
TIRANË– Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar i trishtuar pas thirrjes së të riut nga spitali i Sanatariumit, që mes lotësh kërkonte të shtronte të ëmën e infektuar.
Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan se dhimbja e atij djali i ka thyer zemrën, teksa shton se fatkeqësisht kjo është e vërteta e tmerrshme që po përjetojnë të sëmurët me covid dhe familjarët e tyre.
“Jam shumë i tronditur nga këto pamje. Dhimbja e këtij djali që lufton për të shpëtuar jetën e nënës së tij, të thyen zemrën. Kjo është tragjikisht, e vërteta e tmerrshme që po përjetojnë të sëmurët me covid dhe familjarët e tyre. Nuk duhet të kishim ardhur në këtë pikë! Kësaj i druheshim, prandaj kërkuam prej fillimit të merreshin masa serioze dhe të bëhej gjithçka për ti dalë të keqes para. Boll më me propagandë dhe gënjeshtra. Janë jetë njerëzish që kur ikin nuk kthehen më!”- shkruan Basha teksa publikon edhe njëherë videon e të riut që kërkonte ndihmë.
Pak orë më parë një djalë i ri nga Elbasani, shpërtheu në lot tek spitali i Sanatoriumit. I riu tha mes lotësh se nëna e tij po bënte disa orë që priste në ambulancë, pasi nuk ka vende në spital. Këtij denoncimi, Rama iu përgjigj në mënyrë jo të drejtpërdrejtë me anë të një videoje të një qytetari që thoshte se e kishin trajtuar shumë mirë në spital.
Sipas qytetarit të ERTV-është turp të flasësh keq për spitalet, pasi sa herë ka kërkuar një pikë ujë, i kanë ccuar pesë shishe.
(f.m/dosja.al)