Aktualitet

‘Tu diktohet një tekst, fituesi merr një shpërblim të madh’, shkrimtarja propozon: Deputetët e parlamentit shqiptar duhet të kalojnë testin e drejtshkrimit

Flutura Açka ka bërë një propozim të pazakontë pasi sipas saj e mira do ishte që deputetët shqiptarë të kalonin testin e drejtshkrimit duke propozuar diktim për deputetët.
Featured image of article: ‘Tu diktohet një tekst, fituesi merr një shpërblim të madh’, shkrimtarja propozon: Deputetët e parlamentit shqiptar duhet të kalojnë testin e drejtshkrimit Deputetët e parlamentit shqiptar

TIRANE– Kur ka ngelur më pak se 1 vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shkrimtarja Flutura Açka ka bërë një propozim që nuk dihet nëse do merret parasysh nga deputetët e parlamentit.

Shkrimtarja ka bërë një propozim të pazakontë pasi sipas saj e mira do ishte që deputetët shqiptarë të kalonin testin e drejtshkrimit duke propozuar diktim për deputetët.

Açka e ka shoqëruar postimin me një bluze të bardhë ku në të janë shkruar shkronjat e alfabetit shqip.

Ajo sjell shembullin e Holandës, e cila e ka konkurs publik diktimin. Propozimi i Açkës ka marrë jo pak pëlqime dhe është shprëndarë dhjetëra herë në rrjetet sociale.

POSTIMI I PLOTË

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Për cilësinë e parlamentit të ardhshëm

Që Parlamenti ynë të mos jetë më objekt kabareje, përveç të gjitha nismave që do ta pastrojnë nga kriminelët e faqezinjtë, do të ishte mirë që deputetët të kalonin një test fare të thjeshtë: atë të drejtshkrimit. Mjafton një diktim i thjeshtë – publik, faqe shqiptarëve – për pak minuta për ta ruajtur parlamentin tonë nga analfabetët. Sepse më ka zënë syri shpesh statuse lemerisëse deputetësh, cilësia e shkrimit të të cilëve e fyen gjuhën shqipe.

Kjo që po them është një gjë shumë serioze, aq serioze sa në Holandë një nga konkurset më të rëndësishëm publikë, është Diktimi, që shfaqet drejtpërdrejt në televizion dhe marrin pjesë njerëz të të gjitha fushave. Ata mblidhen në një sallë dhe u diktohet një tekst. Fituesi merr një shpërblim të madh, sepse është respektuesi më i madh i gjuhës. Dita e Diktimit Kombëtar, është gati festë kombëtare.

Le ta fillojmë edhe ne duke u diktuar parlamentarëve të ardhshëm, kush kalon, le të kalojë, kush ngel, le të ngelë e të turpërohet e të mos hyjë në parlament.
Fjala është e para, e fjala fillon nga gjuha!

Flutura Acka

(A.B)/Dosja.al

Shto Koment