Sport

Titull pa zhurmë i Tiranës, policia nuk lejon tifozët jashtë stadiumit, bllokon dhe disa segmente rrugore

Me përfundimin e ndeshjes do të bëhet edhe ceremonia e dhënies së trofeut.Lojtarë,staf dhe presidencë do të ngrejnë lart titullin e 25-të në histori
Featured image of article: Titull pa zhurmë i Tiranës, policia nuk lejon tifozët jashtë stadiumit, bllokon dhe disa segmente rrugore Foto nga ndeshja Tirana-Partizani

TIRANË-Pas 11 muajsh ky sezon i Kategorisë Superiore do të ulë siparin mbrëmjen e sotme, ditë në të cilën do të luhen 5 sfidat e raundit të 36-të që është edhe i fundit për edicionin 2019-2020. E mërkura do të jetë dita e festës së madhe për Tiranën që në kryeqytet në stadiumin e ri Air Albania do të ngrejë lart titullin kampion në ndeshjen ndaj Bylisit, në një sfidë ku rezultati që do të prodhojë fusha e lojës ka shumë pak rëndësi.

Ky takim do të luhet në një orar disi të veçantë 19:00, pra do të nisë nën dritën e diellit dhe do të përfundojë me ndriçimin e prozhektorëve. Me përfundimin e ndeshjes do të bëhet edhe ceremonia e dhënies së trofeut.Lojtarë,staf dhe presidencë do të ngrejnë lart titullin e 25-të në histori.

Policia e shtetit do të monitorojë perimetrin e stadiumit, në mënyrë që të evitojë grumbullimin e tifozëve si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË

Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Bylis, që do zhvillohet më datë 29.07.2020, në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.

Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë janë marrë  një sërë masash teknike dhe organizative në një zonë më të gjerë se perimetri i stadiumit, me qëllim sigurimin e rendit dhe të sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit, duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara informojmë qytetarët e Tiranës se:

 

  • Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”.

 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al
  • Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

 

Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek  stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

E.Ç (Dosja.al)

 

Shto Koment