BlogDikur

Tregim: I vdekur, pa varr…

Kujtime nga para viteve '90. Historia e Pavli Koço Qëndros...
Featured image of article: Tregim: I vdekur, pa varr…

Ishte fundi i Gushtit. Vapa përvëluese, shoqëruar me një duhmë ajri të nxehtë, ngrihej nga kalldrëmet e gurta të qytetit dhe futej brenda shtëpisë sime, sikur donte të më merrte frymën. Ishte ditëlindja ime e katërmbëdhjetë. Nëna po përgatiste kekun tim të preferuar, ndërsa unë i rrija mbi kokë me padurimin që ta mbaronte shpejt. Papritmas kërciti porta e hekurt. “Erdhi Ifi”- thashë me vete. Ajo nuk harronte kurrë ditëlindjen time dhe gjithmonë vinte duarplotë. Me vrap shkova në avlli. Por, në vend të saj pashë postierin plak që nxorri nga çanta e tij prej lëkure, një zarf me katër vula. Ishte një thirrje për mua nga Dega Ushtarake. Me duart që më dridheshin nga emocioni, hapa letrën, ku lexova se tani isha “Paraushtarak” i Partisë e Atdheut.  Duhej të paraqitesha pas dy ditësh para komisionit ushtarak…

Në një dhomë të ngushtë të Degës Ushtarake që ndodhej në pazarin e vjetër të qytetit, ishim të ngucur si sardele rreth 50 djem, që duhet të dilnim para komisionit, si ushtarë të devotshëm të atdheut tonë socialist. Unë qëndroja afër Ladit, shokut tim të ngushtë të fëmijërisë. Ladi ishte një djalë çapkën që merrej me cirk dhe unë e kisha zili për trupin e tij muskuloz të ngjashëm me Paridin, heroin tim më të dashur të filmit “Helen of Troy”.  Zhurma hokatare fëminore u pre si me thikë, kur një zë autoritar thirri: “Qetësi!” Ishte kapteri Harilla. Sytë e tij zhbirues, si dy gozhdë të mprehta, përshkuan sytë tanë të brishtë. “Hiqni rrobat!” Të shtangur dhe të hutuar, hoqëm ngadalë pantallonat e shkurtra dhe bluzat tona kineze me lule. “Të gjitha, edhe mbathjet”- ushtoi zëri i tij.

Me ngadalë hoqa të mbathurat dhe mundohesha të fshihja me duar kërmillin tim të vogël mashkullor, por s’qe e thënë. “Iiiii sa të vogël e ka”- po më qësëndiste një djalë në krahun tim, që fitoi vëmendjen e të tjerëve. Ha, ha,ha, shpërthyen disa të qeshura. Por qesëndisja i’u pre si me thikë, kur Ladi bëri një hap para tij. Kraharori i kërcyer muskuloz i Ladit gati sa nuk e preku në fytyrë . “Ti po tallesh me shokun tim?” “Jooo, po bëja shaka”- tha qesëndisësi im ndërsa uli sytë me frikë.

I çliruar, unë po shihja me kureshtje Benin, teksa po hiqte të mbathurat. Beni ishte sportist. Hedhës i gjyles. Ai ishte shumë më i gjatë dhe i shëndetshëm. Kur pashë me bisht të syrit përmasat e kërmillit të Benit, u lehtësova. “Paska edhe më keq se unë.” – mendova.

Por, asnjë nuk guxonte të qeshte siç qeshën me mua. “Në rresht”- ushtoi zëri i Harillas. Në rresht, lakuriq  siç na kish bërë nëna, kaluam para komisionit, ku veç katër ushtarakëve me uniformë, qe edhe një mjek që na kontrollonte rrahjet e zemrës me stetoskop. Lakuriqësinë që tani i’a fshehja edhe nënës, duhet ta shfaqja para këtyre burrave të huaj. Kurrë nuk e kuptova pse duhet ta bënim atë parade ushtarake pa brekë.

Pasi mbaruam punë me komisionin, u paraqitëm te zyra e kapterit Harilla. Erdhi radha ime. Pasi më pyeti për adresën dhe prindërit e mi se ku punonin, zëri i tij autoritar ushtoi: “Keni ndonjë të afërm të dënuar nga Pushteti Popullor?” “Jo!” – u përgjigja unë. “Po ndonjë të afërm të pushkatuar nga Pushteti Popullor?” Faqet mu skuqën dhe aktrimi im fëminor më tradhëtoi teksa mërmërita “Jo!”.

Unë e dija që kisha një dajo 19-vjeçar të pushkatuar ndërsa kryente shërbimin ushtarak në Korçë. Këtë fakt e kisha mësuar dy vite më parë. Një krushqi e motrës sime qe prerë në mes. Familja e dhëndrit të ardhshëm kish mësuar se ne kishim një dajo të pushkatuar nga pushteti. Unë isha atje kur një gjyq familjar i’u bë nënës time. Sytë autoritar të babait qenë si të kapterit Harilla, teksa nga nëna ime kërkonin pse i’a kish fshehur këtë herezi. Nëna gëlltiste lotët dhe mundohej shumë t’i fshihte, por ato u fiksuan në memorien time fëminore, si gjurmët që lë tehu i thikës, kur emrin mbi trungun e pemës gdhendim. Nënën time e adhuroja më shumë se idealet e socializmit, që mësuesit tanë aq bukur na i shpjegonin në shkollë.

