
KOSOVË– Askush nuk mund t’i vizitojë fizikisht në paraburgimin e Hagës ish-krerët e UÇK-së që po akuzohen nga Gjykata Speciale. Në një prononcim për GazetaEkspress, Specialja ka treguar se si po ua kompenson të akuzuarve mungesën e vizitave nga familjarët dhe të afërmit.
Sipas Speciales, vizitat janë të ndaluara për shkak të masave të ndërmarra në kuadër të mbrojtjes nga Covid-19, por që të burgosurit bisedojnë me familjarët e tyre përmes video-telefonatave.
“Në përgjithësi, vizitat personale në institucionin e paraburgimit aktualisht nuk janë të mundshme për shkak të masave në lidhje me COVID-19. Në vend të kësaj, për të lehtësuar kontaktin e rregullt me familjen dhe të dashurit, DHSK lehtëson takimet përmes lidhjeve video dhe paguan për një numër të arsyeshëm të thirrjeve telefonike për të arrestuarit,”- tha zëdhënësja e Speciales, Angela Griep.
Përsa u përket akuzave që dy ish-krerët e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi bënë në lidhje me trajtimin nga stafi i vendit ku ndodhen, Specialja mohoi gjithçka. Gjykata Speciale e arsyetoi sjelljen e pjesëtarëve të sigurisë së këtij institucioni në raport me dy ish-krerët e UÇK-së, duke thënë se ata ndjekin standardet më të larta ndërkombëtare për trajtimin e të paraburgosurve.
“Dhomat e Specializuara zbatojnë dhe mbështeten në standardet më të larta ndërkombëtare në institucionin e paraburgimit, si dhe gjatë transportit nga institucioni i paraburgimit në sallën e gjyqit dhe anasjelltas. Një varg masash mbrojtëse janë vendosur për këtë qëllim, përfshirë mbikëqyrjen e brendshme dhe të jashtme nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Avokati i Popullit i Dhomave të Sepcializuara. Për më tepër, në çdo kohë mbrojtësi i një të akuzuari ka të drejtë të paraqesë parashtrime për t’u ankuar në lidhje me arrestimin ose ndalimin,”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.
Avokati i Thaçit konkretisht akuzoi publikisht Specialen për trajtimin e klientit të tij, teksa shtoi se i vinte zor kur e ka parë me pranga. Ndërsa Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli nuk janë ankuar për mënyrën e trajtimit.
(f.m/dosja.al)