Sport

Trajner i panjohur? Ju nuk dini asgjë për strategun e ri të Barcelonës!

Ky trajner pasues i Valverdes mund të konsiderohet një burim i pashtershëm idesh dhe energjish për futboll të mirë
Featured image of article: Trajner i panjohur? Ju nuk dini asgjë për strategun e ri të Barcelonës!

Pas fitores drithëruese 4-3 të Real Betisit kundër Barcelonës në nëntor 2018, mesfushori Sergio Busquets i dha fanellën e tij trajnerit rival të asaj kohe, Quique Setien, ku shkruhej: “Për Quique, me vlerësim dhe admirim për mënyrën se si e sheh futbollin”.

Ajo është humbja e vetme e katalanasve në shtëpi që nga shtatori 2016 dhe kjo jo thjesht për mbrojtjen fantastike të Real Betisit, por sidomos për planin strategjik që ajo skuadër kishte në sulm. Fiks ajo ndeshje ka mjaftuar që presidenti Josep Maria Bartomeu para pak ditësh të mendonte për këtë trajner, meqë Ernesto Valverde po programohej për t’u larguar.

“As në ëndrrat më të pabesueshme nuk e kam imagjinuar këtë që po më ndodh”, u shpreh Setien në konferencën e tij të parë për shtyp si trajner i Barcelonës. “Dje po ecja pas lopëve në fshatin tim dhe sot jam te Barcelona, duke drejtuar lojtarët më të mirë në botë”, shtoi ai me përulësi.

Nëse keni menduar se drejtuesit blaugrana janë nxituar duke vendosur këtë trajner në krye të skuadrës, gaboheni. Setien është i fiksuar pas disiplinës së trashëguar nga Johan Cruyff, trajneri legjendar, i cili i dha Barcelonës një identitet në futboll. Nëse holandezi ishte enciklopedia e futbollit katalanas, ky trajner pasues i Valverdes mund të konsiderohet një burim i pashtershëm idesh dhe energjish për futboll të mirë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ndoshta nuk e mbani mend, por Setien ka edhe dy fitore ndaj Real Madridit. Ai u bë trajneri i parë që nga viti 2003, i cili fitoi në transfertë edhe kundër Barcelonës, edhe kundër “Los Blancos” (në të njëjtin sezon).

Edhe pse Valverde ka patur mjaft sukses në “Camp Nou”, Setien është një njeri më frymëzues për tifozët katalanas. Ata kërkojnë futboll sulmues dhe jo pragmatizmin e Valverdes. Tradita e Barcelonës, por edhe ambicia e saj, ka qenë gjithmonë loja sulmuese. Prandaj duhet Setien.

Nuk është sekret që zgjedhjet e para të Barcelonës ishin Xavi Hernandez, Mauricio Pochettino, Ronald Koeman dhe Massimiliano Allegri, por është e qartë se Leo Messi me shokë janë në duar të sigurta.

M.P. / Dosja.al

Shto Koment