Editorial

Telebingo e 25 Prillit

Kjo “deja vu” e maxhorancës me drejtesinë , po lë  një  shije të  hidhur për betejat e mëpasme që  opozita mund të  ketë  për rregullsinë  e procesit zgjedhor. Dikur kishim parrullën: Ç’thotë  Partia bën Populli. Sot fare mirë  mund të  themi: Ç’thotë  Partia bën Drejtësia!
Featured image of article: Telebingo e 25 Prillit

Ditët e mbetura drejt betejës politike të  25 Prillit po zvogëlohen, por falë  “kontributit” të  maxhorancës dhe gjyqtarëve të  Kolegjit Zgjedhor, do të  kemi  një  fletë  votimi me numra që  më  tepër ngjason me një  fletë  të  llotarisë  të  dikurshme kombëtare, “Telebingo”. Njësoj si dje, tifozët e dikurshëm të  telebingos që  me gjak të  ngrirë  rrinin para ekraneve në  ndjekje të  numrave fitues, sot militantët dhe sfiduesit e listave që  si Lipe Shtogu janë  vënë  nga krytarët pas listës fituese, do të  qëndrojnë  sy e veshë  për të  ndjekur numrat fitues. I gjithë  ky show   i turpshëm elektoral ku kandidatë në  fletën  e votimit janë  numra pa emër, është  bërë  për arsye të  dukshme elektorale nga lideri i partisë  në  pushtet. Të  gjitha sondazhet e deritanishme konvergojnë  në  një  pikë  të  përbashkët: një  masë  e madhe votuesish janë  ende të  pavendosur.

Kjo masë votuesish që luhatet diku te 20 përqind e zgjedhësve, janë  të  pakënaqur nga situata tre polare politike në  vend. Kjo masë  të  pakënaqurish, do të  kishte një  shtytje më  tepër për të  votuar nëse në  lista do të  kishte emra personalitetesh, të  cilët kanë  një  identitet të  spikatur dhe mund  të  dilnin nga “rreshti partiak”. Për ti depersonalizuar individët si shërbëtor të  partisë , në  vend të  emrit tani do identifikohen thjesht me numra. Një  arsye tjetër që  e shtyu liderin suprem për ti zëvendësuar emrat  me numra, është  për të  zbutur përplasjet mes “senatorëve” që  tani nuk janë  në  pozita të  favorshme në  listë  dhe emrave që  kryesojnë listën. Madje mund të  ketë  edhe fushatë  negative ndaj atyre që  e kanë  të  sigurt kolltukun. Drejtësia, njësoj si dhe në  zgjedhjet vendore  një  partiake të  qershorit 2019 edhe kësaj here iu bind maxhorancës. Në  zgjedhjet e shkuara vendore, ishte Kolegji Zgjedhor që  regjistroi në  zgjedhje në  kundërshtim me ligjin, partinë  e “ bindur ” të  Astrit Patozit. Madje edhe misioni vëzhgues i OSCE e ka evidentuar në  raportin e vet si shkelje.

Kjo “deja vu” e maxhorancës me drejtesinë , po lë  një  shije të  hidhur për betejat e mëpasme që  opozita mund të  ketë  për rregullsinë  e procesit zgjedhor. Dikur kishim parrullën: Ç’thotë  Partia bën Populli. Sot fare mirë  mund të  themi: Ç’thotë  Partia bën Drejtësia! Vetëm se kjo parrullë  vlen vetëm për drejtësinë  tonë. Kur vjen puna tek drejtësia  vërtetë , te drejtësia  që  i bindet vetëm ligjit, rezultatet janë  zgënjyese. E ndërsa maxhoranca dhe lideri i saj suprem janë  të  super preokupuar për procesin e vaksinimit dhe “tërmetin” elektoral si ai i Dibrës autori  së  cilës sot kandidon në  Vlorë,  një  tërmet real shkundi financat shqiptare . Plot 110 miljon euro (shumë që  mund të  shkojë  deri në  140 miljonë ), është  fatura e papërgjshmërisë  së  shtetit tonë  dhe drejtësisë  sonë  të  krimbur që  është  kthyer në  një  shërbyese të  pushtetit. Ky skandal i korrupsionit shtetëror, do rëndojë  edhe më  tepër tek xhepat e shpuar të  shqiptarëve që  krahas pandemisë, tani duhet të paguajnë  edhe papërgjeshmërinë  e shtetarëve të  vet.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Shqiptarët nuk kanë  gjë  në  dorë  veç fletës me numra si të  telebingos, për të  ndëshkuar me votë  autorët e këtij tërmeti në  financat shqiptare. Edhe elita e drejtësë  së  re “Spak” që  do të  duhej të  ndërmerte hapa konkretë  ndaj auorëve të  këtij skandali me faturë  110 milionëshe, qëndron në  pritje të  telebingos së  25 Prillit. Nëse numrat fitues do jenë  të  qeverisë , me siguri do kemi një  hetim pa fajtor në  fund. Por, nëse numrat fitues do jenë  nga kampi i opozitës, “Spak” mund të  trimërohet deri tek ndonjë  nivel i ulët sekretari për të  “zbardhur” aferën 110 miljonëshe.

Dikur aktori i Teatrit Bylis të  Fierit Nard Poro thoshte: “numra mbajnë  vetëm kafshët e punës, ullinjtë  dhe lojtarët. Artistët kanë  emrat e tyre ose të  personazheve të  dashur”.

Kush do ta fitojë  telebingon e 25 prillit?

Etiketa:

Shto Koment