Aktualitet

3 vrasje dhe 5 viktima brenda 24 orëve/ Tru në erë, krim në familje dhe një i vdekur në kanal

Vetëm mëngjesin e një dite më parë u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Besnik Hida. Rreth orës 14:33 të pasdites Sali Dakuçi i mori jetën vëllait të tij, Kujtim Dakuci dhe nipit 19-vjeçar, Flogert Dakucit. Më pas autori i krimit të dyfishtë qëlloi edhe veten me armë zjarri duke shënuar tre viktima në Klos. Ditën e sotme, në orën 16:15 është qëlluar për vdekje 34 vjeçari Eri Zefi. Vrasja ka ndodhur në fshatin Zall-Xhuxhë të Mirditës.
Featured image of article: 3 vrasje dhe 5 viktima brenda 24 orëve/ Tru në erë, krim në familje dhe një i vdekur në kanal Tre vrasjet e rënda
Përditësuar:

SHQIPËRI– Tre vrasje kanë ndodhur brenda 24 orëve duke e përgjakur muajin tetor . Vetëm mëngjesin e një dite më parë u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Besnik Hida, daja e Zamir Latifit, të vrarit gjatë ngjarjes së quajtur si ‘masakra e Lushnjes’. Teksa po pinte kafe, gjysmë ore pasi kishte takuar të atin e nipit të tij të ndjerë, Fatos Latifin, Hida u vra në një distancë mjaft të afërt nga dy persona të maskuar. Një pjesë truri iu gjet 20 metra larg krimit dhe pas mbeti currili i gjakut që lau katin e dytë të lokalit dhe kulloi deri poshtë.

Vrasja dyshohet se është kryer nga e njëjta dorë që akuzohet për masakrën e Lushnjës, ku më 11 shtator 2017, u ekzekutuan Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi nga Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Burime për Dosja.al bënë me dije se ekzekutimi i 40-vjeçarit Hida dyshohet të jetë kryer nga ky grup, i cili njihet si grupi rival i bandës së të fortit të Lushnjes, Aldo Bare. 24 orë pas vrasjes, ende asnjë i arrestuar. Policia njoftoi sot vetëm se ka sekuestruar pasurinë e Julian Sulos, i njohur ndryshe si Juli i Pashakos, rival i Aldo Bares.

Vrasja në Klos, për një gardh u shuan burrat e një familjeje

Por pa u mbyllur dita e djeshme, rreth orës 14:33 të pasdites Sali Dakuçi i mori jetën vëllait të tij, Kujtim Dakuci dhe nipit 19-vjeçar, Flogert Dakucit. Më pas autori i krimit të dyfishtë qëlloi edhe veten me armë zjarri duke shënuar tre viktima në Klos. Ngjarja e rëndë erdhi pas një sherri në familje për gardhin që do të ndante 20 cm tokë. Dy vëllezërit Sali dhe Kujtim Dakuci kishin 6 vite që nuk flisnin me njëri-tjetrin, ku mollë sherri mes tyre ishte bërë një gardh.

Sherre mes dy vëllezërve kishte pasur edhe 9 vite më parë, kur pas një debati për pulat, autori i krimit të djeshëm kishte goditur nusen e vëllait, njërit prej viktimave, Minushe Dakucin. Sherri për pulat i ka çuar në gjyq dy vëllezërit, por tensioni mes dy familjeve një ditë më parë arriti kulmin, kur Sali Dakuci rrëmbeu armën, vrau vëllain, nipin dhe më pas veten.

Ngjarjet e rënda nuk mbarojnë me kaq…

Pas dy vrasjeve me katër viktima, vjen e pesta. Ditën e sotme, në orën 16:15 është qëlluar për vdekje 34 vjeçari Eri Zefi. Vrasja ka ndodhur në fshatin Zall-Xhuxhë të Mirditës.

Zefi është gjetur i mbuluar në gjak dhe i hedhur në një kanal nga banorët e zonës, ndërkohë që ende nuk ka një pistë hetimi. 24 orët e fundit janë mbyllur me tre vrasje që kanë shënuar pesë viktima njëra pas tjetrës. Ende nuk ka asnjë të arrestuar për këto ngjarje të rënda, apo edhe reagim nga Policia e Shtetit, lidhur me sigurinë, masat e marra, dhe me kontrollet për armët e zjarrit që qarkullojnë pa leje nga Instagrami në rrugë.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment