Aktualitet

Të dënuar për vrasje dhe trafik droge/ OFL iu dërgon ‘pusullën’ 4 të dënuarve në Fier dhe Divjakë (EMRAT)

Astrit Gjoni, Shaban Zenaj, Petrit Sulejmani dhe Esat Mehmeti duhet të deklarojnë pasuritë e tyre brenda 48 orëve. Ata janë të dënuar për vrasje, drogë dhe shfrytëzim prostitucioni.
Featured image of article: Të dënuar për vrasje dhe trafik droge/ OFL iu dërgon ‘pusullën’ 4 të dënuarve në Fier dhe Divjakë (EMRAT) Foto ilustruese

FIER- Operacioni Forca e Ligjit iu ka dërguar “pusullën” 4 të dënuar për drogë, vrasje dhe prostitucion. Në sitën e OFL-së janë  Astrit Gjoni, Shaban Zenaj, Petrit Sulejmani dhe Esat Mehmeti, të cilët janë banues në Fier dhe Divjakë. Të 4 personat duhet të deklarojnë pasuritë e tyre brenda 48 0rëve.

Njoftimi i Policisë:

OFL, 23 qershor. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

A. Gj., banues në Divjakë, i dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, për veprën penale “Vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe nga Gjykata e Catanzaros, Itali, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”;

Sh. Z., banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Milanos, Itali, për veprën penale “Bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i shtetit talian;

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

P. S., banues në Fier, i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, i kryer në bashkëpunim”;

E. M., banues në Fier, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”;

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

J.V/Dosja.al

Shto Koment