Rajoni

“U anashkalua Kosova”, Thaçi tregon pse refuzoi Samitin e Ohrit: Synimi jot i vetëm, anëtarësimi në NATO dhe BE

Po ashtu kreu i shtetit të Kosovës thekson se Kosova nuk mund të marrë pjesë në një samit, në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar.
Featured image of article: “U anashkalua Kosova”, Thaçi tregon pse refuzoi Samitin e Ohrit: Synimi jot i vetëm, anëtarësimi në NATO dhe BE Hashim Thaçi, President i Kosovës

KOSOVË- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për Samitin e Ohrit dhe shprehet se ka refuzuar ftesën për të qenë i pranishëm. Në një postim në mediat sociale, Thaçi shkruan se ai ka refuzuar të ishte në Samit, pasi Kosova, qëllimshëm është anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. “Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO”, shton Thaçi.

Po ashtu kreu i shtetit të Kosovës thekson se Kosova nuk mund të marrë pjesë në një samit, në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar.

REAGIMI I PLOTË

Si President i Republikes së Kosovës, dua të informoj qytetarët se, kam refuzuar pjesëmarrjen time në Samitin e Ohrit. Ky vendim për mospjesëmarrje bazohet në disa argumente ekzistuese. Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta  zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave.

Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar. Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta.

Samiti i Ohrit është i dyti mes 3 liderëve, pas atij të Zagrebit pak javë më parë. Takimet për mini-shengenin zhvillohen për arritjen e një marrëveshjeve mës palëve për lëvizjen e lirë të njerëzve, prodhimeve dhe kapitaleve. Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje nga takimet dhe diskutimet mes palëve. Tre liderët janë kundërshtuar nga aktorë të tjerë, si Kosova e Mali i Zi për lënie jashtë nga mini-shengeni. Ndërkohë që SHBA e ka mbështetur këtë nismë. Zëra pozitiv kanë ardhur dhe nga BE, por kërkojnë integrimin e të gjithë rajonit në marrëveshje.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment