Rajoni

Sytë nga Kosova, a do të arrihet sot marrëveshja mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës?

Ajo që ishte parashikuar më parë, me LVV si një forcë e re dhe e pakompromentuar dhe LDK si një forcë e vjetër dhe e kontrolluar nga interesat shumëvjeçarë të pushtetit, është duke u reflektuar në bisedimet e vështira.
Featured image of article: Sytë nga Kosova, a do të arrihet sot marrëveshja mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës? Albin Kurti, Isa Mustafa

Sot në orën 16.00 pritet të arrihet marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeverinë e katër viteve të ardhshme. Albin Kurti dhe Isa Mustafa do të ulet kokë më kokë për të finalizuar ndarjen e vendeve në Qeveri dhe Parlament.

Ndërkohë që të dyja forcat politike kanë mbledhur forumet më të larta drejtuese për të diskutuar atë çfarë është kërkuar nga palët në mënyrë të detajuar.

Një marrëveshje e vështirë mes dy formacioneve që kanë bashkëpunuar më ngushtë me njëri-tjetrin në opozitë. Në pritje të shpalljes së rezultatit zyrtar, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani u takuan disa herë për t’i dhënë formë koalicionit të ri, por mesa duket në LDK kishte shumë presion.

Kështu që Osmani, pavarësisht se fitoi votat me imazhin dhe platformën e saj, u spostua nga bisedimet për t’ja lënë vendin kryetarit të LDK, Isa Mustafa. Ky i fundit, që me shumë vështirësi, po mundohet të ruajë ekuilibrin e një force politike të përçarë, gjatë bisedimeve me Albin Kurtin, ka tentuar të përfaqësojë interesat e grupimeve brenda partisë.

Ajo që ishte parashikuar më parë, me LVV si një forcë e re dhe e pakompromentuar dhe LDK si një forcë e vjetër dhe e kontrolluar nga interesat shumëvjeçarë të pushtetit, është duke u reflektuar në bisedimet e vështira.

Nga një anë kemi një forcë që me xhenuinitetin e saj por kërkon të ndërtojë një qeveri që të ndryshojë vendin në të gjitha aspektet, në anën tjetër, një forcë të establishmentit që e sheh këtë rikthim në pushtet, si një revansh politik dhe ekonomik që mund të ribashkojë grupimet duke kënaqur interesat.  Gjithsesi gjithçka do i lihet takimit të orës 16.00 kur do të vendoset shumë për fatin e Kosovës.

(Dosja.al)

Shto Koment