
TIRANË- Kryetarja e Autoritetit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, firmosi ditën e djeshme urdhërin për nisjen e një hetimi administrativ, për verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj digjitale të Martin Camajt. Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar shkrimtari dhe ish kreu i Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa.
Ky i fundit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka akuzuar AIDSSH për favorizim të Auron Tares, pasi e ka marrë brenda 1 jave përgjigjen, ndërsa kërkesave të Institutit që ai drejtonte iu përgjigjte me 6 muaj vonesë, ose nuk u përgjigjej fare. Gjithashtu Tufa është shprehur, se AIDSSH ka shkelur ligjin, sepse Tare nuk plotëson kushtet për të marrë dokumente, pasi nuk është as studiues dhe nuk ka asnjë punim shkencor.
Reagimi i plotë
Zakonisht Autoriteti (AIDSSH) u kthen përgjigje kërkesave të studiuesve, maksimumi, pas një viti. Shiheni si vepron me Taren: më 26 maj 2020 ai bën kërkesë dhe më 2 qershor 2020 merr 2 dosje. Do të ishte interesante të dihej, psh, nëse kërkesat e të tjerëve të datës 26 maj, janë ndjekur me të njëjtën përparesi dhe kthyer pergjigje më 2 qershor, apo ky është një rast i përzgjedhur me dashuri? Sepse duhet thënë, që kërkesave që bënte ISKK, Autoriteti ose u përgjigjej pas 6 muaj – një viti, ose nuk u përgjigjej fare, për çka kemi pasur një sërë ankimesh në AIDSSH dhe në Raportet e veprimtarisë Vjetore në Parlament. Auron Tare nuk plotëson një kusht të rëndësishëm, nuk është studiues, por enverist. Nuk ka asnjë punim shkencor apo libër. Është një bashkëpunëtor i shoqatës së Rustem Peçit dhe kaq. Kësisioj në këtë pikë Autoriteti ka shkelur ligjin.
Kryetarja e Autoritetit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, bëri dje me dije, se institucioni që ajo drejton do të nisë një hetim administrativ. Në një reagim në mediat sociale, Sula njoftoi, se hetimit administrativ do të bëhet për verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj digjitale të Martin Camajt nga AIDSSH. Më tej ai shtoi, se materiali përmbledhës i hartuar pas kryerjes së veprimeve për përmbushjen e objektit të urdhrit në fjalë do t’i bëhet i ditur Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për ndjekje sipas legjislacionit në fuqi.
Disa ditë më parë, Auron Tare botoi studimin për dy shkrimtarët, Ernest Koliqin dhe Martin Camajn. Në studim, Tare ka marrë si referencë shkollimin e Camajt, punën në Radio Beogradi dhe përfshirjen në Komitetin e Prizrenit, e cila sipas tij ishte një organizatë, përmes së cilës UDB kishte ndërtuar një rrjet spiunazhi në Shqipëri dhe diasporë. Përsa i përket Koliqit, Tare shkruan, se ka qenë një agjent i CIA-s dhe ka mbështetur ardhjen e Camajt në Romë. Gjithashtu ai shton, se Koliqi ka ndihmuar Camajn, për të kapërcyer dyshimet se ishte i dërguar i komunistëve. Menjëherë pas publikimit të studimit, është ndezur debati publik. Studiuesi Ardian Ndreca e ka quajtur dashakeq dhe të sajuar studimin. Ndërkohë shkrimtari Primo Shllaku ka kërkuar që Akademia e Shkencave të dalë me një qëndrim dhe debati të mos bëhet në Facebook. Së fundmi ka reaguar edhe mbesa e Martina Camajt, Vera Camaj, e cila ka hedhur poshtë të gjithë argumentat e publikuara.
(g.sh./dosja.al)