
Sapo kishin dalë antenat parabolë. Unë nuk kisha lekë ta blija. Taku, komshiu im zemërmirë, kishte lekë sepse atë kohë shiste “vjetërsina”, priza, fije kordonash, te tregu elektrik. Diku e kishte psonisur atë antenë parabolike që na pataksi të gjithëve. Taku kishte parabolë. Vetëm fjala të mahniste.
E montoi bukur Taku parabolën mbi çati. Një mur na ndante. Taku shihte dhjetra kanale televizive si t’ja donte shpirti atij dhe nuses e kalamjave të vet. Mendonim ne! Një farë xhelozie lindi gjithsesi. Taku me parabolë, ne asgjë.
Si duket Taku e ndjeu këtë dhe një ditë nga pas murit bërtiti : O Tanooooo! O me Tak ç’kemi? – i thashë unë a thua nuk kisha ndonjë gjë të veçantë.
Nigjo ktu – më tha, po të japish kabllin e televizorit tat, ta lidh ke parabola ime ene ti kap njisoj si unë me parabol.”
Masnej parabol un, parabol ti!
Taku e kishte strategjik këtë propozim. Sepse pavarësisht se na ndante një mur, unë kisha lidhje elektrike me lagjen tjetër. Kur lagjia e Takut nuk kishte drita Taku më hidhte një kabëll elektrik që unë e fusja te një nga prizat e mia dhe Taku pastaj kishte energji elektrike, ujë, gjithçka.
Taku kishte frikë se mos unë i zemëruar ngaqë nuk kisha parabolë, e lija pa sinjal elektrik.
Ai, kopil, donte të shkëmbente në rast emergjente sinjal televiziv me sinjal elektrik.
Mir me Tak’ – i thashë në gjuhën e tij, ja ta jap tani kabllin e televizorit tim.
Taku e mori, i shkathët, hypi zbathur në çati dhe e lidhi telin tim me parabolën e tij. I qeshi buza duke më parë nga maja e çatisë mua poshtë:
“Komshillik maaaa! Nuk ka hiç fije lezeti që un ta kap parabolën, ene tina mos ta kapsh!”
Rrofsh o Tak – i thashë, ta shpërblefsha me korrent!
Aty nga pasditja hapa televizorin tim, duke menduar që e kisha mbyll duke pa një emision te Rtsh që kapej edhe me një kanoçe teneqeje lidhur me një shkop në hatllat e shtëpisë.
Kisha harruar fare se kishim bërë një aleancë strategjike me Takun. Kur befas aty nga ora tetë e darkës, natë dimri, televizori im u çmend!!!
U çmend fare ore po ju them!
Pa e lëviz njeri ndryshonte stacionet. U llahtarisa. Shihja telekomandën mbi divan të hedhur atje tej dhe brenda meje më kapi një ankth i pashoq: Cili shpirt i vjetër lëvizte telekomandën time! Ma shëtiste kanal më kanal.
Pas pak ndaloi te një stacion turk ku shfaqej një film me dashuri të zhgënjyer dhe heroina e filmit qante me llainga. Bëj ta heq nga ai kanal, as bëhej fjalë. Sapo e coja te rtsh për të dëgjuar e parë lajmet, televizori kthehej vetë te filmi turk ku heroina qante te pusi i fshatit andej në Anadoll dhe i dashuri, një zeshkan me mustaqe sec i thoshte duke i përkëdhelur dorën!
I tmerruar, i tronditur, më erdhi kujtesa. Nga muri i Takut dëgjova të njejtën të qarë, llokoçitur në ujë pusi. Dhe një zë burri me mustaqe që bërtiste melankolik : Bujrum, siklet tersllik”!
Unë shihja po atë film që shihte Taku matanë murit.
O Takuuuuuuu – bërtita nga muri im!
Taku e kuptoi!
Po mor, ktej e tutje kshu e ka parabola e lidhme paralele o Tano. Ca tshof una edhe tina at ke me pa! Mos u mërzit o burr, se gjithë rreshti i familjeve ktej rrugës me mu osht lidh. T’gjith ata si ty një film po shofim!
Ku ka ma mir, komshillik o burr!
Sa nuk më ra të fikët! Këtej e tutje unë do të isha në vartësinë e sinjalit televiziv po se po por edhe të programit që shihte Taku. Jo vetëm unë, por e gjithë pjesa e majtë e lagjes sonë. E djathta nuk kishte ende të vume fishën në parabolë. Kishte ngel te kanoçet e kohës të diktaturës.
O Takuuuuu, si mundem o burrë të shoh çdo çast atë që sheh ti?
C’a ka me Tano, tha Taku, a nuk përdor ene una korrentin që më jep ti!!! Me kontatorin tat punoj!
C’a ke mo burrë, unë nuk e ndryshoj shpesh, ja vij i her vërdall te kto stacionet tona, politikë ka vetëm, dhe paf shkoj te turku. E di ti mo, aty e kena mendjen. Janë po turqit qafira o burr, janë emancipu, kanë për not filma me dashuni!
Dashuni e pastër, me vuajtje, jo si kto tonat, me minifunde!
O Taku, të lutem i thashë, m’a hiq parabolën mua! Dua të shoh atë që dua unë.
Aman o Tan, m’a priti Taku, t’kisha pas dit ene burr të mençëm! Ja e hoqe kabllin nga parabola jeme. Prap kujto se do shofsh at që do ti? Do shofsh prap atë që komandojn ata që komandojn televizionet o burr. Prap t’gjith njisoj! Rri o burr ktu ku je lidh me mu!
Jo Taku të lutem – u bëra serioz unë! Më çlidh të lutem.
Mir me Tan nuk ta prish – tha Taku – por nja tri a katër ditë do të durosh se duhet me hyp prapë në çati dhe unë nuk kam kohë.
Kom ra n’ca pompa uji të fuqishme dhe po i shes mirë. A do të shes ene ty nji pa fitim? Apo do me marr ujë nga pompa ime? Për kry të robve t’a shky tubacionin nga presioni masnej! Nga brenda derës filmi turk vazhdonte : Burri me mustaqe i thoshte gruas së bukur : Aman, qeder jazik!