Factcheck

Tenderi për tunelin e Kardhiqit, kush e rrëzoi VKM dhe diktoi vendimin e KPP?

Ndërkohë që çështja ishte në diskutim në KPP, Këshilli i Ministrave u kujdes ta lehtësojë pozitën e Gjokës, duke abroguar VKM për 70 për qindshin e punimeve. Pas kësaj, çdo kompani kishte të drejtën të aplikonte për një tender tjetër edhe nëse nuk i kishte kryer 70 për qind të punimeve nga tenderi i mëparshëm.
Featured image of article: Tenderi për tunelin e Kardhiqit, kush e rrëzoi VKM dhe diktoi vendimin e KPP? Sonila Qato, drejtoresha e ARRSH

Një deklaratë e firmës Gjoka, e ka rihapur betejën që prej disa muajsh u zhvillua në sekret dhe në heshtje të plotë, ndërsa tani ka plasur hapur prej disa ditësh.

Që kur ministrja Balluku, deklaroi devijimin e fondit, një betejë e fortë nisi mes 2 palëve, që mesa duket po kërkojnë t’i imponohen ligjit dhe Kryeministrit me të gjitha mjetet.

Deri tani, pala që mbështet “Gjoka Construction” është fitimtare. Pala tjetër, që mbështet konglomeratim italo-shqiptar, është nën presion, madje nën kërcënim.

Për t’a sqaruar në detaje çfarë ka ndodhur, vjen në ndihmë pikërisht sqarimi i firmës Gjoka.

Tenderi i shpallur për tunelin, ku morën pjesë 5 kompani, u fitua nga një bashkim italo-shqiptar që kishte dhënë ofertën më të lartë.

Firma Gjoka dhe 3 kompanitë e tjera u skualifikuan sepse nuk plotësonin 2 kritere: i pari ishte kriteri i punëve të ngjashme, pra realizimi i një tuneli të këtyre përmasave dhe i dyti ishte kriteri i kryerjes së 70 për qind të punimeve në një tjetër kontratë të bërë me ARRSH.

E vërteta është se nga 4 kompanitë e skualifikuara, vetëm “Gjoka Construction” skualifikohej nga të dyja kriteret, të tjerat i prekte vetëm një nga kriteret.

Konglomerati italo-shqiptar ishte i vetmi që i plotësonte kushtet, pavarësisht se kishte ofertën më të lartë.

Ai mbeti si fitues për shkak të skualifikimit të të tjerëve.  Firma Gjoka, në komunkimin publik, e pranon se firma italiane i plotëson kriteret, por aludon se ARRSH, pra drejtoresha Sonila Qato, ka rënë dakord më parë me ta për ta shtyrë tenderin 2 herë derisa firma italiane të merrte licencën shqiptare.

Kjo është një akuzë që ka shkuar deri në Prokurorinë e Tiranës, jo nga Gjoka, por nga ministrja Balluku. Duket se koordinimi i të dyve është më harmonik sesa dëshira pambështetur në ligj e ministres për transferimin e fondit.

Hetimi i lidhjes së Sonila Qatos me kompaninë italiane, është i pashmangshëm pas 2 padive që vijnë të koordinuara edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë edhe nga firma Gjoka.

Aq sa nuk kuptohet ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra. Nuk ka asnjë gjë të keqe që hetohet Sonila Qato.

Ky hetim do të jetë i vështirë se nuk niset nga dokumentacioni, por nga hamendjet. Ndryshe ndodh me atë që ka ndodhur pas shpalljes së fituesit nga ARRSH.

Pasi u skualifikua, “Gjoka Construction” e apeloi vendimin në Komisionin e Prokurimeve Publike (KPP).

Ndërkohë që çështja ishte në diskutim në KPP, Këshilli i Ministrave u kujdes ta lehtësojë pozitën e Gjokës, duke abroguar VKM për 70 për qindshin e punimeve.

Pas kësaj, çdo kompani kishte të drejtën të aplikonte për një tender tjetër edhe nëse nuk i kishte kryer 70 për qind të punimeve nga tenderi i mëparshëm.

Ajo që nuk parashikonte Këshilli i Ministrave ishte efekti prapaveprues, pra, pavarësisht se Gjoka tashmë nuk e kishte pengesën e 70 për qindshit të punimeve, në momentin që hyri në tender VKM ekzistonte, dhe si rrjedhim skualifikimi ishte i drejtë.

Pasi Këshilli i Ministrave dha mesazhin e hapur që është me Gjokën, KPP vendosi në favor të tij. Vendimi shkoi për zbatim në ARRSH dhe Sonila Qato vendosi të inspektonte punimet e tunelit, për të parë nëse Gjoka e plotësonte kriterin e parë, atë të përfundimit të një vepre të ngjashme.

Aq më tepër që tuneli kishte rënë një herë, incident që u tentua të mbahej i fshehtë. Inspektimi nxorri se tuneli nuk ishte përfunduar. Në këto kushte, megjithëse efektin prapaveprues të VKM që anuloi VKM, kompania Gjoka, përsëri skualifikohej.

Por KPP, siç shkruhet edhe në komunikatën e Gjokës, në kundërshtim me ligjin, e shpalli përsëri të kualifikuar për tender kompaninë e preferuar.

Në kushtet e këtij konflikti, ku drejtoresha e ARRSH nuk po pranonte të shkelte ligjin dhe të rikualifikonte kompaninë Gjoka, ndërhyri ministrja Balluku me deklaratën që nuk u bë dot vendim, për transferimin e fondeve në projekte të tjera. Kompania bashkë me Ministren filluan punën për shkarkimin e drejtoreshës së ARRSH, lufta brenda qeverisë ishte aq e fortë sa plasi në media.

Të dyja palët lëshonin akuza ndaj njëra-tjetrës, përdorën mediat për të nxjerrë dokuemente shtetërore, aq sa Prokuroria e thirrur për ndihmë nuk mund të mos ndërhynte.

Ky përshkrim i shkurtër i asaj që ndodhi me një tender që prek një segment prioritar të vendit, tregon qartësisht se si qeveriset vendi.

Një luftë klanesh që janë turrur të rrëmbejnë taksat e shqiptarëve për interesat e tyre. Ata që janë më të fortët, ndryshojnë edhe vendimin e Këshillit të Ministrave, e anulojnë fare kur u intereson, pastaj kur kjo nuk mjafton shkelin ligjin, nxjerrin dokumente të falsifikuara, kërkojnë llogari publikisht dhe kërcënojnë me burg ata që nuk binden.

Pas kësaj është e qartë se vendi nuk qeveriset nga ata që janë votuar, por nga një grup keqbërësish që kanë realisht pushtetin dhe kontrollojnë gjithçka.

Shto Koment