Politike

‘Kush na ka inot kshu na paftë përnotë’/ Veliaj nuk heq dorë nga shembja e Teatrit: Është amaneti i Kadri Roshit, do e çojmë deri në fund

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka 'thumbuar' banorët e zonës së Astirit për protestat e tyre duke u shprehur edhe njëherë se do të ndërtohet edhe Teatri Kombëtar. 
Featured image of article: ‘Kush na ka inot kshu na paftë përnotë’/ Veliaj nuk heq dorë nga shembja e Teatrit: Është amaneti i Kadri Roshit, do e çojmë deri në fund Teatri Kombëtar dhe Erion Veliaj

TIRANË– Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka shkuar në Kashar për të inspektuar punimet në Bulevardin e sapondërtuar, të quajtur “Migjeni”. Në fjalën e tij, Veliaj ka ‘thumbuar’ banorët e zonës së Astirit për protestat e tyre duke u shprehur edhe njëherë se do të ndërtohet edhe Teatri Kombëtar. 

Sipas qytetarit të parë të Tiranës, ndërtimi i një Teatrit Kombëtar është amaneti që ka lënë aktori i njohur dhe kolosi i skenës, Kadri Roshi. 

“Jemi tek toka e Xhikes dhe mund ta bënte sherrin mullar po të donte po na la të ndërtojmë Bulevardin e ri. Mund të fishkëllente televizionet që vënë gjoba dhe thërrsite partinë X dhe Y këtu. Por ne zgjidhëm ta bindnim me arsyetim se kjo është më e vështira. Bulevardi Migjeni kemi vendosur ta quajmë sipas mësuesit, poetit, etj. Që njerëzit të kuptojnë se Shqipëria nuk është vetëm e atyre njerëzve që bërtasin. Ashtu siç është edhe Kadri Roshi. Amaneti i Kadri Roshit ishte një teatër i ri. Të ketë një teatër të ri ku nuk plevitosemi, ku nuk shkojmë me batanije në shfaqje, ku nuk punojmë në një mullar kashte me shkrepëse të presuara, siç bëhej teatër para 100 viteve. Tirana në 100 vjetorin e saj do të fillojë punën për Teatrin e ri. Ndaj, jo vetëm një emër i nderuar si Migjeni për Bulevardin e ri të Kasharit, por edhe një emër i nderuar për rrugën Kadri Roshi, të cilit do i mbahet amaneti deri në fund për Teatrin e ri Kombëtar m’u në zemër të qytetit të Tiranës, siç i ka hije një kryeqyteti që tani bëhet 100 vjeç. Siç thonë edhe tironsit, kush na ka inot kshu na paftë përnotë,“-tha ndër të tjera Veliaj. 

 

Ndërkohë ende vijon rezistenca e artistëve te Teatri Kombëtar, të cilët janë kundër shembjes së kësaj godine. Pak javë më parë pati përplasje mes policisë, aktorëve dhe qytetarëve tek Teatri Kombëtar. Basha ka nënshkruar me artistët një marrëveshje ku theksohet se Teatri Kombëtar do të shpallet monument kulture. Nga ana tjetër Rama dhe Veliaj shfaqen të vendosur se kjo godinë do të shembet.

(k.m./dosja.al)

Shto Koment