
TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar pas sulmit të ndodhur dje në ambasadën e Malit të Zi në Beograd. Në një reagim për mediat PD shrkuan se sulmi është një akt i rëndë dhe vjen si pasojë e etjes së pashuar të qarqeve në Beograd që po kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit.
“Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet plotësisht orientimin euroatlantik të Malit të Zi, mbështet vendimet e institucioneve të zgjedhura të këtij vendi në konsolidimin e sovranitetit të shtetit”, shkruan PD.
DEKLARATË E PLOTË
Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është vënë në epiqendër të sulmeve ambasada e Malit të Zi në Beograd. Përveçse një akt i rëndë, shqetësim sjellin raportimet se në përbërje të turmave dhe në drejtim të tyre kanë qenë grupe dhe eksponentë radikalë me të shkuar kriminale, shumë prej tyre pjesë e forcave paramilitare serbe, që kanë kryer masakra gjatë luftrave në ish-Jugosllavi. Etja e pashuar e qarqeve në Beograd për dominim kërcënon seriozisht stabilitetin e Ballkanit. Përpjekja e përsëritur për të destabilizuar Malin e Zi synon gjithashtu, të devijojë dhunshëm orientimin euroatlantik të këtij vendi.
Kjo veprimtari tejkalon konfliktet ballkanike dhe përbën një akt të hapur provokimi ndaj NATO-s, BE-së dhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet plotësisht orientimin euroatlantik të Malit të Zi, mbështet vendimet e institucioneve të zgjedhura të këtij vendi në konsolidimin e sovranitetit të shtetit. Është e papranueshme heshtja e qeverisë së Tiranës lidhur me këtë situatë të rënduar në Mal të Zi. Kreu i kësaj qeverie ka zgjedhur të mbyllë gojën përballë këtij përshkallëzimi të rrezikshëm të Beogradit kundër stabilitetit dhe sovranitetit të Malit të Zi. Kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë, kur Shqipërisë i është lënë në dorë kryesimi i OSBE-së, organizatës që motiv të ekzistencës ka sigurinë dhe standartet demokratike te bashkëjetesës.
Partia Demokratike u bën apel organizmave ndërkombëtarë që të monitorojnë me vëmendje këtë situatë krize, të nxitur nga forca e vullnete që kërkojnë devijimin e Malit të Zi dhe krejt rajonit nga kursi euroatlantik, i përcaktuar nga vullneti i lirë qytetarëve të saj, drejt një kursi të kundërt, të dëmshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, të imponuar nga vullneti i klikave të korruptuara, antidemokratike, me joshje totalitariste.
Mbrëmjen e djeshme është sulmuar ambasada e Malit të Zi në Beograd. Një grup tifozësh të Yllit të kuq kanë tentuar të djegin flamurin e Malit të Zi, i cili ka pësuar dëmtime e është zëvendësuar sërish. Politika në Begorag ka heshtur, po ashtu dhe nga qeveria shqiptare nuk ka pasur reagim. Në Tiranë ka reaguar vetëm Partia Demokratike, e cila ka dënuar sulmin.
(A.B. Dosja.al)