Blog

Tregimi i së dielës-Roza Putana

Ishte jevgë,ashtu i thonim atëhere. Babai i saj e kishte braktisur qysh kur ishte e vogël. E rriti nëna deri sa mbushi 14 vjeç e një ditë ajo vdiq nga e ftohta në kasollen prej cope ushtrie andaj nga Radeneci.
Featured image of article: Tregimi i së dielës-Roza Putana Agim Xhafka
Sot më duket çudi pse e quanin Roza putana. Jo se ajo kishte nder të spikatur,prostitutë ishte,por në Korçë më tepër përdorej kurvë. Putanë e shqiptojnë italianët e ata ndiheshin në Vlorë,Durres,Tiranë,por jo andej nga vendi im.
Nejse,Roza në kujtimet e mija të fëmijërisë më del qysh kur une isha në fillore. Shtëpinë e kisha afër Parkut Rinia dhe mes atyre lëndinave luaja në pranverë e deri në tetor. Më pas shkonim lart,rrugicave të qytetit e rrëshqisnim duke vënë poshtë bythëve çantën e shkollës si slitë dëbore.
Një mëngjes të djele,thellë parkut,afër shatrivanit të dytë më thërret një zë femre. Ulët dëgjoj:
-O djalkë,pa hajde njëherë këtu!
Nuk po shihja gjë,por prapa një gëmushe nxori fytyrën një zeshkane aq e bukur sa dhe sot e vizatoj si atëhere. Fytyrë rrumbullake,me mollza të kërcyera,sy jeshile,flokë kafe të dredhura,elegante dhe buzët kaq të trasha sa nuk kisha parë kurrë.
-E njeh Gaqon?- më tha. -Djalin e furrëtarit?
-Po,e kam komshi.
-Shko zgjoje nga gjumi dhe thuaji se po e pret Roza,ajo që hedh fall.
Kaq u shastisa nga bukuria e saj sa ika me vrap. Por nëna e Gaqos nuk më linte të hyja tek oborri.
-Folë se ia them unë,-më thoshte.
Por unë doja të mburresha para Rozës. Nuk hapja rrugë. Më la dhe hyra deri tek kreu i shkallëve. Gaqo,një çun i ri që punonte xhenerik në ofiçinë flinte në ballkon,përjashta.
-Gaqo,Gaqo!
Hiç,si i vdekur.
-Po të pret Roza të të hedhë fall!
-Hë? Ku është?- e vrik në këmbë gjithë ai djalë,si Steves Rives i filmit.
Unë vrapova tek Roza,ia thashë se Gaqo po vjen. Ajo qeshi e më fërkoi kokën.
Pas pak bashkë me Gaqon hynë tek wc aty pranë e pas ca minutash dolën. Gaqo i qeshur dhe i skuqur. Do ketë mësuar fjalë të mira nga falli,mendova. Ai iku e Roza po mblidhte ca lule aty pranë.
-Do më hedhësh dhe mua fall?-e pyeta.
-Patjetër,por të të rritet dora se e ke të vogël,-qeshi ajo.
Më pas rrija afer saj ditët e pushimeve. Bile erdhi dhe Calja ca kohë. Filluam të ziheshim kush do e merrte për nuse kur të rritej. Ai e donte Rozën,por edhe unë. Ndjehesha i sigurt se ajo ta shihte dhe të ardhmen e të lajmëronte. Pashë që vinin plot burra që shihnin fatin tek Roza. Një ditë ajo nga wc doli me mësuesin e biologjisë,njëherë e pashë që u fut me babain eNorkës,shoqes sime të klasës.
Kështu me Roza putanën kalova pushimet e asaj vere. Pastaj nisi shkolla. Shkoja mbasdite,por nuk e gjeja. Deri sa një ditë pata fat. Rrinte te shatërvani i dytë,por jo andej nga lëndina,por te stoli. Shihte nga shtëpia e fëmijës që ishte aty pranë e qante.
-Kam tre zemra atje,- më tha.- Dy djem e një vajzë.
-Shkojmë i takojmë ,- e nxita.
-Jo,jo se nuk më lejojnë.
-Pse?
-Kur të rritesh do e kuptosh,i miri im!
-Më është rritur pellëmba,ja,shihe!
Por ajo qante e iku. Më la atje.
Kaloi dimri,erdhi pranvera,vera e Roza sikur u përpi nga pylli.
Pyeta Calen,por nuk dinte gjë. Të pyes mësuesin e biologjisë,mendova. Por më doli keq. Ai më qëlloi me shpullë,më kercënoi se nuk do më vinte kurrë dhjeta e heshta.
Një ditë pyeta Ladin,më të madhin djalë tek shkalla jonë.
-Roza putanën do që të takosh?
-Po.
-Të qënka rritur bilbilushi,byrazer.
U nxeha dhe u çudita. Pas ca vitesh,kur isha në klasën e gjashtë mësova së çfarë falli hidhte Roza tek burrat e qytetit tim. Copëra-copera e rindërtova historinë e saj.
Ishte jevgë,ashtu i thonim atëhere. Babai i saj e kishte braktisur qysh kur ishte e vogël. E rriti nëna deri sa mbushi 14 vjeç e një ditë ajo vdiq nga e ftohta në kasollen prej cope ushtrie andaj nga Radeneci. Kerkoi Roza punë në disa zyra dhe i dhanë shfryrje seksuale. U bë me fëmijë qysh 15 vjeç. Kështu dhe më pas. Me tre fëmijë që shteti ia merrte e i çonte në jetimore. Kur pa që po perdhunohej mendoi që të nxirrte jetesën me bukurinë e saj. E zuri një vend tek shatrivani.
Nga që kishte wc-në pranë,por dhe jetimoren ngjitur. Burrat namusqarë e djemtë epshorë vinin me plot dëshirë se kënaqësia me të ishte poetike. Një personazh i gravurave të Modiljanit,një kreatyrë qe as në ëndërr nuk kishin ku ta shihnin korçaret. Kështu,murga Roza,ndërsa në vesh e qafë i fërshëllenin frymëra të nxehta e rënkime pasioni,sytë i mbante andej,nga jetimorja e tre fëmijëve të saj,me baballarë komunistë,me poste,me profesione të nderuara ose me familje të tjera ku u mburreshin
grave të tyre se ishin të ndershëm e besnikë si ata.
Ato vite nuk dënohej prostitucioni,më pas u perfshinë nga gazi i degës së brendshme dhe u internuan nëper skërka.
Sot qesh me Rozën se më bëri të shihja çdo ditë pëllëmbën në m’u rrit apo jo. Nuk e ndesha më që ato mote,por në kokë ndërtoj veç variante të mira për bukuroshen time. Sikur një prej fëmijëve e ka marrë në shtëpinë e vet e kujdeset për të. E besoj nga që e dua shumë Roza putanën,por edhe nga që fëmijët do kenë gjakun e saj mbushur me qeliza dashurie,dhimbjeje,përkushtimi e shprese. Pastaj qar e kanë ta kenë mes tyre nënën se ajo dinte dhe si është e ardhmja.
Sa herë shkoj tek parku mendoj per Rozën,ishte femër e bukur dhe nënë e vuajtur,nënë që i prekte dhe i përkëdhelte fëmijët veç nga larg,me sytë e saj jeshilë ,me shikimin që e pati si magji hyjnore…

Shto Koment