Ekonomi

Tatimet rimbursuan 96% të TVSH-së së grumbulluar në mars

Rimbursimi i TVSH shënoi rritje vjetore me 327% në muajin mars dhe 144% për të gjithë periudhën tremujore.
Featured image of article: Tatimet rimbursuan 96% të TVSH-së së grumbulluar në mars Foto iLUSTRUESE

TIRANË– Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e rimbursoi pothuajse të gjithë shumën e të ardhurave të grumbulluara nga TVSH-ja në muajin mars, nisur nga rezultatet pozitive të arkëtimeve totale në mars dhe për të gjithë tremujorin e parë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, administrata tatimore grumbulloi në muajin mars mbi 3,8 miliardë lekë TVSH me një rritje prej 30% në raport me marsin 2020 (ku për 20 ditë ishin të bllokuara shumica e aktiviteteve). Po në muajin mars, tatimet disbursuan 3,7 miliardë lekë, duke e rikthyer mbrapsht te bizneset pothuajse të gjithë tatimin e grumbulluar.

Rimbursimi i TVSH shënoi rritje vjetore me 327% në muajin mars dhe 144% për të gjithë periudhën tremujore.

Arkëtimet bruto të TVSH-së shënuan rritje vjetore me 16% në tremujorin e parë dhe rezultatet më të larta erdhën nga administrata doganore, e cila grumbullon përafërsisht dy të tretave të të ardhurave nga tatimi.

Në janar -mars 2021, të ardhurat bruto nga TVSH-ja ishin 40,2 miliardë lekë. Kjo shumë ishte 15.3% më e lartë se fakti i vitit 2020 dhe 11% më e lartë se fakti i vitit 2019 që ishte një vit normal pa krizë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Administrata doganore grumbulloi 25,9 miliardë lekë me një rritje 15% në raport me faktin janar -mars 2020, ndërsa administrata tatimore grumbulloi 14, 3 miliardë lekë, me rritje faktike 16%. Nga rreth 4,3 miliardë lekë TVSH që u grumbulluan më tepër se fakti i vitit të kaluar, shumica e tyre, 3.8 miliardë lekë, u kthyen te bizneset vetëm një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.

Rimbursimet e TVSH-së në tremujorin e parë 2021 shënuan rekord historik që kur datojnë të dhënat zyrtare për këtë proces.

Nga viti 2005 në mars të vitit 2021, rimbursimi i TVSH tek biznesi arriti një vlerë prej 133 miliardë lekësh rreth 1,1 miliardë euro. Kulmi i rimbursimeve vjetore arriti në vitin 2019 me mbi 23 miliardë lekë si rrjedhojë e shlyerjes së faturave të ndaj dy investimeve të mëdha gazsjellësit TAP dhe HEC-eve në lumin Devoll.

Të dhënat fiskale tregojnë se qarkullimi në ekonomi po rritet me ritme të shpejta, teksa kriza e pandemisë po zbutet dhe masat po lirohen edhe në vendet e tjera europiane. Të ardhurat buxhetore kaluan lehtë nivelin e vitit 2019, ndërsa të dhëna të tjera indirekte që vijnë nga tregtia me jashtë tregojnë për zhvillime pozitive edhe në muajin prill. Institucionet Financiare Ndërkombëtare kishin lajmëruar rritje të shpejtë të qarkullimit me zbutjen e pandemisë si pasojë e zëvendësimit të konsumit të mallrave dhe shërbimeve të munguara gjatë masave kufizuese.

Rritja e qarkullimit dhe likuiditeteve po ndihmon në zbutjen e efekteve zgjedhore që zakonisht në vite të tilla ushtrojnë presion në shpenzimet publike në zëra si investimet kapitale, rritja e pagave dhe pensioneve etj./ Monitor.

Shto Koment