Blog

Tregimi i së dielës (GALLATA)

"Gallata" punonte në punishten e qilimave. Por veç turni i natës,që t’i gjendej nënës së sëmurë nga një depresion disavjeçar. Ndaj mëngjeseve rrinte te dritarja mbi dyqanin e qumështit deri sa fikej rradha,se as gjysëm ore bulmet nuk shitej e pastaj binte në gjumë me ëndërra mbase të trazuara nga që ishte e re dhe nga që ende asnjë burrë nuk pérflitej i lidhur me të.
Featured image of article: Tregimi i së dielës (GALLATA) Agim Xhafka

GALLATA…

(Tregimi i së dielës.)

Duket çudi,por ja që atë vajzë të bukur perri e quanin Gallata. Sot fjala ka kuptimin e qyfyreve,humorit pa të keq,etj. Ndërsa unë e lidh me emrin e asaj hyjnie.

E kishte shtëpinë ca hapa larg pallatit tonë. Në një banesë me tre kate,por ajo shihej veç te dritarja e katit të dytë. Kur  u rrita mësova se jetonte në një dhomë bashkë me nënën dhe vëllain. Të tre kur delnin në dritare,zakonisht mbasdite nga që ishin buzë rruge dhe kundronin njerëzit që bënin xhiro,dukeshin si tre artistë të një filmi francez vendosur te ajo korniza mbi dyqanin e qumështit. Ishte i vetmi dyqan në Korçë ku rradha e burrave zgjatej e zgjatej qysh nga ora tre e mëngjesit,ndérsa rradha e grave ishte si flokët e shkurtër të Nesti berberit,thuajse afér tullac.

Nuk fliste kush atëhere,por sot me buzagaz i them vetes se burrat e lagjes e bënin dëm gjumin jo për dashuri e respekt ndaj grave,por nga që afër mëngjesit fekste mbi kokat e tyre ajo,bukuria vetë,Gallata. Duke e parë me sytë e sotëm ku modë është eleganca,Gallata qe një vajzë e shëndoshë,me këmbë të drejta,por të forta,me sy si bajame,ngjyrë blu dhe flokët të zeza korb e të mbledhur topuz. Ishte shtatlartë e mbase plot meshkuj edhe e zilepsin,por edhe e kishin frikë e ndrojtje. Se ja duhej guxim i madh ta puthje,nga që lartësohej edhe mbi kokat e meshkujve gjatoshë.

Gallata punonte në punishten e qilimave. Por veç turni i natës,që t’i gjendej nënës së sëmurë nga një depresion disavjeçar. Ndaj mëngjeseve rrinte te dritarja mbi dyqanin e qumështit deri sa fikej rradha,se as gjysëm ore bulmet nuk shitej e pastaj binte në gjumë me ëndërra mbase të trazuara nga që ishte e re dhe nga që ende asnjë burrë nuk pérflitej i lidhur me të.

Të gjithë korçarët rrotull shihnin ëndërra me Gallatën. U dukej nata e shkurtër sa një ndezje çakmaku,por edhe i rrinin larg. Se Gallata ishte bija e një ballisti me nam. Kështu flitej,ama emrin e të atit nuk e pérmendte kush. Edhe i vëllai,dy vjet më i madh,nuk dallohej nga artistët e filmave. Racë e bukur ,thoshte nëna ime për motér e vëlla. Por dhe ai sa kthehej nga puna në ndértim ngulej te dritarja. Sodiste vajzat e bukura të qytetit që pér çudi sa kalonin dritaren e tij ktheheshin shpej që të hidhnin vështrime sërish nga dritarja ku rrinte vegimi i tyre.

Nuk di se si shkoi fati i vëllait. U zhduk një ditë sa hap e mbyll sytë. Nuk u fol asgjë. Babai tha se do e kishin internuar patjetër diku. Gallata nuk u duk ca javë te dritarja e më pas mbështeste brrylat te parvazi dhe me duart e saj të hijshme pérkëdhelte fytyrën hyjnore.

