Editorial

Torasa: “Nuk jemi favoritë, Laçi dhe Teuta janë përforcuar shumë”

“Ky bojkot po bëhet për një kauzë të drejtë. Është një kauzë që do të shpëtojë njëherë e mirë sportin në Shqipëri. Të gjithë jemi pjesë e kësaj kauze që për mua është e drejtë”
Featured image of article: Torasa: “Nuk jemi favoritë, Laçi dhe Teuta janë përforcuar shumë”
Përditësuar:

TIRANE – Mesfushori argjentinas, Agustin Torasa pranon se skuadra e tij nuk niset si favorite në këtë kampionat, paçka se Tirana luan gjithmonë për titull. Sipas tij bardheblutë nuk janë si grupi i vjetshëm dhe të rinjtë duan kohën e tyre për t’u përshtatur. Argjentinasi Torasa ka folur për bojkotin për gjendjen e skuadrave të tjera, duke mos harruar t’i bëjë apel brazilianit Kale, që të rikthehet sa më shpejt pranë skuadrës pasi ai ka mbetur vetëm në shoqëri.

Torasa, ka më shumë se dy muaj që në Shqipëri nuk luhet futboll. Keni një mendim për këtë çështje?
Në fakt, ka shumë kohë që nuk po luhet futboll. Është një fakt që na mërzit, sepse jemi mësuar me fushën dhe pas pandemisë kjo është goditja e dytë që merr futbolli. Ne jemi të mërzitur për faktin që nuk po luhet futboll. Gjithsesi, ky bojkot, kjo ndërprerje e sforcuar po bëhet për një kauzë të drejtë. Po sakrifikohemi në të mirë të futbollit. Është një kauzë që do të shpëtojë njëherë e mirë sportin në Shqipëri. Tani të gjithë jemi pjesë e kësaj kauze që për mua është e drejtë. Të tjerat mund të rregullohen rrugës. Gjithsesi, e mira është që të fillojmë sa më shpejt me ndeshjen e parë.

A ka pasur ndikim te skuadra juaj dhe te lojtarët qëndrimi kaq kohë pa ndeshje kampionati?
Ky fakt ka të mirat dhe të këqijat e tij. Nëse nuk luan, nuk arrin dot formën optimale. Nuk e di ku je, por nga ana tjetër ka edhe të mirat. Shumë skuadra përfituan nga kjo ndalesë dhe arritën të rregullonin mangësitë që kishin. Në të njëjtën situatë ishim dhe ne. Kishim shumë të dëmtuar, shumë lojtarë të rinj që sapo i ishin bashkuar grupit. Në këtë plan skuadrat përfituan, por kjo është një gjendje që nuk duhet të vazhdojë në pafundësi, sepse më pas ndikon në gjendjen e lojtarit që paçka se luan miqësore, sërish nuk mund të jetë në formë nëse nuk luan ndeshjet zyrtare.

Meqë dolëm te miqësoret, si e shihni Tiranën këto javë që po luani sfida miqësore me skuadra të ndryshme?
Tirana e këtij sezoni është një miks mes lojtarëve të sezonit të shkuar dhe të rinjve. Ne të vjetrit, nëse duam ta themi kështu, do të mundohemi që të rriten të rinjtë. Kanë talent, por u duhen minuta dhe punë që të jenë gati për Superioren. Shkurt, skuadra jonë është një miks mes të rinjve dhe atyre me eksperiencë. Presim të bëjmë mirë, të arrijmë rezultate të rëndësishme dhe në fund klubi të fitojë të tjerë lojtarë për të ardhmen. Sigurisht, janë larguar disa futbollistë, por kanë ardhur të tjerë. Të gjithë duan kohën e tyre që të përshtaten në një skuadër të re.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Tirana u mund në miqësoren e fundit me Laçin. Si e shihni ekipin në këtë sezon dhe cilët janë kundërshtarët për titull?
Të them të vërtetën, miksimi që kemi në skuadër është i mirë. Ka edhe dy skuadra të tjera që kanë ndërtuar ekip të fortë. E kam fjalën për Laçin dhe Teutën që kanë afruar lojtarë të mirë dhe pretendojnë shumë. Në këndvështrimin tim, ne nuk e nisim si favoritë këtë kampionat, paçka se jemi kampionët e Shqipërisë. Sigurisht, ne jemi Tirana dhe në çdo kampionat luajmë për ta fituar, por ka skuadra të tjera favorite. Ne do ta luftojmë deri në fund titullin dhe nuk trembemi nëse jemi apo nuk jemi favoritë dhe çfarë lojtarësh ka ekipi. Kështu ishte edhe vjet dhe ia dolëm, por e përsëris, nuk nisemi si favoritë.

Shoh që keni mbetur vetëm…
Kaleja është miku im më i mirë. U operua. I uroj më të mirat që dëshiron dhe të kthehet sa më shpejt në skuadër. Sapo është operuar. Ndien pak dhimbje, por uroj që të kthehet sa më shpejt në ekip, për më tepër që kam mbetur vetëm. E kam shokun më të mirë. Jam i bindur se do të kthehet më i fortë se më parë. Ai është një nga ata që kur është në fushën e lojës, bën diferencën”, është shprehur mesfushori Torasa në një intervistë për “Panorama Sport”.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment