Blog

Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka: Plagë plazhi

Mësova se burri i shtëpisë ishte sëmurë, hemoragji cerelbrale. Nuk lëvizte, shtrirë, pa gojë e pa gjymtyrë aktive. 24 orë me sytë në tavan e mbase me lutje, o zot më merr. As mjekim, as pagesë sociale, as kujdes. Asgjë, asgjë. Sikur nuk rronte mes njerëzish. Mbyllur në dhomë deri sa treshja kthehej nga marrshimi mes vapës. Me fat në se u krijohej mundësia të blenin një pulë. Prapë me fat në se blenin vetëm bukë.
Featured image of article: Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka: Plagë plazhi Agim Xhafka

TIRANË- Ka disa vjet që gjatë verës i shoh të tre. Gruan para dhe dy djem pas. Ajo nga larg ngjan si një 50 vjeçare,në fakt është gjysma, rreth 30. Djali i madh 13 dhe i vogli mendoja se qe 7, por kishte mbushur 11.

Të tre varg plazh më plazh, shisnin pjeshkë, dardha, fiq. Sa lumturoheshin kur u blente dikush. Unë u merrja përherë nga të gjitha.

-Ç’i do?- më pyeste gruaja me çudi.
-U duhen këtyre, -i thoja.

Mes vapës kjo treshe nuk shpërbëhej gjithë verës. Si trupë ushtarake,me të njëjtin ritëm, me të njëjtin hap. I vogli vinte pas tyre krejt bosh, asgjë nuk mbante. Por gjendej me ta, bashkë.

Mësova se burri i shtëpisë ishte sëmurë, hemoragji cerelbrale. Nuk lëvizte, shtrirë, pa gojë e pa gjymtyrë aktive. 24 orë me sytë në tavan e mbase me lutje, o zot më merr. As mjekim, as pagesë sociale, as kujdes. Asgjë, asgjë. Sikur nuk rronte mes njerëzish. Mbyllur në dhomë deri sa treshja kthehej nga marrshimi mes vapës. Me fat në se u krijohej mundësia të blenin një pulë. Prapë me fat në se blenin vetëm bukë.

Mbasdite djali i madh rrinte pranë një dyqani në rrugën kryesore. Shihte ata që shëtisnin, por më shumë u ngjiste sytë vajzave të moshës. Dhe ndriçohej i gjithi. Harronte lodhjen, vapën e mendonte të nesermen. Fantazonte, e kishte ilaç të mjerimit ku kishte rënë. I vogli afrohej tek ca kënde lojrash e vraponte pas gjithë fëmijëve. Loja e mblidhte brenda si kanguri kur fut në xhep të voglin e vet.

Sivjet treshja ishte bërë dyshe. Nëna dhe i vogli shisnin, por tani gjysmat e koshave i mbante ai që më parë ecte serbes i treti.

Mësova se babai kishte vdekur në dimër. Shtëpia po rrënohej dhe të tre që ngelën prisnin me ankth pranverën dhe kohën e plazhit. Por kur i mposhti era e shirave dhe uria e egër i madhi puthi nënën dhe iku. Nuk tha ku. Qante nëna, por më shumë vëllai i vogël. Se iu duk se pas babait do ngelej dhe pa vëlla.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Deri sa një ditë një fqinj lajméroi se djali i madh arriti në Itali. U bashkua me ca djem nga qyteti dhe nisi punë në Bergamo, në ndértim. U gëzua nëna dhe i vogli. E ja, pas këtij lajmi erdhi dielli dhe plazhi nisi jetën. Filluan bredhjet dhe thirrjet,hajde fiq,hajde dardha,hajde pjeshkë.

Nëna me të zeza më e plakur,edhe pse sa kishte kaluar të tridhjetat. Por më e çlirët,më e qeshur. I vogli mburrej se vëllai do i sillte një tren.
-Prej vérteti, jo lodër,- cicërinte ai.

Gruaja tha se i biri nga Italia i dërgonte para çdo dy javë.Rregulluam çatinë, mbase lyejmë këtë vit.

Mendoja me dhimbje atë 13-14 vjeçar që rrinte majë skelave dhe mbante në kurriz tulla dhe llaç.

-Do shkoj dhe unë, por e mori ai pasaportën, -tha i vogli.
-Mori pasaportën e burrit,me atë iku,-sqaroi e ëma.

Kur e pyes pse vrapojnë plazheve në vapë kur djali dërgon para, njëzëri më thanë:
-Ia heqim mënjanë, për dasmën e tij.
-E keni fejuar?
-Qyqja, ai është fëmijë, -qesh nëna.

Ndërkohë bërtasin plazheve,hajde fiq,hajde dardha,hajde pjeshkë. Tani thirjet i kanë më të forta, më të qeshura. Më duken ato britma si ftesa për dasmën e çunit hallemadh, të njomë dhe të burrëruar mes mjerimit.

Ua ble racionin e pérditshëm dhe i lutem zotit për këta njerëz fatkeqë, por të mirë sa mirësia. Se jo çdo e keqe vjen për keq. Ndaj premtoj se do jem patjeter në dasmën “14 vjeç dhëndër.” Patjetër…

Shto Koment