Edhe kur shkova student në Tiranë,sa herë shihja ndonjë vajzë të bukur,thoja,si Gallata. Ashtu e krijova në trurin tim ngjashmërinë me të hijshmen,i vura emrin e saj.

Një verë ndérsa po shëtisja shoh te dritarja Gallatën me një fëmijë në krah.

-Qenka martuar?-i thashë mamasë.

-Po,jo mo i zi,kush martohet me të. Por e shtypi makina Xhevrije rospien e një fëmijë të saj e adoptoi Gallata.

Xhevrija rospia ishte një fqinja jonë te kati i parë pallati anash. Deri vonë rronte me kurvllëqe te shtëpia e saj. Nuk i fliste kush se kishte shtatë kalamaj per të mbajtur. Ama qe aq e shëmtuar dhe e shpifur sa edhe kur e shihnim nga larg dukej sikur na spërkaste me mëkat.

U gëzova që Gallata mori një fëmijë të saj. Ishte tregues i një shpirti të madh. Unë,e vura veten në vendin e Gallatës,por fëmijë nga Xhevrija nuk merrja kurrë.

-Aq u lodh e shkreta zyrë më zyrë,se nuk donin t’ja jepnin nga që ishte vajzë ballisti,-shpjegonte mamaja.

Ballistët si hebrenjtë nga fashizmi,njësoj u trajtuan,u përndoqën dhe vuajtën. Dhe pér Gallatën ndjeja keqardhje,por nuk dija as si ta ndihmoja,as ç’të bëja. Veç qeshja nga që kisha dhe një shoqe,Anën,balliste dhe ajo,por aq e bukur,si vesa mbi tëndafil. Siç duket në luftë nga ballistët shkuan të pashmit e të hijëshmit,nga krahu tjetër arrog… dhe xhahilët.

Qysh atëhere më ngeli në mend Gallata me fëmijën në krah,si Shën Maria me Jezusin.Aq hyjnore ishte pamja te dritarja.

Para ca muajsh në Greqi,motra më tregoi nga larg një grua të moshuar. Ecte aq ngadalë sa nuk i kuptohej lëvizja. Mbështetur mbi krahun e një burri të gjatë,të derdhur,si trup delfini. Po na afrohej dhe e dallova:

-Gallata?- pyeta motrën.

-Po.

-Po ky burri i pashëm djali i të vëllait?

Motra qeshi.

-Djali i saj,dmth i Xhevrije rospies.

Ngela pa fjalë. Ai mashkull kaq i pashëm,kaq dinjitoz,kaq tërheqës ngjiste vetëm me racën e Gallatës. Kishte marrë sytë e saj,qeshjen e të vëllait,ecjen e tij,bukurinë e krejt fisit të Gallatës.

Asnjë shkencë nuk e shpjegon këtë transformim. Në asnjë fije floku,lëvizje,tipare nuk gjendej Xhevrija. Ai  mashkull magjepsës qe pikturë e Gallatës,telajo ishte e Xhevrijes. Gallata e rriti me aq dashuri sa e transformoi atë djalë,e bëri me gjak fisniku,me sjellje delikate dhe me karakter të hekurt.

Motra më tha se tani jetojnë prej vitesh në Selanik. Janë qytetarë grekë. Nuk di më tej,por pashë një nënë që njeriun e saj të dashur e pérpunoi si ajo që e lindi. Vërtet kokën,gjymtyrët,zemrën ai gatoi mitra e Xhevrijes. Por emocionin,detajet,ristrukturimin ia bëri Gallata,e cila si ai mjeshtri i baltës futi duart në rrotullimin e masës pa konture dhe i dha dritë,ngjyra e hijeshi. Gallata shpërtheu te djali dashurinë dhe pasionet e ndrydhura.

Plaka ecte aq ngadalë sa dukej se pas çdo hapi do rrëzohej. Por burri i fuqishëm gati e ngrinte hopa çdo çast,si muskuli i zemrës që shtyn e shtyn para gjakun e pastér. U mahnita. Dashuria qenka si alkimia,kthen hirin në zjarr…

(a.m/dosja.al)

Shto Koment