Dikur

“Teodor Laço; një producent zviceran na kërkoi me qira atelietë për 500 mijë dollarë…”?!/ Debati i Ramiz Alisë me drejtuesit e Kinostudios më 1990-ën

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990.
Featured image of article: “Teodor Laço; një producent zviceran na kërkoi me qira atelietë për 500 mijë dollarë…”?!/ Debati i Ramiz Alisë me drejtuesit e Kinostudios më 1990-ën Ramiz Alia

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që i përkasin vitit 1990, ku ndodhet një proces – verbal i mbledhjes së sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, e cila si pikë kryesore të rendit të ditës, kishte “mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike” dhe në atë mbledhje e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari I Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, përveç sekretarëve të Komitetit Qendror si: Foto Çami, Hekuran Isai dhe Lenka Çuko, merrnin pjesë edhe disa prej funksionarëve më të lartë të udhëheqjes partiake e shtetërore të asaj kohe, si: Spiro Dede, Abdyl Backa, Ali Vukatana, Sotir Koçollari, Alfred Uçi, Dritëro Agolli, Lisen Bashkurti, Skënder Gjinushi, Neritan Babamusta, Dhimitër Shandro, Marash Hajati etj. Proces-verbali i plotë i zhvilimit të mbledhjes me bisedat e diskutimet në mes Ramiz Alisë e udhehqjes së lartë partiake e shtetërore të asaj kohe, me drejtuesit kryesorë nga sektori i krijimtarisë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, si: Teodor Laço, Dhimitër Anagnosti e Nexhati Tafa, të cilët u ndalën gjatë në problemet e kinematografisë shqiptare.

“Të dy rrugët duket se janë racionale dhe me dobi. Janë të domosdoshme dhe studimet e plota, p.sh. studentët e degës së regjisë në Institutin e Lartë të Arteve, mund të studiojnë për regjisorë pasi të kenë mbaruar 3-4 vjet shkollë. Në përgjithësi dhe në vendet e tjera të botës, regjisorët përgatiten pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Studimet për regjisurë janë për ta një shkollë e dytë. Madje në mjaft raste ata që përgatiten për regjisurë, nuk shkojnë nga fakultetet e dramës apo të regjisë, por nga fakultetet e tjera, sidomos nga ai i letërsisë. Këtë deri më sot nuk e kemi praktikuar, por me ato të regjisorit, sepse në kohën e tanishme zakonisht regjisori i filmit është dhe autor ose bashkautor i skenarit. Kjo do të ishte njëra rrugë e përgatitjes së plotë profesionale. Rruga e dytë është që kuadrot që kemi, t’i përgatisim me kurse pasuniversitare me periudhë të shkurtër 1 vjeçare për regjisurë. Përshëmbull, ne këtë vit mbyllëm me sukses një kurs pasuniversitar me 4 studentë të regjisurës, të cilët realizuan dy filma të mirë. Për t’u përgatitur në rrugën e parë kemi dërguar një student në Francë që do të studiojë 4 vjet regji. Megjithatë ai është një i vetëm dhe për mendimin tim, duke parë kërkesat që ka sot Kinostudioja, është shumë pak….!”

Kështu u shpreh mes të tjerash në fjalën e tij në një nga mbledhjet e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së të vitit 1990, Teodor Laço, asokohe shef i redaksisë së skenarëve në Kinostudion “Shqipëria e Re”, mbledhje me temë “Mbi disa çështje të krijimtarisë së sotme kinematografike”, e cila drejtohej nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Ramiz Alia, ku përveç sekretarëve të tjerë të Komitetit Qendror, si Foto Çami, Lenka Çuko dhe Hekuran Isai, ishin të pranishëm edhe pjesa më e madhe e udhëhqjes së lartë partiake e shtetërore e asaj kohe që kishin lidhje direkte apo indirekt me artin e kulturën. Për më shumë se çfarë është diskutuar në atë mbledhje ku përveç Teodor Laços, nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, merrnin pjesë dhe regjisori Dhimitër Anagnosti e skenaristi, Nexhati Tafa, na njeh dokumenti në fjalë me proces-verbalin e asaj mbledhje, që Memorie.al e publikon të plotë dhe për herë të parë, duke filluar nga ky numër.

Vijon nga numri i kaluar

Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me kuadrot e sektorit të krijimtarisë së Kinostudios “Shqipëria e Re”

SHOKU RAMIZ ALIA: Nga sa i keni shitur ato?!

