Rajoni

Tragjedia në Shkup/ Flasin dy mjekët që operuan të plagosurit: Momenti më i vështirë në jetë, i kemi borxh Tiranës

Heronjtë e tragjedisë së 13 shkurtit, kirugët Ridvan Bajrami dhe Ilir Hasani në një intervistë për dosja.al tregojnë se si ia dolën që të ndihmojnë 31 të plagosur nga aksidenti i ndodhur në aksin Shkup-Tetovë.
Featured image of article: Tragjedia në Shkup/ Flasin dy mjekët që operuan të plagosurit: Momenti më i vështirë në jetë, i kemi borxh Tiranës Kirurgët shqiptarë, Ridvan Bajrami dhe Ilir Hasani

MAQEDONI- 15 persona humbën jetën dhe dhjetra të tjerë mbetën të plagosur pas një aksidenti të ndodhur në aksin Shkup-Tetovë. Por si çdo ngjarje e keqe, pas saj fshihen edhe heronj. (Lexo këtu)

Bëhet fjalë për kirurgët shqiptarë të spitalit “8 shtatori”, të cilët u kthyen në heronj të ditës në Shkup.

Dosja.al ka kontaktuar me dy prej tyre, të cilët treguan me detaje tragjedinë e 13 shkurtit. Gjatë intervistës së tyre ata flasin lidhur mbi faktin që gjatë orëve “të tmerrit” pacientët nuk i kishin shënuar me emra por me numra pasi ata nuk mbanin mend asgjë prej traumës së pësuar.

Kirurgu në spitalin e Shkupit, Ridvan Bajrami tregoi mbi mbërritjen e shumicës të të lëndurave në spital, të cilët ishin vendosur mbi një rimorkio. Ndër të tjera kirurgu ka zbuluar se një prej të plagosurve është edhe një shqiptarë nga Tirana, gjendja e të cilit është e rëndë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ishte ora 5 e pasdites kur u informova për aksidentin. Ndodheshim në spital dhe 15 minuta pas njoftimit erdhi urgjenca me 37 të lënduar. Konstatuam 31 të plagosur dhe 6 prej tyre të vdekur. U pranuan 31 të lënduar në gjendje politraumatike. Brenda një kohe rekord kemi bërë shtrimin dhe stafi u mobilizua. Ne ishim spitali më i afërt me vendin ku ndodhi ngjarja. Gjithë nata ishte e rëndë dhe për mbi 30 orë nuk kemi dalë nga spitali. Momenti më i vështirë, kur një rimorkio erdhën 6 të plagosur… Nuk ishin mallra por njerëz dhe mendoja sesi do t’i trajtonim të gjithë në të njëjtën kohë. U mobilizuam dhe bëmë më të mirën për të gjithë të plagosurit. Një prej tyre është nga Tirana, gjendja e tij është e rëndë. I kam borxh Tiranës, është vendi ku jam diplomuar. S’menduam për asnjë moment për nacionalitet…”

Ndryshe nga kolegu i tij, Drejtori i Qendrës Spitalore në Shkup, Ilir Hasani ishte duke kryer një operacion në momentin kur ndodhi aksidenti automobilistrik duke rrëfyer se kurrë nuk e kishte menduar që përmasat mund të ishin aq të mëdha.

Sipas Hasanit, mund që të rritet numri i viktimave nga aksidenti pasi tre prej të aksidentuarve janë në gjendje shumë të rëndë për jetën.

Isha në operacion kur më njoftoi anestezisti se kishte ndodhur një aksident automobilistik. Në fillim nuk e menduam se do të ishte e tillë gjendja pasi nuk kishim informacion. Ndërpreva intervenimin dhe morëm vesh për viktimat dhe të plagosurit. Përgatitëm sallat e operacionit, nuk është parë kurrë këtu një tragjedi e të tilla përmasave, që prej ‘91 mesa mbaj mend. Nuk kishte kohë duhet të ndëhyrnim pa e ditur gjendjen e tyre, se kush ishte më rëndë dhe më në pak rrezik. Momenti më i vështirë, i pari kur ishim në ankthin e pritjes së të plagosurve dhe momenti i ndëhyrjeve. Nuk do e harroj kurrë, asnjëherë në karrierën time nuk isha përballur me një situatë të tillë. Ka patur solidarizim nga mjekë nga Shqipëria, Mal i Zi dhe Kosova. Ata donin të vinin të na ndihmonin. Nuk i kemi parë pacientët nga nacionalitetet, i kemi shënuar jo me emra, as me moshë, por veç me numra pasi shumica e tyre nuk mbanin mend për shkak të traumës. E keqja nuk ka kaluar, 3 prej tyre në gjendje shumë të rëndë për jetën. Të gjithë na përshëndesin pas asaj që ndodhi, janë të pafunda thirrjet, sms, dhe qytetarët që na ndalojnë dhe na ftojnë nëpër lokalet dhe restorantet e tyre,”-tha Hasani për dosja.al.

Një Koment në “Tragjedia në Shkup/ Flasin dy mjekët që operuan të plagosurit: Momenti më i vështirë në jetë, i kemi borxh Tiranës

  1. Shume emocionuese. Jemi nje. Ajo qe keni bere eshte tejet e cmuar

Shto Koment