Aktualitet

‘Volvo 4’, zgjaten hetimet/ Niçja sherr me gjyqtarin: Bëj 50 vite burg po të doni… akuzohem për një ‘Alo Niçe’

Zgjaten hetimet me 3 muaj për grupin e Avdylajve. Prokuroria kërkon kohë për të përkthyer letërporositë dhe analizuar tabulatet telefonike. Astrit Avdylaj replika me gjyqtarin Bibë Ndreca. Pretendimi i Avdylit është se është goditur politikisht.
Featured image of article: ‘Volvo 4’, zgjaten hetimet/ Niçja sherr me gjyqtarin: Bëj 50 vite burg po të doni… akuzohem për një ‘Alo Niçe’ Altin dhe Astrit Avdyli

TIRANË– Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur zgjatjen e hetimeve për të arrestuarit e operacionit “Vol-Vo 4” të njohur si grupi i Avdylajve. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se në seancën e zhvilluar sot, ka patur tensione mes Astrit Avdylajt, personazhi i famshëm i përgjimeve të BILD, (Niçja), dhe gjyqtarit Bibë Ndreca. Avdylaj ka pretenduar se në burg po mbahet padrejtësisht dhe se e vetmja akuzë për të ngrihet nga pasazhi i dalë nga përgjimet (Alo Niçe).

Replika në sallë:

AvdylajPo na mbani në burg padrejtësisht, nuk kemi asnjë lidhje me njëri- tjetrin. Nuk ka asnjë provë që na lidh ne me trafikun e drogës, çfarë është kjo ‘Alo Niçe’, përfshini politikanë kot! Hapi portën Dako dhe ne shitëm drogë?! Çlidhje kemi ne me Kuksianët.

Avdylaj-GjyqtaritNëse më gjeni qoftë dhe një prove jam gati të firmos 50 vite burg, mund të kem bërë shumë gjëra por me skafin dhe drogën skam asnjë lidhje, jemi të pafajshëm po na mbani kot në burg, kemi gra dhe fëmijë ne shpi, akuzat e prokurorise jane qesharake.

Anila Shuti-gjyqtaritKam mbjell grurë dhe misër, jo hashash, si mund të më akuzoni për përfshirje në grup kriminal

Në seancën e zhvilluar sot, prokuroria kërkoi zgjatjen e hetimeve me 3 muaj, pasi sipas organit të akuzës nuk ka përfunduar përkthimi i letërporosive nga pala italiane dhe analiza e tabulateve telefonike.

Por si u zbulua grupi i Shijakut dhe arrestimi i dy ish-deputetëve të PS?

Më 21 tetor 2018, Policia zhvilloi një operacion të koduar si “Volvo 4”, ku u arrestuan edhe dy ish-deputetët Arben Cuko dhe Ndoka.  Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me Avdylajt e Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit. Ndërsa Arben Çuko u vendos në pranga krejt rastësisht, teksa në hetim dhe përgjim ishin pjesëtarët e një grupit të Shijakut. Në këto përgjime u ndanë dhe u krijua një tjetër dosje, në të cilën vëllezërit Avdylaj komunikonin me kryetarin e bashkisë Durrës, Vangjush Dako, dhe të tjerë zyrtarë të PS, ku diskutohej për rezultatin e PS në Durrës përgjatë vitit 2017. Përgjimet u botuan pranverën e këtij viti nga gazeta gjermane BILD. Ato shkaktuan një “tërmet” politik në Shqipëri që solli ‘djegien’ e Vangjush Dakos nga SHBA. Kryeministri Edi Rama, i ka quajtur këto përgjime si shkëputje nga konteksti, duke arsyetuar se akuzat e PD bazohen vetëm tek një “Alo Niçe”, alibi kjo që u përdor edhe sot nga Astrit Avdylaj në gjykatë.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment