Aktualitet

Dështimi i marrëveshjes për Teatrin, Aleanca: Projekt nuk kishte dhe s’do ketë! Qeveria dhe Bashkia dështuan në shembjen e godinës

Në një status në Facebook, Aleanca e cilëson Teatrin si një pasuri publike që do të ruhet dhe se në njoftimin në fjalë, Qeveria dhe Bashkia kanë pranuar dështimin për të shembur godinën.
Featured image of article: Dështimi i marrëveshjes për Teatrin, Aleanca: Projekt nuk kishte dhe s’do ketë! Qeveria dhe Bashkia dështuan në shembjen e godinës Protesta për mbrojtjen e Teatrit
Përditësuar:

TIRANË– Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit ka reaguar pasi ditën e sotme u njoftua zyrtarisht tërheqja e Bashkisë Tiranë nga projekti i parë që do ndërtonte godinën e re të Teatrit në bashkëpunim me kompaninë Fusha. Në një status në Facebook, Aleanca e cilëson Teatrin si një pasuri publike që do të ruhet dhe se në njoftimin në fjalë, Qeveria dhe Bashkia kanë pranuar dështimin për të shembur godinën.

Sipas Aleancës, projekti ra, sepse nuk kishte, nuk ka dhe nuk ka për të patur ndonjëherë lidhje me një teatër.

Reagimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit

Qeveria dhe Bashkia me një deklaratë të mekur pranuan dështimin për të çuar deri në fund projektin kriminal për të shembur Teatrin Kombëtar. Ligji special ra sepse në themel të tij kishte ndërtimin e Teatrit të ri me skemën e Partneritetit Publik-Privat – ky ishte dhe qëllimi i Ligjit, dhe nuk e dimë se ç’pritet akoma që Ligji të tërhiqet. Projekti ra, sepse nuk kishte, nuk ka dhe nuk ka për të patur ndonjëherë lidhje me një teatër, ishte thjesht një qendër komerciale, porosi e oligarkëve dhe klikës në pushtet, për të krijuar një fabul që t’i hapte rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar. Fitorja e parë e madhe është që prona publike i mbetet qytetarëve megjithëse është cënuar në një kohë të shkuar, dhe nuk do të tërhiqemi pa i rikthyer çdo centimetër të cënuar pronës së teatrit si pasuri publike.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Tani çështja është publike, dhe publiku do që godina të restaurohet, dhe ashtu do të bëhet. Ne si Aleancë kemi komunikuar dhe mbajtur marrëdhënie vetëm me ata që kanë dëshiruar që ditën e parë restaurimin e Teatrit, konservimin e vlerave, me këtë matricë kemi dalë në publik dhe për këtë njerëzit na kanë mbështetur. Asnjë veprim nuk do të ndërmerret pa një konsultim të gjerë publik për projektin restaurator që i konservon më mirë vlerat që ka Teatri. Kujdes, kjo nuk është fitore përfundimtare! Kauza jonë është ndërtuar mbi themelet e drejtësisë, kjo është arsyeja që njerëzit na kanë mbështetur, se përndryshe do të përfundonim si ndonjë grup estetësh, ndaj ka qenë e pastër në mesazh dhe e pakontestueshme. Kjo kauzë në kuptimin operativ do të mbyllet kur Teatri të futet në procesin e restaurimit, por si një kauzë për drejtësi nuk mund të mbyllet, derisa çdo qytetar i Shqipërisë të marrë drejtësi në çdo cep të territorit. ALEANCA PËR MBROJTJEN E TEATRIT
26 shkurt 2020

Bashkia e Tiranës, njoftoi se është tërhequr nga projekti i parë që do ndërtonte godinën e re me partneritet publik privat dhe tashmë ndërtimi do bëhet me buxhetin e bashkisë. Në një njoftim për mediat bashkia bën me dije se TK do të ndërtohet me fonde publike dhe godina e re do plotësojë të gjitha kërkesat teknike të artistëve për vënien në skenë të shfaqjeve.   

(f.m/dosja.al)

Shto Koment