Politike

Emërimet në Kushtetuese, Presidenca i drejtohet Komisionit të Venecias: Nesër publikojmë dhe pyetjet

  • Hetimet për Metën, ‘Venecia’ zbarkon në Tiranë, zbardhet axhenda dhe takimet
  • Në një reagim në Facebook, Zëdhënësi i Presidentit bën me dije se kërkesa është dërguar dhe nesër për publikun do tregohen dhe pyetjet që janë dërguar në 'Venecia'.
    Featured image of article: Emërimet në Kushtetuese, Presidenca i drejtohet Komisionit të Venecias: Nesër publikojmë dhe pyetjet

    TIRANË- Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka bërë me dije se sot Presidenca i është drejtuar Komisionit të Venecias, për ngërçin e krijuar me emërimet në Gjykatën Kushtetuese. 

    Në një reagim në Facebook, Zëdhënësi i Presidentit bën me dije se kërkesa është dërguar dhe nesër për publikun do tregohen dhe pyetjet që janë dërguar në ‘Venecia’. Më tej në reagim Blushi shprehet se Kuvendi ka bërë shkelje kushtetuese dhe ligjore, dhe të gjtiha janë adresuar në Komisionin e Venecias. 

    “Venecia gjithmonë e mirëpritur. Sot Presidenti Meta i është drejtuar zyrtarisht Komisionit të Venecias lidhur me shkeljet kushtetuese dhe ligjore që ka bërë Kuvendi me zgjedhjet e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Nesër do të publikohen në faqen zyrtare të Kreut të Shtetit, kërkesa e Presidentit Meta për Komisionin e Venecias dhe pyetjet konkrete drejtuar atij”, shkruan Blushi.

    Nga ana tjetër Dosja.al, ka mësuar se Komisioni i Venecias, do të mbërrijë në Shqipëri në datat 13 dhe 14 shkurt në vijimësi të hetimeve për Presidentin Ilir Meta dhe shkeljet për të cilat maxhoranca e akuzon kreun e shtetit se ka bërë me anulimin për dekretin e zgjedhjeve, por edhe për emërimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

    Si erdhën palët në këtë pikë? 

    Përmes një dekreti të nxjerrë më 8 qershor 2019, Ilir Meta anuloi zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ndërsa ricaktoi një datë të dytë për zgjedhjet, që ishte 13 tetori. Me motivin se dita e zgjedhjeve do të kishte përplasje, Meta anuloi zgjedhjet, por maxhoranca e cilësoi aktin e Metës ‘nul’ dhe anti-kushtetues duke vijuar punën me zhvillimin e zgjedhjeve. PS vendosi të shkarkojë Metën,  si një president, që nuk është mbi palët dhe se ka shkelur kushtetutën. Në kohën që tensionet mes palëve kishin kapur kulmin, dhe Komisioni kishte nisur punën për shkarkimin e presidentit, emërimi i Marsida Xhaferllarit, bën atë që socialistët e quajnë ‘gafa’ e dytë anti-kushtetutese e presidentit.

    Presidenti ka zgjedhur Marsida Xhaferllarin si anëtare, ndërkohë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe maxhoranca njohin Arta Vorpsin. KED dhe maxhoranca shprehen se Vorpsi është anëtare e ligjshme, pasi Presidenti zgjedhjen e Xhaferllarit e ka bërë jashtë afateve dhe emri i anëtares ishte publikuar në fletoren zyrtare. Kjo gjë nuk është pranuar nga Presidenti dhe ka kallëzuar në Prokurori kreun e KED për shpërdorim detyre dhe përverësim të kompetencave. Ndërkohë maxhoranca ka nisur hetimin për veprimet e Metës me emërimin e Xhaferllarit dhe i ka nisur disa pyejte Komisionit të Venecias, nga i cili kërkon një mendim nëse është shkelur apo jo kushtetuta dhe kush duhet të jetë anëtarja e ligjshme, Vorpsi apo Xhaferllari.

    (A.B. Dosja.al)

    Shto Koment