Blog

Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka: Muaji i mjaltit

Kur u vjen ndër mend gushti i para 30 viteve emocionohen. Se qenë ditë dhe netë magjike. Mbushur me aq lumturi e të qeshura sa kur i kujtojnë sot kanë  zili atë moshë.
Featured image of article: Tregimi i së dielës nga Agim Xhafka: Muaji i mjaltit Agim Xhafka

TIRANË- Berti në gusht pushon në Pogradec. Me gruan se vajzat,dhëndurët,nipërit e mbesat duan detin. Liqeni ështe për pleq,i thonë ata. Ai nuk merzitet nga këto fjalë. Sa lind mëngjesi i 1 gushtit,fut valixhet në makinë e bashkë me Shpresën grahin drejt atij vendi që e duan shumë. Edhe pér klimën,edhe për ajrin,edhe për ngjyrën e qiellit. Edhe sepse atje kaluan muajin e mjaltit.

Kur u vjen ndër mend gushti i para 30 viteve emocionohen. Se qenë ditë dhe netë magjike. Mbushur me aq lumturi e të qeshura sa kur i kujtojnë sot kanë  zili atë moshë.

Sa mbaroi dasma,babai i Bertit tha se një shoku i tij,Llazi,që ishte shef finance te turizmi i Pogradecit,u kishte siguruar një dhomë për dhjetë ditë. Kënaquni,shtoi ai. E kaq duhej për çiftin. Hypën në autobuzin e linjës e pas një ore te dera e turizmit. Kérkuan Llazin. Qe një mesoburrë,pak i shëndoshë. Epo kjo punë kështu të bën,qeshi Berti.

-Djali i Agronit?-pyeti Llazi.

-Po. Me gruan. Pér muaj mjalti.

-E di,e di,-tha Llazi serioz. I mori pér krahu e dolën anash mos pengonin ata që po rregjistroheshin te recepsioni.-Na doli një problem,-ia nisi ai. -Te dhoma që do rrinit ju drejtori ka vendosur një nga ministria. Pér 4 ditë,pastaj është juaja.

Bertit iu fut gjuha në stomak. I vinte si të fikët. Iu duk sikur u shua drita e diellit. Po nuk foli se Llazi çau ferrën,hyri në zyrë. Shpresa e mbajti nga krahu. Dolën jashtë e panë drejt një stoli. Shkuan e ulën atje. Siç duket ketu do flemë,tha Berti me vete.

Nuk dinin ç’të bënin. Të ktheheshin në Korçë u vinte pak turp. Se qenë mburrur me pushime te turizmi. Te ai turizëm që ishte ëndérr për çdo çift të sapomartur. Po dhe të rrinin në Pogradec e kishin të pamundur. Qe sezon e çdo hotel nuk kishte dhoma të lira. Madje edhe në ca shtëpi që lironin ambiente ishin të prenotuara.

-Hamë një byrek,-tha Berti e ndérkohë mendja i nisi nga puna. E pas ca minutash u kujtua për Vjollcën,një kushérirën e babait. Ajo ishte martuar në qytet dhe punonte në ushqimore,te konservimi. Duke ngrënë byrekun arritën te fabrika. Se Pogradeci atëhere aq ishte. Për dhjetë minuta i bije pash më pash.

Nuk pritën gjatë. Vjollcën sa e lajméruan që e priste Berti erdhi me vrap. E pérqafoi e nuk ndalej së pyeturi.

-Jam pak e mérzitur se nuk më ftuat në dasëm. Edhe Bajrami u brengos,-tha ajo.

Bajrami qe burri i saj. Berti mësoi se nuk kishin fëmijë. Kemi bërë ca analiza,po nuk po zbulojmë fajtorin,qeshte ajo. Pastaj kapi pér dore Bertin dhe Shpresën e drejt te shtëpia e saj. Pranë turizmit,te një pallat dykatsh. Ishte ngushtë,një dhomë e kuzhinë.

-Këtu do rrini,deri sa t’u lirohet dhoma te hoteli,-tha me vendosmëri.

Apartamenti sa hapje derën të fuste në kuzhinë. Pérballë ishte dhoma e gjumit.

-Këtu do flini,-tha dhe nisi të ndérrojë çarçafët.

U ndjenë si në shtëpi. Erdhi pas dy orësh Bajrami dhe drejt e në tavolinë. Me verë të bërë vetë e me belushka që ua dha Petro,komshiu i tyre peshkatar. Atë natë i lanë në kuzhinë kur mbyllën derën e dhomës që të flinin.

-Ku do shtrihen ata se nuk pashë as divan,as krevat në kuzhinë?-pyeti Vjollca.

Vértet,kishte një tavolinë të madhe e gjashtë karrike. Se aq ishte vendi. Sa një kolibe qeni.

Pér fat krevati nuk bëri zhurmë,çifti u mjaltëzua atë natë dhe mëngjesi erdhi plot diell te dritarja.

I pari doli Berti. Nuk pa njeri në kuzhinë. Paskan ikur në punë,tha. Mbi tavolinë qe një letér fletore. E mori dhe lexoi:”Kalofshi gëzuar. Jeni çift i ri dhe po ju lemë vetëm deri sa të shkoni në hotel. Ne po flemë te vëllai i Bajramit.”

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Shpresa gati po qante. Pér njerëz me zemër kaq të madhe kishte lexuar veç në libra. Ditën e tretë trokiti dera. Ishte Petro,komshiu. Kishte sjellë belushka,por të pjekura.

-Vjollca më tha se i pëlqeni shumë.

-Ku e gjete Vjollcën?- e pyeti Berti.

-Te hidrovori. Atje punon Bajrami. Ka një dhomë riparimi dhe këto ditë kanë hapur një krevat portativ e flenë atje.

Bertit iu zmadhuan sytë. Ndjeu hidhérim që i vuri kaq në siklet ata njerëz të mirë,po dhe u gëzua se dhe një ditë ngeli. Do iknin të nesérmen në hotel.

I kujton ai dhe Shpresa ato ditë mjalti mbushur me mjaltin e zemrës së Vjollcës e Bajramit. Duke shëtitur u afruan te turizmi.

-Si nuk shkuam një herë te Vjollca,-tha Shpresa.

Panë në sy njéri tjetrin. Po ç’qe kjo çudi që qysh atë vit e më tej as që trokitën te ajo derë. Qoftë për një falenderim. U dhanë pas punëve,pas lindjes së fëmijëve. Disa vite vërtet nuk pushuan në këtë qytet,por ama sa herë erdhën sytë i hodhën mbi gjol. Kurrë mbi atë apartament që iu bë strehë zemre.

Trokiti Berti. Pritën. Te dera u shfaq një e moshuar sa një grusht. I dridheshin duart dhe fjalët.

-Kë kérkoni?

E njohën Vjollcën,të mirën e të shtrenjtën grua shpirtmadhe.

-Na falni,trokitëm gabim,-tha Shpresa.

Dera u mbyll. Berti ngeli i ngrirë. Nga ajo që pa dhe nga cudia pse Shpresa nuk i dha të njohur. Dolën te oborri. Poshtë një peme po bisedonin ca gra. Shpresa shkoi tek ato e ia nisi një bisede jo të shkurtër. Më pas mori Bertin pér krahu e u çapitën drejt turizmit.

-Gratë më thanë se Bajrami ka vdekur para ca vitesh nga një aksident në punë. Vjollca nuk ka fëmijë. Eshtë vetëm,me gjysëm pensioni të burrit. Ka vuajtur nga veshkat e tani bën dializë tre herë në javë. Po hera heres nuk shkon se s’ka para pér taksi deri në spital. Dhe më e keqja,i kanë prerë drita nga që nuk i paguan dot.

Më pas nuk folën. Po e shihnin njëri tjetrin si fajtorë. Tani donin të ndreqnin një gabim,apo një faj.

-Të shkojmë nesër te elektriku e t’ja zerojmë pagesat e prapambetura. Të paguajmë dhe një taksi për gjithë vitin…

-Një nga ato gratë ishte pa punë,-tha Shpresa.-Ta punësojmë si kujdestare të Vjollcës.

U qetësuan se kishin mundësi ta ndihmonin me para,po nuk ndjeheshin mirë me veten. Ndiheshin si liqeni që në ditë të nxehta uji sipér ishte i ngrohtë,por poshtë brisk,t’i priste këmbët e ftohta.

-Po si e dhjemë kështu,si?- pyeste veten Berti e dukej sikur mosmirënjohja e tyre ia kishte shkulur Vjollcës veshkat nga trupi. Qëndruan plot ditë majë ballkonit. Po jo me sytë nga liqeni. Por me shikimin mbi atë apartament mbushur me mirësi. Gëzoheshin kur shihni taksinë e verdhë që merrte në gjirin e vet Vjollcën dhe kujdestaren,e cila e mbante aq pranë gjoksit sikur ta kishte gjakun e vet…

Shto Koment