Politike

Sulmi ndaj Ramës me bojë, Xhafaj: Një turp i madh, ky akt na fyen të gjithëve

Xhafaj shkruan në një postimi në Twitter se ky akt tregon fytyrën e vërtetë të një pjese të politikës shqiptare. Xhafaj i kërkon ndjesë gjithashtu kryeparlamentarit të Maqedonisë, Talat Xhaferrit.
Featured image of article: Sulmi ndaj Ramës me bojë, Xhafaj: Një turp i madh, ky akt na fyen të gjithëve Kryeministri Edi Ram dhe ish-ministri Fatmir Xhafaj

Përmes një postimi në Twitter, ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka komentuar incidentin e ndodhur sot në Kuvend ku deputeti Edi Paloka bëri me bojë kryeministrin Edi Rama. Xhafaj thekson se ky akt tregon sipas tij fytyrën e vërtetë të një pjesë të politikës shqiptare.

 “Një TURP kjo që ndodhi sot në Kuvend. Një akt që na fyen të gjithëve, por që turpëron rëndë frymëzuesit, nxitësit e zbatuesit e kësaj shfaqje të turpshme për Kuvendin dhe imazhin e vendit. Bërë kjo, në prani të mysafirit të nderuar në Kuvendin e Shqipërisë, për të nderuar momentin historik të anëtarësimit në NATO të fqinjit lindor, i bën nxitësit e ekzekutuesit e aktit, me TURP para gjithë shqiptarëve. Këtej e andej kufirit.

Kjo është fytyra e vërtetë e një pjese të politikës shqiptare. Ky NUK është modeli i deputetit që meritojnë shqiptarët! Ndjesë mikut e kolegut Talat Xhaferri. Shqiptarët në shekuj kanë respektuar mikun, fqinjin, e më shumë akoma vëllain e tyre të gjakut. Urime fqinjëve tanë për anëtarësimin në NATO. Urime fqinjëve tanë 🇲🇰 për anëtarësimin në NATO!”- shkruan deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj.

Ditën e sotme, një incident shënoi seancën plenare. Nënkryetari dhe deputeti i PD, Edi Paloka sulmoi me një shiringë me bojë kryeministrin Edi Rama. Seanca u ndërpre dhe Paloka u përjashtua me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Ndërkohë ky incident ka ngjallur mjaft reagime nga ana e maxhoranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj reagoi me anë të një statusi në Facebook duke e cilësuar veprimin e deputetit të PD-së, të turpshëm.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj e cilësoi veprimin e deputetit Paloka, të ngjashëm me skenat që krijoi Gruevski në Kuvendin e FYROM.

Ndërsa Elisa Spiropali, Ministrja për Shtetin dhe Parlamentin, në një deklaratë për mediat në përfundim të seancës plenare komentoi gjestin e deputetit demokrat duke e quajtur Palokën një njeri të njohur për “deficensë”, që shqip përkthehet ‘mangësi’.

Vetë kryeministri Edi Rama, me anë të një videoje të publikuar në profilin e tij në Facebook, shprehet se sipas tij dita e sotme u kthye në ditën e ‘budallait shembullor me shiringë në dorë’ duke nënkuptuar deputetin Edi Paloka.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment