
TIRANË- Partia Demokratike distancohet nga akuza e ngritur sot nga kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, se kryedemokrati Lulzim Basha frymëzoi sulmin me gurë mbi qendrën shëndetësore në Elbasan. Në një reagim në rrjetet sociale, Gazmend Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD, thotë se akuzat e Ballës janë një tjetër histori e rreme, për të larguar vëmendjen nga fshehja e numrit të vdekjeve nga COVID19, (akuzë kjo e denoncuar nga Lulzim Basha 2 netë më parë në Opinion). Bardhi kërkon një hetim nga prokuroria për menaxhimin e COVID.
REAGIMI I PLOTË:
Edhe një herë Rama vazhdon të luajë politikisht me jetën e shqiptarëve. Ai dërgoi Taulant Ballen për të krijuar një histori të re të rreme për të sulmuar Lulzim Bashën, sepse ende nuk ka një pergjigje për fshehjen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia. Edi Rama vetëm po përpiqet të largojë vemendjen e qytetarëve nga vonesa e pajustifikuar në zbardhjen e së vërtetës. Ne përsërisim thirrjen ndaj prokurorisë të nisë hetimet për fshehjen dhe manipulimin e të dhënave për numrin e të vdekurve nga covid19. Kjo nuk është një çështje politike, por është një çështje thelbesore për të gjithë shqiptarët. Populli shqiptar e ka aftësinë të mos bjerë pre e manipulimeve të Edi Ramës.
Mesditën e sotme, një qendër shëndetësore në Elbasan u denoncua nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla se kishte rënë pre e akteve vandale. Balla akuzoi kryedemokratin Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi, se me thirrjet e tyre kanë motivuar sulmin mbi qendrën shëndetësore.
(F.g/dosja.al)