Opinione

Të mbijetosh nga dashuria/ 80-vjetori e gjen teatrin në protestë, “kolegët si letra bixhozi”

Provokimet nuk kanë munguar, ujë e drita s’ka, por jeta e qytetit i ka dhënë jetë teatrit. Teatri po mbahet me vullnetarë më mirë se ç’mbahej me administratë, sepse dashuria gjithnjë ia del të fitojë mbi “detyrat”.
Featured image of article: Të mbijetosh nga dashuria/ 80-vjetori e gjen teatrin në protestë, “kolegët si letra bixhozi” Teatri Kombëtar

80-vjetori e ka gjetur Teatrin Kombëtar të ngërthyer nga një protestë 18 mujore në mbrojtje të tij. Një grusht njerëzish e ruajnë natën ndërsa dhjetëra të tjerë kalojnë orë të ditës pranë tij. Prej 24 korrikut kur qeveria tentoi zbrazjen e tij për t’i hapur rrugë shembjes, tashmë salla kontrollohet nga mbrojtësit e godinës që kanë lënë angazhimet personale e profesionale për të ruajtur godinën që shënon gjenezën e institucioneve artistike në vend. Provokimet nuk kanë munguar, ujë e drita s’ka, por jeta e qytetit i ka dhënë jetë teatrit dhe shfaqjet vihen me gjenerator, qytetarët kontribuojnë për të dhe e ruajnë. E cilësojnë shesh të demokracisë e lirisë prej se qytetaria e treguar ia ka dalë të zhbëjë nismat e debatueshme ligjore për shembjen e tij. Teatri po mbahet me vullnetarë më mirë se ç’mbahej me administratë, sepse dashuria gjithnjë ia del të fitojë mbi “detyrat”. Të duash ta bësh është më urdhërore se sa të kesh detyrë. Ndaj teatrot kanë shpëtuar nga dashuria, e një grupi të vogël që zmadhohet sa herë kur kanoset rreziku.

Gushti është i vështirë, Tirana është bosh, vapa duket mundëse. Por Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe qytetarët kanë ndarë turnet e rojes, për ditët e netët. Dhe i bëjnë të plota dhe rrinë më gjatë. Po bëjnë një festival pa para, po bëjmë shfaqje pa para, por shfaqin filma, po organizojnë ekspozita, po sjellin artistë që ministritë i kanë ëndërruar duke ofruar mijëra euro, po i tregojnë forcën e mendjes e të zemrës, forcën e dashurisë atyre që u treguar forcën e dhunës. Sepse sado të paguhet një mercenar, gjithnjë fiton mbi të një idealist. Ndaj 80-vjetori i teatrit festohet me mënyrën më të mirë të mundshme: duke treguar se forca e teatrit është veprimi, fjala, akti dhe se gjithë ç’po ndodh në këtë shesh janë veçse mësimet që kemi marrë nga shfaqjet e teatrit, nga “Arturo Ui” te “Jul Çezari”. Ato i kanë folur njerëzve jo eterit.

FJALËT E MBRËMJES

Andi Tepelena

Ky shesh është kthyer në sheshin e demokracisë, sepse kemi thënë atë që duhet të bëjë politika edhe pse themi se s’na duhet politika. Por kemi bërë që të ketë më shumë njerëz që janë të interesuar për vendimmarrjen. Në këtë shesh njerëzit shtohen çdo ditë, prandaj edhe demokracia edhe sheshi do të shpëtojnë. Ne për fat të keq jemi një shoqëri postkomuniste edhe hapësirën publike e kemi parë si një gjë që na përket edhe nuk na përket. Por kjo na përket të gjithëve nga Jugu në Veri. Rrënimi dhe tjetërsimi i pronës është rrëmbimi i pronës sonë. Ne i duam institucionet edhe prej nesh nuk i gjen asgjë, edhe pse ata synojnë që të na demoralizojnë, ne bëjnë edhe më të vendosur për ta mbrojtur teatrin.

Njerëzit që dalin për të mbrojtur kulturën edhe trashëgiminë kulturore nuk kanë se çfarë t’u bëjnë. Në këtë aspekt nuk kanë çfarë të na bëjnë.
Sot është 80-vjetori i krijimit të teatrit kombëtar, një ditë shumë e rëndësishme, se këtu janë krijuar të gjitha artet skenike, prandaj në këtë aspekt merr edhe vlerë më të madhe. Debati nëse është një arkitekturë fashiste apo komuniste nuk na intereson fare, se në këtë hapësirë kanë lindur të gjitha institucionet e artit.
Prandaj, ky është një justifikim për të prishur godinën edhe për të ndërtuar kullën e parasë. Nëse bie ky teatër, bie edhe identiteti i Tiranës. Ky është sheshi i munguar i Tiranës. Sa më shumë të thyejnë frikën qytetarët shqiptarë, aq më shumë u fusin frikën pushtetarëve.

Mrekullia që po ndodh këtu është që arti po kthehet në debat mes partive politike. Nuk kishte ndodhur më parë. Sot arti dhe kultura po kthehet në debatin kryesor në çdo media të shkruar.

Edhe pse ka një krah që duan teatër të ri edhe një që është për ruajtjen, ky teatër ka bërë që në këto dy kampe të evidentohet se kush janë ata që duan vlerat edhe ata që bëjnë kompromise. Dëgjojmë çdo ditë që kryetari i bashkisë ka urdhrin në sirtar, por ne nuk kemi asnjë frikë që të përballemi me frontin e së keqes.

Edmond Budina

Them që duhet të bëjmë një duartrokitje të madhe për të gjithë ata njerëz që në 80 vite i kanë dhënë emër këtij teatri. Emocionohem kur ju shikoj që ngriheni në këmbë për kolegët që nuk janë më dhe i kanë dhënë emër këtij teatri. Qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë e duan artin dhe nuk do ta lënë të vdesë. Këtu kanë kaluar breza të tërë aktorësh, nuk dua të përmend emra, se do të harrojë ndonjë edhe nuk dua ta bëj. Por ky teatër është i aktorëve, skenografëve, rrobaqepësve, butaforistëve edhe këpucarëve.

Ka shumë nervozizëm nga politika sa i përket kësaj çështjeje. Ne po protestojmë në mënyrë të kulturuar. E keni parë se çfarë kemi bërë, pa asnjë lekë në këtë teatër vihen shfaqje. Ata janë bërë përbindësha. Por edhe ne jemi këtu edhe nuk do të lëmë që ata ta marrin këtë kështjellë. Nëse bie kjo kështjellë ra demokracia në Shqipëri. Na thonë shpesh që jemi të përdorur, po kush na ka përdorur? Çfarë na kanë përdorur? Apo janë të përdorur ata kolegë që i nxjerrin çdo ditë si letra bixhozi. Është e dhimbshme se njerëzit e kulturës i përdorin.

Rama thotë se Niko Kanxheri do teatër të ri

Kryeministri Edi Rama ka shkruar për aktorin Niko Kanxheri se si krijues i shumë personazheve të veçantë, në skenë dhe në ekran, Niko Kanxheri ka dorën e tij si pedagog edhe në formimin e shumë aktorëve të rinj në vite. “Asnjëherë i zhurmshëm, po shpeshherë i pranishëm me rolet e tij në veprat e suksesshme të teatrit e të filmit shqiptar, Niko Kanxheri ka qenë i pranishëm edhe në debatin për godinën e teatrit, ku pa diskutim e drejta qëndron në krahun e shumicës dërrmuese të komunitetit teatror, pjesë e së cilës është edhe ai. Si gjithnjë thjeshtë, por në mënyrën e tij të veçantë, aktori i spikatur ka formuluar edhe opinionin për këtë çështje”, -shkruan shefi i qeverisë. Sipas tij, Niko Kanxheri ka thënë se “Teatri Kombëtar për mua duhet bërë i ri. Nostalgjia për dy godinat e ndërtuara për të qenë provizore, duhet të zhbëhet. Mua po ma ndërtojnë shtëpinë time moderne, të bukur, të mirë, komode dhe papritur unë nxjerr një arsyetim të ri, se çfarë duan ato kulla atje. Janë dy probleme që nuk qëndrojnë bashkë, brenda tyre është një justifikim. Godina në vetvete nuk sjell nostalgji, historia e Teatrit Kombëtar do të mbetet e dokumentuar me arkivën, fotot e shfaqjeve, dekoret, kostumet, muzikën etj. Ç’lidhje ka me mua kulla?!”

EKSPOZITË PËR TIRANËN E ZHDUKUR NË TEATËR

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në kuadër të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit do organizojë eventin “Tirana në albumin tënd fotografik”. Ekziston Tirana në albumin tënd fotografik? Ke ruajtur në arkivën personale apo familjare pjesë qyteti me identitet ku e gjen veten? Ke kapur në rrjedhën e viteve një rrugë, një park, një bibliotekë, një kënd lojërash që e ke frekuentuar, vende pra të shënuara, të zhdukura ose të kërcënuara? Ke trashëguar nga paraardhësit e tu foto të rralla që tregojnë si jetohej dikur në qytet? Ndaji me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit këto imazhe autentike! Bëhu pjesë e këtij konkursi, ku fotot më të rralla do të projektohen në ekranin e Teatrit, në fund të muajit gusht. Të ilustruar në këtë thirrje për pjesëmarrje shembulli është një kinema që sot nuk është më.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment