Blog

Tregimi i së dielës: TË PRES NË ORËN SHTATË…

E gjatë, e hollë, me ecje gjithë hire e me një të folur plot edukatë mbështjellë me buzëqeshje. Si karamele e ke gocën, i thoshte Jorida, fqinja, nënës së Dianës.
Featured image of article: Tregimi i së dielës: TË PRES NË ORËN SHTATË… Foto ilustruese

TIRANË– Diana pas dy muajsh punê në kompani ndjehej keq. Madje shumë keq. Ndonjē mëngjes ah sa desh të mos lëvizte fare nga shtëpia dhe eprorëve t’u dërgonte me e-mail dorëheqjen. Nuk hezitonte nga që ishte lodhur aq e aq vjet prej studimeve,nga specializimet jashtë,por i dhimbte në shpirt sakrifica e prindërve. Ata shitën shtëpinë e madhe,jetuan më pas në furrikun e sotëm veç vajza të arsimohej sa më mirë. Diana qe fëmija i vetëm. U rrit me shumë dashuri e ledhe,por pa lëshime e me përkujdes për sjellje korrekte. U rrit si lastar shelgu. E gjatë,e hollë,me ecje gjithë hire e me një të folur plot edukatë mbështjellë me buzëqeshje. Si karamele e ke gocën,i thoshte Jorida,fqinja,nënës së Dianës.

Qysh në gjimnaz e “gjuanin” gjithë çunat. Ajo miklohej, përpëliste qepallat dhe u përvidhej. Se kishte Tonin,fqinjin e saj. U rritën bashkë,deri vonë nuk ia thoshin njëri-tjetrit se s’ishte nevoja. Ata nuk rrinin dot pa njëri tjetrin,pra dashuroheshin pa atë pyetjen formale:” A lidhemi bashkë?” Toni ishte specialist kompjuterash ndaj hapi një dyqan servisi dhe shitje. Punët i ecnin mbroth. Diana pandehu se do qetohej me rolin e financieres në kompaninë e madhe,por veç rrogës së lartë pati dhe trauma. Po,po ashtu emërtohen shqetësimet e mëdha. Sa kthehej nga zyra rrinte te dritarja e shtëpisë e shihte vajzat e picerisë përballë. Dukej që kishin punë se oborri rrinte plot me makina. Më mirë të isha kamariere,fliste me vete. Halli i Dianës qe siklet dhe i nënës së saj. Veç asaj i kishte treguar se në kompani e ngacmonin. Kush, pyeti e ëma. Të gjithë,i tha ajo.

Që ditën e parë drejtori ia tha tullë:

-Sa e bukur je,o goce! Do darkojmë bashkë këtë javë?

Ngeli pa fjalë. Ai ishte i martuar,por dukej i rregjur se nuk iu mbajt goja. Nuk foli,por u skuq. Donte të hapej te kolegu i zyrës,por ai:

-Shkojmë te ndonjë piceri bashkë?

Ky quhej dy herë i martuar se para një muaji bëri dasmën. Njësoj me drejtorin teknik,atë të prapavijës dhe kulmi kur shoferi i pronarit i propozoi:

-Mbase bëjmë ndonjë shërbim bashkë në Sarandë!

Të gjithë këta i pa me gratë e tyre në një festë të kompanisë. Qeshnin e rrezatonin lumturi. Diana gati po plaste që nuk ua çirrte fasadën. E ëma e porosiste mos i tregonte Tonit. Jo për sherrin që mund të bënte,por qoftë larg mund të dyshonte se i ke provokuar ti.

Ditë pas dite rritej presioni i burrave. Dianës i dukej vetja si kartmonedhë që e kapnin plot duar të pista e kushdo e tërhiqte nga vetja. Ndaj një darkë vendosi se do e linte punën. Mbase diku do gjej punë të re,mendoi. Po kur donte të ndizte shpresë i erdhi në tru fjalia,s’ka punë pa burra. Ndaj u tërhoq. Jo të shtynte ditët si deri tani,por të…darkonte me të gjithë. E vendosi.Që nga drejtori i madh e deri te kolegu i zyrës. Plot tetë burra.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sa hyri në kompani i zuri me radhë Që te dera:

-Për sot në orën shtatë në darkë te piceria si e ke?

Drejtori heshti,pa me dyshim mos Diana u tall e pastaj:

-Jam i lumtur. Do jem i përpiktë.

Të tjerët u gëlltitën ca sekonda e folën me breshëri:

-Po,po,po.

Kur hyri në zyrë po dridhej. Ra zilja,e mori Toni. Ia preu:

-Sot nuk dal,do lyej dhomën,-ia futi kot.

Sa hyri në shtëpi mori karriken dhe e vuri te dritarja që më gjashtë. Në shtatë pa një çerek erdhi drejtori. E vendosi makinën bash te dera e picerisë. Por nuk doli,priste të shkonte shtatê. Pas tre minutash mbërriti kolegu i zyrës. Doli me vrap dhe kur po hynte brenda gati u përplas te pasqyra e makinës së drejtorit. U përshëndetën,por drejtori stoik. Rrinte brenda veturës. Pastaj në një kohë erdhën shefi i financës,ai i pajisjeve,i prapavijës,shoferi i pronarit. U rreshtuan te oborri dhe sa shihnin majtas e djathtas makinat e kompanisë rrëshqisnin poshtë timonit. Mos shihnin e mos shiheshin. Ca çaste se më pas iku drejtori e një nga një të gjithë. Sikur u këput fija e tespijeve. Ranë goglat të gjitha. I fundit doli kolegu i zyrës. Mbase donte të ikte më parë, por qe zënë si në çark. Diana për çudi sytë i kishte me lot. Por qe e qetë. Si ai fëmija i tmerruar kur mjeku ia heq halën e peshkut që i kishte ngelur mes qiellzës dhe laringut. Ndaj edhe qan edhe gëzohet. Sikur nuk i besohet…

Shto Koment