Sport

Trajneri Dede: “Ne jemi Tirona dhe ritmin do e diktojmë ne”

“Në momentin që do t’i kemi të gjithë, mendoj se Tirana do të bëhet e papërmbajtshme. Deri sa të vijë ajo ditë, ne do mundohemi të marrim maksimumin me grupin që kemi”
Featured image of article: Trajneri Dede: “Ne jemi Tirona dhe ritmin do e diktojmë ne”
Përditësuar:

TIRANE – Nevil Dede doli në konferencë për shtyp mesditën e kësaj të shtune për të analizuar sfidën që Tirana do të luajë të dielën në orën 13:45 ndaj Kastriotit në Kamëz për javën e 5-të të Superiores, ndeshje në të cilën do të kërkojë fitoren e parë në stolin e bardhebluve. Dede preku shumë tema, ndërsa u ndal pak edhe te derbi.

ÇFARË NUK SHKON? “Është e vërtetë që nuk kemi marrë tre pikët në disa ndeshje. Situata për mua është e mirë, pavarësisht se kemi pasur probleme me disa lojtarë. Jemi përpjekur t’i rikuperojmë sa më shpejt të jetë e mundur. Emrat nuk është rasti t’i përmend, ju i dini. Më e rëndësishmja për mua është që kjo skuadër ka bërë mirë në ndeshjet që i kam drejtuar dhe stërvitur. Jemi munduar të bëjmë mirë, kemi sulmuar shumë dhe kemi krijuar raste për shënim”.

KASTRIOTI? “Janë një skuadër më shumë se simpatike, kanë elementë me eksperiencë brenda. Bëhet fjalë për një ekip pragmatist. Duhet të bëjmë ndeshjen tonë dhe të mundohemi të marrim maksimumin. Objektivin e kemi të qartë, Tirana kudo shkon me synimin për të fituar. Natyrisht ndikojnë edhe faktorë të tjerë. Nuk dua të them fati, pasi fatin e bën njeriu dhe atë që do japësh, atë mund të marrësh. Është bukur të mendosh që Kastrioti nuk ka humbur asnjë nga katër ndeshjet dhe ne jemi me gjysmën e pikëve. Kjo tregon se do përballemi me një skuadër të fortë, që do të na sulmojë. Në fund të fundit ne jemi Tirona, do e zhvillojmë ne ndeshjen dhe ritmin do e diktojmë ne”.

MUNGESA E FITORES? “Është e rëndësishme të na kthehen të gjithë lojtarët. Në momentin që do t’i kemi të gjithë, unë mendoj se Tirana do të bëhet e papërmbajtshme. Deri sa të vijë ajo ditë ne do mundohemi të marrim maksimumin me grupin që kemi. Mos të harrojmë që nuk jemi në situatë të vështirë vetëm ne, por e gjithë bota dhe sidomos futbolli. Vështirësitë janë të mëdha në pandemi. Mungojnë tifozët, që për Tiranën kanë shumë rëndësi dhe janë një forcë e madhe për klubin dhe skuadrën. Mungesa e tyre lë një boshllëk të madh, por duhet të presim. Objektivat madhore nuk kanë afatshkurtra, por afatgjatë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

TË DËMTUARIT? “Batha është mirë, po rritet nga ndeshja në ndeshje. Ai është lideri dhe kapiteni i skuadrës. Besoj se është mundur që të japë diçka më shumë se ç’mund të japë në këto moment. Kam mbetur i kënaqur në dy ndeshjet e para, me shpirtin dhe agresivitetin që përcolli te një pjesë e lojtarëve. Najdovksi ka disa probleme, do e shohim pas seancës se çfarë do të bëjmë. Çelhaka shpresojmë të nisë të stërvitet javën e ardhshme me grupin, sepse është një element i rëndësishëm i klubit. Gjithsesi duhet ta them që edhe me elementët që kemi po punojmë mirë. Ata po luajnë mirë, po japin maksimumin dhe shumë shpejt do e shijojnë edhe fitoren e parë”.

DERBI? “Të jem i sinqertë, jo vetëm unë por çdo njeri mendon për derbin, por unë shoh ndeshjen e radhës. Përballë kemi një skuadër që është e etur, ka dëshira të mëdha dhe entuziazëm. Duhet ta përjetojmë këtë ndeshje, ta luajmë mire dhe në fund fare pasi të mbarojmë atëherë themi me plot gojën që do të shohim derbin me Partizanin. Për momentin lojtarët duhet ta harrojnë dhe të mendojnë vetëm ndeshjen e radhës. Nuk është thirrje, por mendimi i një njeriu që ka luajtur shumë në kampionatin shqiptar dhe e di se si përjetohen këto ndeshje”.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment