë

Gjatë asaj kohe që Mijal qëndroi në Shqipëri, a u takua ai me familjen e tij që kishte lënë në Poloni dhe a lëvizi ai në ndonjë shtet tjetër dhe me kë mori kontakte? Lidhur me këtë, Koci tregonte: “Kazhimierzhi kishte lënë në Poloni, gruan, Jadievgën dhe dy djemtë, Marekun e Pavlin, që ishte diplomuar për Fizikë, për të cilët ai kishte një mall të patreguar. Nga kjo arsye, ai vinte shpesh në familjen time, duke nxjerrë mallin e familjes së tij, që nuk kishte mundësi ta takonte. Nisur nga kjo, për çdo porosi që ai të kishte por familjen, m’i besonte mua, që herë pas here nisesha dhe shkoja në Poloni dhe merrja takime të fshehta me familjen e tij, që ndodhej diku në Veriun e Polonisë. Këtë gjë e bënim që të mos diktoheshim nga shërbimet e fshehta polake, të cilat më ndiqnin vazhdimisht, pasi ishin në dijeni që unë isha shoqëruesi i Mijalit dhe mbaja gjithë korespodencën me familjen e tij. Kur kthehesha nga Polonia, me qëllim që të humbja gjurmët, unë bëja dhe disa vizita në shtete të tjera, si në Gjermani, Francë apo Greqi, e pastaj kthehesha në Shqipëri. Përveç Polonisë ku shkoja për të mbajtur lidhjet me familjen e tij, unë e kam shoqëruar Mijalin dhe në të gjitha udhëtimet e tij të fshehta në disa shtete, si në Gjermani, Francë, Itali, e deri në Kinë, ku qëndronim me nga gjashtë-shtatë muaj, ku atë e prisnin me të gjitha nderet e rastit, udhëheqja e lartë kineze, deri tek Mao Ce Duni e Çu En Lai. Në të gjitha ato udhëtime, ne shkonim me dokumenta të tjera të rreme, ku na prisnin vetëm ambasadorët tanë dhe asnjë tjetër nuk kishte dijeni për lëvizjet tona”, kujtonte Koci Zengo, lidhur me udhëtimet e Mijal-it jashtë Shqipërisë, i cili vetëm në Poloni nuk mund të shkonte.

Përzënia nga Shqipëria

Po përse u largua kryekomunisti polak nga Shqipëria dhe cilat ishin divergjencat e tija me Enver Hoxhën e politikën e tij? Çfarë bisedoi ai me shoqëruesin e mikun e tij të ngushtë, Koci Zengo, para largimit nga Rinasi? Lidhur me këtë, Koci tregonte: “Mijali pati mardhënie shumë të mira me Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë komuniste të Shqipërisë deri aty nga viti 1977, por më pas ato mardhënie nisën të ftoheshin dita ditës, deri sa erdhi largimi përfundimtar i tij nga Shqipëria në korrikun e vitit 1978. Shkaku kryesor i prishjes së mardhënieve të tija me udhëheqjen e lartë shqiptare, ishte qëndrimi që Mijali po mbante ndaj Kinës, me politikën e së cilës, Enver Hoxha ishte duke u “divorcuar”. Përveç kësaj, Mijali nuk ishte dakort dhe kishte rezerva dhe për shumë qëndrime dhe veprime të vijës politike që ndiqte asokohe udhëheqja e lartë shqiptare, për të cilat më hapej vetëm mua, nga besimi i madh që kishte krijuar”, kujtonte Koci, mbi prishjen e mardhënieve të Mijalit me Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë që e shpalli atë person “non grata” dhe e përzuri nga Shqipëria. Po çfar i tha ai Kocit para largimit nga Rinasi? Lidhur me këtë, Koci nuk kishte dëshirë të fliste, duke i ruajtur brenda vetes brengat e mikut të tij, si një gjë që i përket vetëm atij, e askujt tjetër, por bashkëshortja e tij, Ollga, si për të na ndihmuar, ndërhyri në bisedë dhe nga tregonte: “Ndonëse Mijalin e kishim si njeriun e shtëpisë, ai nuk na tha gjë për largimin e tij dhe ne e morëm vesh vetëm atë ditë që Koci u kthye nga Rinasi dhe na tha: “E përcolla Mijalin, përgjithmonë”. Që Kazhimierzhi iku i pakënaqur nga Shqipëria, këtë ne e ndjemë nga qëndrimi që u mbajt ndaj Kocit, të cilit herë pas here, njerëz dashakeq, e pyesnin se: “ku e kishte mikun”?! Që nga ajo kohë që iku Mijali, Koci dhe ne të gjithë si familje, kemi qëndruar me një ndnjenjë pasigurie, se gjithshka mund të ngjiste me ne, dhe këto strese lanë gjurmë të thella tek Koci, të cilat ai i vuan ende. Aq miqësi të madhe kishim krijuar ne me Mijalin, sa që kur u largua, na u duk sikur na mungonte ndonjë njeri i shtëpisë dhe aty nga viti 1989, kur na u dha mundësia të shkonim tek dhëndri jonë që ishte në ambasadë në Varshavë, unë dola të shikoja se mos i gjeja adresën dhe të shkonim me Kocin për ta takuar”, e përfundon rrëfimin e saj Ollga, duke shtuar se ajo dhe Koci akoma shpresojnë se një ditë do të takohen me mikun e tyre me të cilin i lidh një pjesë e jetës që nuk harrohet kollaj.

Marrë nga Memorie.al 

Shto Koment