***

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

U duk sikur sita e kohës e harroi historinë e dajos së pushkatuar. Por jo, ajo do më ndiqte pas si hije. Kur përgatitja kërkesën për të konkurruar në Akademinë e Arteve, duhej të sqaroja edhe biografinë. Kjo biografi më privoi edhe në vitin ‘86, kur si pjesë e ansamblit “Çerçiz Topulli” m’u dha mundësia për të dhënë koncert në Greqi. Pas shumë orëve përgatitje nga kërcimtari brilant Enver Birko, na u komunikua lista. Mungonte emri im, i Andon Tuni-t, si dhe një vajze nga Derviciani që ishte mbesa e priftit të fshatit. Andonin e hoqën pas një letre anonime ku paraqitej si “Don Zhuan”. Mbesën e priftit edhe pse qe trup lastar dhe kërcente si shtojzovalle, nuk mund ta linin të përfaqësonte fshatin. Zemër thyer u ktheva në shtëpi. Im atë, pasi e ndjeu trishtimin tim, shkoi për t’u ankuar tek Refati. Ai ishte Kryetari i Këshillit të lagjes, komunist, por një burrë i ndjeshëm. “S’e ke nga unë”– i tha ai. Të ka spiunuar gjitonia. Babai im, e merrte me të mirë dhe i bënte rripa ore pa shpërblim. Një komshia jonë kishte spiunuar. Krahas dajos së pushkatuar, ajo kishte treguar edhe për  një hallë të  babait, që gjyshja ime vazhdonte korrespodencën. Ajo qe arratisur në vitin ’45. Kështu u privova nga ëndrra për të parë botën.

 

***

Ishte viti ‘90-ë. Isha ende student dhe u përfshiva në lëvizjen studentore. Koha kish bërë punën e vet dhe unë as që e kujtoja më kapterin Harilla, i cili më kishte masakruar në brishtësinë time fëminore. Por nuk qe e thënë ta harroja! Një shoku im i fëmijërisë më kërkoi një nder. Qe viti ‘93.  Shokun tim, e kishin caktuar në Kukës për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Qe pikërisht ai që dikur më qësëndiste për “kërmillin” tim të vogël. Tani më lutej që ta ndihmoja që shërbimin ushtarak ta kryente në vendlidje. Shkova për te Dega Ushtarake që tani ndodhej në lagjen e poshtëme të qytetit. Ushtari te trau i shërbimit sapo më pa mori qëndrimin gatitu. Ai e dinte që unë isha miku i Eqeremit, kryetarit të tanishëm të Deges Ushtarake, një ish i persekutuar i rregjimit komunist.  Me mirësjellje ushtari më prezantoi te Harilla kapteri i dikurshëm. Pikërisht ai kapter që dikur më terrorizonte për dajon tim të pushkatuar, tani ishte gjithë mirësjellje për të më shërbyer. E njëjta zyrë dhe unë sërisht përballë tij. Për një çast m’u kujtua Ladi, fëmijëria ime. Sytë e mi fshehën lotët dhe si gjëmba u ngulën në sytë e tij të habitur ! “A keni ndonjë të pushkatuar”- e pyeta. Vështrimi im sfidues, mund të shponte edhe muret prej beton-armeje të godinës, e jo më sytë e plogët të Harillës.  “Vërtet s’më mban mend?”- e pyeta. Harillës i’u skuqën faqet, ndërsa kombi në grykë i tundej si lavjerës ore sa lartë- poshtë.  Por, në atë kohë, Eqeremi, kryetari i Degës Ushtarake hyri në zyrë dhe më përqafoi. Pasi mbarova punën e shokut tim,  para hyrjes së Degës rrinte si ushtar i bindur Harilla. Jo si dikur,  me vështrimin e tij zhbirues. “Më fal”- më tha. Unë isha një ushtar i bindur i sistemit. Sytë e tij gati të mbushur me lotë më sollën në mendje nëpunësin e Çehovit që kish teshtirë në supin e eprorit të tij. “Largohu prej meje ti vemje e së kaluarës”- i thashë. “Nuk kam ndërmend të hakmerrem me ty”.

Dokumenti i Ushtrise

***

Ishte Gushti ‘94-ës. I kisha dhënë fjalën e burrit nënës time, se eshtrat e vëllait të saj, do t’i gjeja. Ato meritonin një varr. Pas shumë peripecive, gjeta një dëshmimtar të vlefshëm. Ai kish qenë shoku i tij i ushtrisë që qe i detyruar të shkrepte mbi dajon tim Pavlin një breshëri automatiku. “Amanet Nënën, mos ma prekni” dhe sytë e Pavlit të zgurdulluar nga frika para skuadrës së pushkatimit, e përndiqnin shpirtin e egzekutorit që nuk gjente paqe. Bashkë me ekzekutorin e tij u nisëm drejt Korçës. Por, pikërisht te vendi i ekzekutimit të Pavlit tashmë qe ndërtuar një kompleks pallatesh. Nëna ime, që tani nuk kishte frikë të qante, nxorri nga gjiri një shami të tij që fshehur e ruante prej vitesh. Grisi një copë prej saj dhe një tufë trëndafilash lidhi. I hodhi në erë, si batareja e krismave që i mori jetën. Ky ishte Pavli 19-vjeçar, i riu që nuk mund të kishte një varr! Rregjimi të dënonte edhe pas vdekjes. Në varrin bosh që nëna hapi për eshtrat e tij, unë mbolla një rrënjë ulliri.

Toronto, Qershor 2020.

Shto Koment