Blog

“Tregimi i së dielës”/ Agim Xhafka: Rroga e parë!

Atë ditë kisha mbaruar klasën e tetë. Bëmë festë në shtëpi nga që mora dhe fletë lavderimi. Në raste të tilla babai e kthente një kupë raki e bëhej shpejt çakërqejf se nuk ishte stërvitur me sportin e alkoolit.
Featured image of article: “Tregimi i së dielës”/ Agim Xhafka: Rroga e parë! Agim Xhafka

Qe mbrëmje e ngrohtë qershori. Nga ato kur ndjehet qysh larg era e blirit poshtë ballkonit dhe xhiroja te bulevard “Republika” sapo kishte arritur kulmin. Mijra burra,gra,të rinj,fëmijë zbrisnin nga kinema “Morava” e pasi bënin një rrotullim te “Lëndina e Lotëve” ia nisnin ecjes përpjetë. Traditë e përditshme,e përvitshme,e vjetër qysh kur unë nuk kisha lindur.

Atë ditë kisha mbaruar klasën e tetë. Bëmë festë në shtëpi nga që mora dhe fletë lavderimi. Në raste të tilla babai e kthente një kupë raki e bëhej shpejt çakërqejf se nuk ishte stërvitur me sportin e alkoolit. Në gëzim e sipër më tha:

-M’u rrite bir,m’u bëre burrë!
U emocionova dhe mora kot. U ndjeva kaq i rritur sa i kërkova:
-Më fut në punë këtë verë.
Ai pa u menduar fare ma ktheu:
-Patjetër.
Por nuk arrita të gëzohem se ndérhyri vëllai:
-Edhe mua.
Sa mbaroi fjalën qeshëm të gjithë. Ai ishte një vit më i vogël,por në trup sa gjysma ime. Them atë vit se më pas,kur shkuam studentë,u barazuam. Babai nuk i dha xhevap. Mendova se ia skualifikoi kërkesën. E kapa te faqet dhe i premtova se do i blija një top kur të merrja rrogën.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Vëllai ishte futbollist i lindur. Kishte një teknikë për t’i zilepsur gjithë mjeshtrat e topit. Luante sulmues me ekipin e mëhallës dhe golat i rraste si petullat. Një pas një se i përdorte të dy këmbët megjithëse qe majtosh.

Unë pëlqeja volejbollin. Por nuk kisha shokë të këtij sporti ndaj më shumë luaja me gocat e pallatit. Vëllai mbante në çantë një top 50-lekësh. Quhej i madh atëhere,por se sa kuptohej nga që e nxinte çanta e shkollës. Unë kisha top të kuq 500-lekësh. Nuk e fusja dot në çantë,ama ishte si top i sëmurë,bëhej qullash,e lëshonte veten gjatë natës,kërrusej si xha Andoni. Nuk luaja dot ashtu ndaj e nxirrja në diell e pas gjysëm ore ai ishte forcuar si kockë qeni,thoshte Calja. Se m’u kujtua shoku im. Calja kishte një palë atlete që mua dhe vëllait na ngeleshin sytë. Goja lënga na lëshonte. Të bardha,me gomë të zezë dhe me lidhëza të bardha.
-Unë i dua jo të bardha,i dua blu se gjuaj topin dhe më bëhen pis,-thoshte vëllai.
Atë çast fytyra i merrte pamje gati alivanie. Unë e shihja kur luante zbathur e më pikonte zemra. I thashë mamasë t’i blinte një palë,por ajo pa më thënë jo kuptova që do vazhdonte këmba e vëllait ta gjuante zbathur topin.
Pas dy ditësh babai na solli lajmin:
-Do punosh në bonifikim. Fillo të hënën.
Nëna ia nisi zhurmës:
-Nuk e le djalin mes ujrave dhe kënetave.

-Do shkosh dhe ti në punë,-i tha vëllait.-I di mollët e Ilmozit? Atje do jesh roje paradite.
Lumturi deri të hënë. Sa shkova te puna më dhanë çizme dhe bëlldum brenda një kanali. Nxirrja baltën me lopatë. Pas ca minutash u lodha,m’u muar fryma dhe pushova pak. Ia nisa prapë. Djersa më mbyti. Pyeta për orën. Kishte shkuar veç dhjetë minuta nga fillimi i punës. Kështu puno pusho e arrita orën katér mbasdite. Shtëpia më dukej sikur më largohej. Unë ecja e ajo ikte nga unë. Isha gati të flija në rrugë. Kur arrita më në fund u plandosa te minderi i kuzhinës e deri në darkë gérhisja si derr,tha vëllai. Ai i freskët,i qeshur.
-Ndenja poshtë mollëve dhe mësoja anglisht,-ma bëri zili.
Kështu ca ditë deri sa duart m’u bënë me kallo e muskujt u forcuan. Koha nisi të vrapojë dhe…erdhi rroga. E solli Jorgji. Firmosa dhe mora aq para sa nuk i kisha parë as në ëndërr. Zemra trokiste fort si kuajt mbi kalldrëm. Drejt te dyqani i këpucëve. Doja t’i blija atlete vëllait. Numrin ia dija,39 unë,36 ai. Sa po afrohesha shoh që andej doli vëllai. Dhe ai sot e kishte ditën e rrogës. E pashë të qeshur dhe me dy atlete të bardha hedhur mbi supe.
-Mos,i paska blerë,-thashë me mërzi.-Dhe të bardha,pse? Ai i donte blu. Më ka dëgjuar mua. Mirë ka bëre.-kështu po flisja e hyra brenda dyqanit. Po ble për vete,thashë.
-Numër 39,të bardha,-i fola shitëses.
-Nuk m’u nda numri 39 sot,as të bardhat,-më tha ajo.
-Si kështu?
-Po ja,ai çuni që sapo doli mori një palë nr 39 dhe të bardha. Ti po ashtu,nr 39 dhe të bardha.
Ngela,e pyeta prapë dhe e kuptova. Vëllai paska blerë atlete jo për veten e ti,por për mua! U mallëngjeva ishte pak. Më kapi një frymëmarrje e thellë nga ato që ta ngrenë gjoksin peshë e të hapin rubinetin e lotëve.
-Më fal,-i thashë shitëses.-U ngatërrova,dua atlete,por jo nr 39. I dua nr 36 dhe ngjyrë blu. Më fal.
I mora,i hodha mbi kurriz dhe rrugës për në shtëpi nuk ndjeja sikur kisha atletet mbi sup,por sikur mbaja vëllain kur e merrja çdo mbasdite nga kopshti dhe kur vrapoja me galop,që ai të qeshte me të madh sipas kërcimit të hapave të mija…

Etiketa:

Shto Koment