Politike

‘Tonelata ushqime në këmbim të votës’, Golemi i përgjigjet Tavos: Ndihmat kanë ardhur nga Gjermania!

Golemi shkruan se Tavo ka kohë që e ka humbur qetësinë, dhe në fakt ndihmat janë dhënë nga një kompani me qendër në Gjermani, për t'iu dërguar familjeve në nevojë.
Featured image of article: ‘Tonelata ushqime në këmbim të votës’, Golemi i përgjigjet Tavos: Ndihmat kanë ardhur nga Gjermania! Vangjel Tavo, Flamur Golemi

GJIROKASTËR– Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi i është përgjigjur akuzave të kandidatit për deputet nga radhët e LSI-së Vangjel Tavo. Ky i fundit denoncoi mëngjesin e sotëm se në këtë qytet po shpërndahen ndihma ushqimore, kundrejt blerjes së votave.

Golemi shkruan se Tavo ka kohë që e ka humbur qetësinë, dhe në fakt ndihmat janë dhënë nga një kompani me qendër në Gjermani, për t’iu dërguar familjeve në nevojë.

POSTIMI:

Që Vangjel Tavo ka disa kohë që e ka humbur qetësinë dhe e ka shfrenuar fantazinë me skenarët imagjinarë të blerjes së votave, ky nuk është më lajm. Sillet kështu sepse e pret humbja e sigurt më 25 prill. Kulmi i reagimeve dhe denoncimeve të tij qesharake me siguri që nuk është sot sepse do të ketë të tjera në vijim duke e ditur që s’ka më asnjë shans për t’i hedhur hi syve të njerëzve.

Por në respekt të qytetarëve të Gjirokastrës, po shpjegoj këtë “mega skandalin” e Vangjel Tavos. Bashkia Gjirokastër ka marrë një donacion me ndihma ushqimore nga kompania “Kelmendi” në Gjermani, me përfaqësues z.Morin Radoniqi, të cilin gjej sërish rastin ta falenderoj, që njësoj si vjet gjatë pandemisë na është gjendur pranë për familjet në nevojë.

Ndihmat ushqimore kanë ardhur në Gjirokastër disa ditë më parë konform gjithë procedurave përkatëse dhe janë vendosur përkohësisht në ambientet e Drejtorisë së Shërbimit Zjarrfikës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Nga e njëjta kompani ne kemi marrë ndihma për familjet në nevojë edhe një vit më parë gjatë karantinës. Është një donacion bujar që ne e vlerësojmë shumë dhe e mirëpresim sepse çdo kontribut për familjet në nevojë është i rëndësishëm.

Lidhja e këtyre ndihmave me zgjedhjet është imagjinatë e Vangjel Tavos, për ne është proces rutinë që e kemi bërë vjet gjatë karantinës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë sa herë te kemi mundësi për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Është e thjeshtë, Tavo që akuzon për gjëra të tilla, i ka bërë vetë këto marifete dhe Gjirokastra e di mirë gjithçka. Për t’i shkuar transparencës deri në fund, po publikoj edhe korrespondencën me kompaninë “Kelmendi”, dokumentacionin shoqërues të ndihmave, magazinimin e tyre dhe një takim falenderues që unë pata me përfaqësuesin e kompanisë.

Vangjel Tavo flet për “mega skandal”, njësoj si të thuash “hajduti thërret, kapeni hajdutin”

(a.b)/dosja.al

Shto Koment