Politike

Takimi mes Osmanit dhe Ruçit: Bashkëpunimi mes vendeve është reciproke

Takimi u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit ku mes Ruçit dhe Osmanit u bisedua rreth bashkëpunimit të vendeve.
Featured image of article: Takimi mes Osmanit dhe Ruçit: Bashkëpunimi mes vendeve është reciproke Vjosa Osmani dhe Gramoz Ruçi

TIRANË- Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës 3 ditore që po bën në Shqipëri ka zhvilluar sot një takim me Kryeparlamentarin Gramoz Ruçi. Takimi u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit ku mes Ruçit dhe Osmanit u bisedua rreth bashkëpunimit të vendeve. Ruçi u shpreh se Kosova momentalisht është në një periudhë të keqe zhvillimesh. Ruçi në fjalën e tij ka prekur edhe çështjen e UÇK-së. Ai ka thënë se Gjykata e Hagës është bazuar në raportin plagjatur të Dick Marty, i cili nuk është i bazuar në  fakte por në shpifje dhe fantazi. Në fund të fjalës së tij, Ruçi ka prekur edhe qëndrimin e SHBA-së mbi Kosovën ku ka thënë se presidenti i zgjedhur Biden e njeh mirë historinë e Kosovës dhe se është një mbështetës madh i saj.

“Kosova po përjeton periudhë zhvillimesh dramatike për të ardhmen  dhe prestigjin ndërkombëtar të saj. Ne vlerësojmë qëndrimin dinjtoz të drejtuesve  të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe gatishmërine e plotë të tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet monstruoze dhe gjenocidi i Serbisë. Ne nuk duhet të lejojmë që të njolloset imazhi i Kosovës, i luftës së saj çlirimtare dhe i përpjekjeve për t’u ndërtuar, njohur e integruar si shtet i pavarur. Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe NATO. Për çlirimin e Kosovës NATO dhe fuqitë perëndimore për herë të parë hynë në një luftë, e cila u vlerësua si “ndërhyrje humanitare. UÇK-ja dhe populli kosovar kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. E vërteta është se Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Shqipëria është e bindur se të gjitha akuzat kunder udhëheqësve të luftës së drejtë të Kosovës, që fatkeqësisht bazohen në raportin-plagjiaturë të Dick Marty, kujtimet e prokurores Karla del Ponte dhe raportin e prokurorisë serbe, nuk janë të bazuara në prova, por në shpifje e fantazi të sëmura. Kërkohet unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën. Të mos lejojmë që e vërteta e Kosovës të përmbyset dhe dosja e Kosovës të hiqet nga tryeza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Te Presidenti Biden, Kosova ka një mbështetës edhe më të fuqishëm që e njeh mirë rajonin dhe Kosovën.” tha Ruçi.

Ndërkohë që Osmani ka deklaruar se bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë thelbësor pasi vetëm në këtë mënyrë e vërteta del në shesh. Më tej ajo ka thënë se njohja e Kosovës është reciproke dhe se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk është për statusin e Kosovës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Ne duhet të bashkëpunojmë qe e vërteta për Kosovën të mos përmbyset para syve tanë.  Duhet të tregojmë e ritregojmë të vërtetën e Kosovës. Duhet të punojmë për të kundërshtuar dhe rrëzuar argumentet e Serbisë që të mos njihet Kosova derisa të përfundojë dialogu. Duhet tua bëjmë të qartë të gjithëve se dialogu Kosovë-Serbi nuk është për statusin e Kosovës. Ne vlerësojmë kontributin dhe zërin e Shqipërisë në institucionet dhe mjediset ndërkombëtare ku Kosova nuk është e pranishme,” tha ajo.

Osmani do të qëndrojë në Shqipëri për tre ditë ku do të kryej takime politike të ndryshme. Së pari Osmani u ndal në qytetin e Lezhës në Bashkinë e qytetit, ku zhvilloi një bisedë disa minutëshe me kryebashkiakun Pjerin Ndreu në zyrën e këtij të fundit, ndërsa në orën 17:00 doli në një konferencë për shtyp me presidentin e vendit Ilir Meta. Ditën e sotme pritet të takojë Kryeministrin Rama.

(I.A/dosja.al)

Shto Koment