SHOKU TEODOR LAÇO: Shitja e tyre bëhet në bazë të kohëzgjatjes së minutazhit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Shiten vetëm si minutazh apo edhe nëpërmjet sallave kinematografike?!

SHOKU ALFRED UÇI: Filmat me minutazh i kemi shitur kryesisht nëpër qendrat televizive.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ato që fitoni nga shitja e këtyre filmave, le të përdoren për hapjen e stendave në panaire.

SHOKU ALFRED UÇI: Këtë vit, kemi siguruar fonde për hapjen e stendës në panairin e Milanos.

SHOKU RAMIZ ALIA: Më duket se paskeni zgjedhur një kinematografi nazike pasi italianët, janë mendje mëdhenj në këtë drejtim.

SHOKU TEODOR LAÇO: Në Milano, zhvillohet një panair ndërkombëtar filmi si ai i Kanës. Unë e kam parë këtë panair, dhe atje nuk vijnë vetëm kineastë por edhe tregtarë nga e gjithë bota. Çdo shtet, mund të japi stendën e vet sipas mundësive ekonomike që ka. Jam interesuar dhe pashë stendat e vendeve të vogla. P.sh., bisedova me bullgarët, dhe me disa përfaqësues të kinematografisë nga vende të tjera. Mendoj që atje, edhe ne mund ta hapim një stendë, por duhet paguar qeraja e saj, një qera për të marrë videokasetën dhe për të hedhur filmat në video. Duhen përgatitur edhe më mirë mjetet ilustrative si reklamat e filmit, pllakat e figuracionet që vendet e tjera i kanë të një niveli më të lartë. Mendoj se prodhimi i tyre nuk është i vështirë. Për mundësinë e sigurimit të fondeve, mendoj se një rrugë efektive është ajo e sigurimit të ofertave. Për shembull, ne kemi një atelje shumë të mire me dimensione shumë të mëdha. Kemi pasur një ofertë nga zvicerianët që mund ta lironin atë me qera për ndonjë muaj që ta përdornin për film. Kështu mund të merrnim një shumë parash. Megjithatë ende nuk është konkluduar për këtë çështje por edhe nuk kemi ndonjë orientim sesi të veprojmë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Pse çfarë orientimi ju duhet juve?!

SHOKU ALFRED UÇI: Këtë propozim na e bëri një zvicerian që ka qenë në vendin tone, pasi pa atelietë. Ai tha se është me leverdi për të bërë ndonjë film këtu. I thamë se jemi dakord dhe se presim ndonjë propozim konkret. Mirëpo deri tani nuk kemi bërë kërkesë zyrtare, megjithëse kanë kaluar disa muaj.

SHOKU TEODOR LAÇO: Po t’jua jepnim me qera për një muaj ateljenë, do të fitonim 500.000 dollarë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë tjetër kush do të diskutojë?!

SHOKU DHIMITER ANAGNOSTI: Desha të them disa mendime lidhur me problemin e lëndës së parë për prodhimin e filmave. Duke e parë këtë c’ështje si operator dhe si regjisor, por edhe veprimtaritë ndërkombëtare ku kam qenë, mendoj se është vërtetë e domosdoshme që filmi ynë të rritet nga ana cilësore. Filmi është art figurativ dhe përpos idesë së shëndoshë, ai duhet të ketë cilësi të lartë dhe në figuracion. Fatkeqësisht ne negativin e filmit, e marrim nga Gjermania Lindore pasi ne nuk prodhojmë dot filma sepse i kemi të cilësisë më të dobët. Nuk e di nëse ka ndonjë vend tjetër që ua blen atyre, lëndën e parë por ne marrim prej tyre vlerat më të këqija të filmit. Përveç kësaj gjithë teknika jonë e xhirimit, ka probleme të rëndësishme. Ka një kohë shumë të gjatë që ne nuk kemi marrë asnjë aparat xhirimi të ri, dhe tashmë ajo do shumë punë, kohë, e shpenzime, për tu rinovuar. Për rritjen cilësore të kinematografisë sonë, ka një rëndësi të madhe dhe energjia e brendshme e Kinostudios. Ende atje, punohet me një metodë e strukturë të vjetër që është transmetuar prej kohësh, që atëherë kur ne prodhonim 2-3 filma në vit. Kërkesa që shtrohet tani për të prodhuar 14 filma në vit, do një industri të madhe, një tjetër logjikë organizimi, mendimi ekonomik e shkencor mjaft dinamik. Sot në sheshin e xhirimit nuk derdhet e plotë gjithë energjia jonë e artit kinematografik. Për të organizuar më mirë këtë punë duhet një strukturë e re.

SHOKU RAMIA ALIA: Drejtorët e filmit i keni ekonomistë?!

SHOKU DHIMITER ANAGNOSTI: Drejtorët e filmit, janë ekonomistë, po jo të gjithë njerëzit që bëjnë pjesë në grupin e xhirimit janë të interesuar për filmin. Më i interesuari është krijuesi i filmit se ai bën veprën dhe dëshiron që kjo vepër të jetë sa më e mirë, kurse njerëzit e tjerë janë jashtë këtij interesi. Janë pothuajse të m’shehtë e inertë për atë që ndodh më tej se detyra e ngushtë e tyre. Shpesh afatet e përgatitjes së filmave zgjasin vetëm për shkak të indiferentizmit, për disa mungesa të parëndësishme, etj. Për të siguruar një interesim më të madh të të gjithëve për filmin, duhet të krijojmë një mundësi shpërblimi ekonomik që të shërbejë si stimul. Mendoj se kjo është një rezerve e madhe energjish që nuk shfrytëzohet. Çlirimin e kësaj energjie të brendshme të madhe, në këto situata e sheh si një moment shumë të rëndësishëm për rritjen e kërkesave cilësore. Ne duhet të paraqesim një rikonstruksion të posaçëm në bazë të një mendimi ekonomik shkencor.

SHOKU RAMIZ ALIA: Krijuesit të filmit si ti Dhimitër, a trajtohen si krijues nga pikëpamja e shpërblimit, kur përgatisin një film të ri apo paguhen si nënpunës?!

SHOKU DHIMITER ANAGNOSTI: Jo, unë marr një rrogë vetëm si nënpunës. Megjithatë unë nuk ankohem për këtë çështje, sepse nxitje për punë kam interesat e mia krijuese e artistike.

SHOKU RAMIA ALIA: Po skenaristi, a trajtohet si krijues?!

SHOKU DHIMITER ANAGNOSTI: Kur është punonjës i brendshëm i kinostudios, nuk trajtohet si krijues as skenaristi. Ndërsa skenaristët e jashtëm, paguhen në bazë të normave që janë vendosur për skenarët, maksimumi 2200 lekë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Edhe drejtori i filmit nuk besoj se merr ndonjë lloj shpërblimi…?

SHOKU DHIMITËR ANAGNOSTI: Jo, nuk merr shpërblim. Vetëm ndonjë prej tyre mund të marr ndonjë shpërblim në fund të vitit nga fondi i drejtorit, si të gjithë punonjësit e tjerë të dalluar në ndërmarrjet e tjera.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

SHOKU RAMIZ ALIA: Çfarë ideje kishe ti lidhur me këtë çështje?

SHOKU DHIMITËR ANAGNOSTI: Kam një ide tjetër. Shpesh ne i zgjasim afatet e prodhimit të filmave një apo dy muaj pas datës së planifikaur për dorëzim. Në këtë mënyrë rritet kostoja e filmit. Duket mënjanuar këto shpenzime që rritin koston, mund të nxirret një përqindje që si honorar i përhershëm i grupit të xhirimit, ndërsa një pjesë e saj të mbetet si fitim i shtetit. Kështu do të shtoheshin ritmet e punës dhe do të rritej cilësia. Në këtë mënyrë kushdo nga njerzit e prapavijës do të jenë të interesuar, si për skenarin dhe për filmin, për realizimin s amë shpejtë të tij.

SHOKU ALFRED UÇI: Nga diskutimet që janë bërë për këtë qëllim, ka dalë propozimi që 40 % e kursimeve të mundshme gjatë përgatitjes së shkurtimit të afateve të fillimit, të shpërndahet në grupin e xhirimit. Ka edhe një propozim tjetër për filmat që sigurojnë të ardhura të mëdha nga që ka frekuentim të mirë. Për këtë filma duhet të ketë një shpërblim të caktuar për regjisorët e filmit, por mbasi të shihet rezultati i tij.

SHOKU HEKURAN ISAI: Edhe në kinostudio zbatohen pothuaj ato rregulla shpërblimi që zbatohen edhe në ndërmarrjet e tjera. Përshembull, një inxhinier i Kombinatit të Tekstileve, mund të bëjë shpikje, por përderisa punon në këtë kombinat, nuk merr shpërblim për të, kurse po ta bënte këtë shpikje një inxhinier tjetër, jashtë kombinatit, do të merrte këtë shpërblim.

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Dhe skenaristët e filmit marrin shpërblim, kur përgatisin skenarë gjatë kohës që janë me leje krijuese.

SHOKU DHIMITËR ANAGNOSTI: Regjisorët nuk marrin asnjëherë shpërblim. Skenaristët, përveç atyre që kanë planifikuar, mund të shkruajnë gjatë lejes krijuese edhe skenarë të tjerë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Qartë.

SHOKU ALFRED UÇI: Edhe regjisorëve u njihet e drejta e autorit, kur prodhojnë ndonjë film më tepër se norma e parashikuar. Ka pasur raste të tilla. Përshembull, Bujar Kapexhiu që ka bërë normën e caktuar dhe veç kësaj ka prodhuar edhe filma të tjerë dhe është shpërblyer.

SHOKU RAMIZ ALIA: Këto çështje janë duke I diskutuar shokët e Komitetit të Kulturës dhe arteve, Alfred?

SHOKU ALFRED UÇI: Po, kemi përgatitur tani projekt-vendimet përkatëse.

SHOKU RAMIZ ALIA: Duhen rishikuar bashkë me to edhe këto dy variante që përmendët.

SHOKU ALFRED UÇI: E kemi përgatitur projekt-vendimin, sepse nuk ka vendime analoge për këtë lloj shpërblimi…

SHOKU RAMIZ ALIA: Në qoftë se e mban mënd ti Dritëro, dikur në teatër ka ekzistuar një lloj shpërblimi për të drejtën e autorit që praktikohej sa herë jepej shfaqja. Për çdo rats të tillë autori merrte shpërblim për të drejtën e autorit që praktikohej sa herë jepej shfaqja. Në çdo rast të tillë autori merrte një përqindje shpërblimi nga të ardhurat e biletave.

SHOKU DRITËRO AGOLLI: Po, atëhere autori merrte shpërblim sa tre përqind e biletave të shitura. Dhe në rregulloren që kemi tani, në fillim u parashikua një klauzolë, sipas së cilës autori duhej të paguhej 30 përqind, mirpo nuk u miratua. Tani mund të shikohet kjo çështje.

SHOKU TEODOR LAÇO: Çështja shtrohet që të gjenden mundësi për t’u stimuluar cilësia e filmit. Ne kemi film që mund të nxjerr shpenzimet e veta dhe shihen nga 300 mijë spektatorë, por ka të tjerë që nuk sigurojnë as një të dhjetën e shpenzimeve. Dëshiroj të shprehej diçka lidhur me pyetjet që u bënë këtu:

Ideja për të prodhuar filma artistikë nga televizioni më duket me vend, jo për të lehtësuar sadopak punën tonë, por do të krijohet një klimë më e mirë e kinematografisë në të gjithë vendin. Natyrisht, televizioni duhet të gjejë specifikën e filmit të tij televiziv. Sipas mendimit tonë, dy janë specifikat për filmat e televizionit, filmi serial dhe telenovelat. Filmi serial mund të mbështetet në ekranizime veprash ose dhe në skenarë të mirfilltë, kurse telenovela zakonisht është mbajtur në mjedise më të vogla dhe është realizuar nga ata që kanë mundësi shumë më të mëdha xhirimi me mjete elektronike etj., të cilat ne nuk i kemi.

Pra prodhimi i filmave nga televizioni do të plotësonte një pjesë të detyrave të prodhimit të përgjithshëm të filmit në vendin tonë. Kemi edhe një propozim tjetër, të cilin e kemi diskutuar edhe me profesor Alfred Uçin. Mund të kalojnë në prodhime të përbashkëta filmash me televizionin. Sot, në botë prodhohen shumë filma në këtë mënyrë. Nga një variant filmi televiziv të zgjeruar, që mund të jetë në 5-6 seri, kalohet në një variant më të reduktuar kinematografik. Në rast se do të arrijmë të vendosim në televizion një marrëveshje të tillë të përbashkët, duke përdorur edhe mjete e fonde të përbashkëta, atëhere mund të prodhojmë në këtë mënyrë disa filma, të cilët përdoren edhe nga televizioni për konsumatorët, por edhe për kinematë, se prej tyre del një film i reduktuar. Këtë vit prodhuam dy filma më të gjerë se sa përmasat e zakonshme dhe i nxorrëm me nga dy pjesë për televizionin, si dhe në një variant më të shkurtuar për kinematë. Këta i bënë me iniciativë, pa marrëveshje me televizionin, po në këtë drejtim mund të bashkëpunohet e shkohet më tej. Në fillim të vitit mund të bëhet marrëveshje në mes dy drejtorive dhe dy redaksive të filmit, asaj të televizionit dhe të kinostudios, për të përgatitur filma të përbashkët me dy variante.

Lidhur me vendimet e Plenumit të 9-të kemi bërë propozim që miratimi i skenarëve t’i mbetet kinostudios, kurse Komiteti i Kulturës dhe Arteve të miratojë vetëm planet tematike të zgjeruara. E praktikuam këtë si provë para dy javësh. Shokët e Komitetit të Kulturës ua paraqitën skenarët e 6-të mujorit të dytë me variante të zgjeruara prej 2-3 faqesh, që të krijojnë përshtypje për brendinë e filmit, pa qenë nevoja të lexonin të gjithë skenarin. Megjithatë, për këtë çështje presim miratim, sepse sipas procedurës, duhet një vendim Këshillit të Ministrave për këtë qëllim. Por mendojmë se kjo praktikë do të na vinte në pozita më të mira pune dhe do të na rriste prestigjin e redaksisë së skenarëve. Mendoj gjithashtu, se duhet forcuar më shumë dhe i duhen dhënë më shumë kompetenca një hallke të tillë, si këshilli artistik. Tani për tani këshilli artistik është një organ konsultativ i drejtorisë, por mund të rritet deri në shkallën e një organi vendimor. Në përbërjen e tanishme të tij ka shumë njerëz të jashtëm që nuk punojnë në kinostudio, gati gjysma e numrit të anëtarëve.

Duke biseduar këtë çështje me Dhimitër Anagnostin dhe Nexhatiun, të tre patëm mendimin se do të ishte më e udhës të kishim një këshill artistik në kinostudio, ku të bënin pjesë personalitetet kryesore të kinostudios, 10-12 veta. Në këtë këshill mund të bëjnë pjesë regjisorët më të shquar, drejtori, nëndrejtorët, etj., dhe ai të ishte një organ vendimor që do të vendoste e të mbante përgjegjësi për skenarin që do të fuste në prodhim. Kështu përgjegjësia do të ishte kolegjiale dhe jo e kanalizuar tek një individ, vetëm te drejtori i institucionit.

SHOKU FOTO ÇAMI: Të ketë edhe ndonjë kritikë të jashtëm.

SHOKU TEODOR LAÇO: Mundet të ketë edhe të tillë, por do të ishte mirë që peshën kryesore të përgjegjësisë ta kenë njerzit që punojnë në kinostudio.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ky këshill do të miratonte vetëm skenarët/

SHOKU TEODOR LAÇO: Ai do të miratojë skenarët dhe filmat.

SHOKU DHIMITER ANAGNOSTI: Duhet të miratojë gjithashtu edhe kuadrin artistik që duhet për institucionin.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ju sikur morrët gjithashtu disa aktorë që do të s’ishin të kinostudios…?

SHOKU DHIMITËR ANAGNOSTI: Nuk kemi marrë, se nuk na duhet të marrim aktorë që janë vetëm të kinostudios, sepse ata do të behshin si të pavlefshëm brenda 2-3 vjetësh. Aktorët duhet ta bëjnë jetën artistike në institucione të tjera, si në teatër etj., sepse atje është shkolla e vërtetë për mjeshtërinë e aktorit. Veprimtaria e tyre në kinostudio është e përkohshme, megjithëse nga aktivizimi nëpër filma martin kënaqësi të madhe. Mendoj se gjatë aktivizimit në kinostudio, aktorët duhet të kenë një trajtim të veçantë për vështirësitë e punës që u krijohen, por ata trajtohen thjeshtë si punonjës, marrin vetëm rrogën dhe asgjë më tepër. /Memorie.al

Etiketa:

Shto Koment