Sociale

Kontrollet për koronavirus, Ministria e Shëndetësisë: Tetë raste të testuara rezultuan negative, janë shtuar masat

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ku ndodhet laboratori i çertifikuar që kryen analizën për koronavirus COVID-19, rezulton se janë testuar deri tani 8 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative.
Featured image of article: Kontrollet për koronavirus, Ministria e Shëndetësisë: Tetë raste të testuara rezultuan negative, janë shtuar masat

TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka mbledhur sot pasdite sërish Task-Forcën e ekspertëve dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore për koronavirusin COVID-19 dhe u shpreh se nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ku ndodhet laboratori i çertifikuar që kryen analizën për koronavirus COVID-19, rezulton se janë testuar deri tani 8 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative.

Në përfundim të mbledhjes u vendos që ISHP, ISHSH, strukturat e njësive vendore të shëndetit  të ndjekin zbatimin e urdhrit të ministres Manastirliu për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë. Përfaqësuesit e Task Forcës kanë bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

MASAT E MARRA

1. Dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore, monitorimi i pasagjerëve nga ekipi shëndetësor edhe nëpërmjet matjes së temperatures. 2. Përforcim i kontrolleve në pikat kufitare, për çdo udhëtar për çdo udhëtar që vjen nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH. 3. Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenjë klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me koronavirus në këto vende.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

4. Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike. 5. Task Forca theksoi se duhet të vijojë masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit.
Gjithashtu siç është bërë me dije, nga komiteti teknik tashmë janë vlerësuar disa vende për karantinim, në rast se do të jetë e nevojshme. 6. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital. 7. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në frymën e transparencës do të ketë komunikim të përditshëm me publikun, duke ftuar dhe qytetarët t’i referohen informacioneve zyrtare.

Situata me koronavirusin është kthyer në alarm edhe në Shqipëri. Vdekja e 7 personave dhe infektimi i mbi 220 të tjerëve në Itali ka ngjallur frikë në vendin tonë, ku janë forcuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Ministrja dhe qeveria kanë siguruar qytetarët se nuk ka vend për panik, ndërkohë që shkolla “Udha e Shkronjave” u mbyll vetë mbrëmjen e djeshme në Tiranë.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment