Politike

Tenderi 30 milionë dollarë për uniformën e policisë, reagon PD: Fituesi është i paracaktuar

Sipas selisë blu, “përzgjedhja e procedurës, si e kufizuar, ka pasur qëllim që të shmangë shpalljen e këtij tenderi përtej Republikës së Shqipërisë, siç e kërkon dhe ligji”.
Featured image of article: Tenderi 30 milionë dollarë për uniformën e policisë, reagon PD: Fituesi është i paracaktuar selia e PD

TIRANË-  Pasi Ministria e Brendshme ka shpallur tenderin e hapur ndërkombëtar të Uniformave dhe pajisjeve për Policinë e Shtetit, i cili parashikohet të jetë 30 milionë dollar, ka reaguar Partia Demokratike, përmes departamentit anti-korrupsion.

Sipas selisë blu, “përzgjedhja e procedurës, si e kufizuar, ka pasur qëllim që të shmangë shpalljen e këtij tenderi përtej Republikës së Shqipërisë, siç e kërkon dhe ligji”.

Reagimi i plotë i Departamentit anti-korrupsion në PD:

Me datë 26.07.2019 Agjencia e Prokurimeve të Përqëndruara – Ministria e Brendshme – shpalli procedurën me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet (2019-2022)”, me fond limit 2.800.347.570 lekë pa TVSH (26 mln $).

Marrë shkas nga denoncimi i portalit syri.net(https://ëëë.facebook.com/portali.syri.net/videos/636291740211664/), pas një verifikimi të dokumenteve të tenderit rezulton se procedura e përzgjedhur është “tender i kufizuar ndërkombëtar”.

Afati i dorëzimit të ofertave është 19.08.2019, pra 24 ditë kanë në dispozicion subjektet e interesuar për të përgatitur ofertën e tyre. Afati i kontratës është 4-vjeçar.

Paraprakisht sqarojmë se ligji “Për prokurimin publik”, në nenin 31 të tij përcakton dy raste që përligjin përzgjedhjen e kësaj procedure, duke pasur parasysh që procedura ligjërisht e preferuar është procedura e hapur.

Autoriteti kontraktor mund të përzgjedhë procedurën e kufizuar kur:

  1. a) malli, shërbimi ose puna përkatëse, për shkak të karakterit të tij/tyre shumë të ndërlikuar ose të veçantë, mund të furnizohen, sigurohen ose ekzekutohen nga operatorë ekonomikë, të cilët kanë kapacitetin e duhur teknik, profesional ose financiar;
  2. b) është ekonomikisht më e leverdishme për autoritetin kontraktues, fillimisht, të shqyrtojë kapacitetin dhe kualifikimet e operatorëve të interesuar ekonomikë dhe më pas të ftojë ata që kanë kualifikimet minimale specifike të caktuara të paraqesin ofertat.

Duket që autoriteti ka menduar ta mbështesë vendimin e tij bazuar në parashikimin e parë “a”, në momentin që shprehet se “Për shkak të karakterit shumë të ndërlikuar dhe të veçantë të mallrave e shërbimeve në lidhje me to, ku kombinohen disa detyra – nga evidentimi i përmasave trupore të punonjësve të policisë, ngritja e sistemit elektronik të porositjes dhe shpërndarjes së mallrave, pajisja e punonjësve të Policisë së Shtetit me karta me pikë, prodhimi/konfeksionimi i mallrave, deri në marrjen e produktit përfundimtar nga punonjësi i policisë – është e domosdoshme që mallrat dhe shërbimet objekt prokurimi, të furnizohen, sigurohen dhe ekzekutohen nga 1(një) operator ekonomik.”

Ky argumentim është absurd, skandaloz dhe qartazi i paligjshëm. Bëhet fjalë për uniforma, tesha pra, objekt veprimtarie i miliona shoqërish në glob.

Po të ishtë shpallur si procedurë e hapur ndërkombëtare, potencialisht shumë shoqëri të huaja mund të kishin marrë pjesë dhe evidentimi i përmasave trupore, etj., etj. do të ishte punë rutinë e secilës prej tyre.

Pra, përzgjedhja e procedurës, si e kufizuar, ka pasur qëllim që të shmangë shpalljen e këtij tenderi përtej RSH-së, siç e kërkon dhe ligji.

Sqarojmë gjithashtu se ligji përcakton afate të ndryshme për hapjen e ofertave në varësi të llojit të procedurës. 

Konkretisht për tenderin e hapur ndërkombëtar, afati për paraqitjen e ofertave është jo më pak se 52 ditë. Ndërsa për tenderin e kufizuar ndërkombëtar (procedurë me dy faza), afati minimal është 20 ditë për paraqitjen e kërkesës për pjesëmarrje dhe 20 ditë për dorëzimin e ofertës, nga data e dërgimit të ftesës për ofertë.

Faza e parë, prej 20 ditësh përbën një kufizim thelbësor për përgatitjen e ofertës nga subjektet e interesuar dhe që zotërojnë kapacitet e kërkuara.

E qartë që ngushtimi i afatit ka pasur për qëllim heqjen dorë nga pjesëmarrja të atyre subjekteve, të cilët, në kushte të tjera, do të kishin konkurruar.

Paracaktimi i fituesit është i qartë dhe sa më sipër, vjen në mbështetje të denoncimit të bërë me emër konkret të fituesit të paracaktuar, të bërë nga syri.net.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment