Aktualitet

U arrestuan dje, Policia jep informacion për trafikantët e antikave: U kapën tek Currilat, do i shisnin për 25 mijë euro secila

Pas më shumë se 3 javë hetimesh, Policia ka arrestuar tre të dyshuarit kryesore në zonën e Currilave në Durrës. 
Featured image of article: U arrestuan dje, Policia jep informacion për trafikantët e antikave: U kapën tek Currilat, do i shisnin për 25 mijë euro secila Objektet e vjedhura

DURRËS– Një ditë pas arrestimit të tyre, Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar lidhur me grabitësit e veprave të artit, që i vidhnin në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Pas më shumë se 3 javë hetimesh, Policia ka arrestuar tre të dyshuarit kryesore në zonën e Currilave në Durrës. 

Ishte 49-vjeçari, i identifikuar si Altin Veizaj, banues në Fier ai që dyshohet se siguronte veprat antike të artit. Dy amforat e vjedhura u gjetën në makinën e tij tip “Toyota”. Gjithashtu u arrestuan edhe Alban Vrapi, 37 vjeç dhe 48-vjeçari Roland Zaimaj, të cilët  gjenin klientelën për shitjen e veprave të artit. 

Mësohet se dy amforat e vjedhura do të shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila. Megjithatë ende vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes, në të cilën dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë. 

NJOFTIMI I PLOTË:

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Antikat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës dhe u finalizua pas tri javë hetimesh.

Sekuestrohen dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore.

Veprat do shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas disa javë hetimesh të kryera për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Antikat”.

Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Currilave, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë në tentativë për shitje të dy veprave të antikitetit, shtetasit:

A. V., 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetitn tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit;

A. V., 37 vjeç dhe R. Z., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shtetasi A. V. siguronte veprat e artit, ndërsa dy shtetasit e tjerë gjenin klientelën për shitjen e tyre.

Vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment