Sport

Suksesi në Nations League, trajneri Reja zbulon talente, e ardhmja kuqezi premtuese!

As pandemia dhe as dëmtimet e shumë lojtarëve kyç, nuk e ndalën Kombëtaren tonë të arrinte objektivin e vendosur në fillim të shtatorit, që ishte vendi i parë në grup dhe automatikisht ngjitja më lart, në Ligën B
Featured image of article: Suksesi në Nations League, trajneri Reja zbulon talente, e ardhmja kuqezi premtuese!
Përditësuar:

TIRANE – Pas fitimit të Kupës së Ballkanit në vitin e largët 1946 dhe të Kupën “Rothmas” në Maltë, 20 vite më pas, Kombëtarja jonë kuqezi ia doli që të renditej e para në një kompeticion europian. Pikërisht, pak ditë më parë, në “Air Albania Stadium”, Shqipëria arriti të fitonte ndaj Bjellorusisë dhe të renditej e para grupin 4 të Ligës C, në Nations League. 6 ndeshje të luajtura në gati 3 muaj, 11 pikë të grumbulluara, me golaverazhin 8-3, janë shifrat e kuqezinjve të Kombëtares në këtë veprimtari, e cila ka sjellë natyrisht edhe benefice të tjerë, financiarë por edhe sportivë.

Në ndeshjen e parë zyrtare kundër Bjellorusisë, vendi i parë në grup, ishte objektivi për trajnerin Edi Reja, i cili kishte gati 9 muaj që nuk e kishte grumbulluar ekipin e tij. Kuqezinjtë për herë të fundit, të gjithin bashkë kanë qenë në nëntorin e vitit 2019, në ndeshjen kundër Francës. Megjithatë, pavarësisht kësaj, as pandemia dhe as dëmtimet e shumë lojtarëve kyç, nuk e ndalën Kombëtaren tonë të arrinte objektivin e vendosur në fillim të shtatorit, që ishte vendi i parë në grup dhe automatikisht ngjitja më lart, në Ligën B.

Ky edicion, përveç faktit se u renditëm të parët në grup, do të mbahet mend për shumë rekorde pozitive në kampin kuqezi. Një nga gjërat që vlen për t’u theksuar është fakti se në këtë edicion fituam një grup lojtarësh, një sërë alternativash për çdo pozicion në fushë, të cilët na japin siguri për të ardhmen. Rreth 40 lojtarë u grumbulluan nga tekniku italian, i cili, ndoshta pati fatin e keq, për shkak të pandemisë, të mos krijonte në asnjë moment formacionin e tij. Jo vetëm pandemia, por edhe dëmtimet e lojtarëve, apo problemet që vinin nga klubet, që nuk lejonin lojtarët të udhëtonin drejt kombëtareve, e shtynë trajnerin Reja të hidhte sytë nga talentet e rinj, të cilët i gjeti në radhët e ekipeve kombëtare të moshave.

Në përfaqësueset e moshave, duhet theksuar se po bëhet një punë e madhe dhe që frytet e saj, Kombëtarja e madhe ka filluar tashmë t’i vjelë. Mjafton të shohim lojtarë si Ramën Çepele, i cili bëri një sërë futbollistësh, ish-futbollistësh, analistë sporti, apo edhe tifozë të flisnin për të pas ndeshjes miqësore me Kosovën. Një i ri, i rritur në radhët e Interit, që refuzon Italinë dhe pranon të luajë për kombin e tij, duke fituar edhe besimin e trajnerit Reja, i cili e aktivizoi dhe i dha minutat e plota në miqësore.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Më pas për të vijuar me Marash Kumbullën, i cili bëri dy paraqitje fantastike në ndeshjet kundër Kazakistanit dhe Lituanisë në transfertë, duke dhënë siguri për mbrojtjen dhe duke i dhënë edhe sinjale teknikut italian, se me të, Shqipëria mund t’ia dalë të realizojë objektivin e saj, pjesëmarrjen në Euro 2024. Armando Broja, Xhakomo Vrioni, nga dy ndeshjet e bukura në shtator me ekipin U-21, në tetor udhëtuan me ekipin A, pavarësisht se fati nuk qe me ta dhe nuk ia dolën të shënonin golat, për të cilat kishin shkuar.

Përveç lojtarëve të ardhur nga përfaqësueset e moshave dhe që luajnë në kampionatet europiane, lojtarët që ranë në sy dhe që tashmë duken një rrezik për “senatorët” në Kombëtare, janë Albi Doka dhe Sherif Kallaku, lojtarët e rritur në Shqipëri dhe të cilët deri në sezonin e kaluar “militonin” në kampionatin shqiptar, apo të sapoafruarit si Marsel Ismajlgeci dhe Erion Hoxhallari etj. Të rinj, të cilët janë vendosur tashmë në radhët e Kombëtares dhe na japin sigurinë, se ndoshta shumë afër do të ripërjetojmë edhe njëherë emocionet e një vere, si ajo e Euro 2016-tës.

Tekniku Reja, përveç vendit të parë në grup, fitoi edhe lojtarët e rinj. Ia doli të rinovojë grupin, në një moment të papërshtatshëm, në një moment kur bota është mbyllur. Në krye të Kombëtares kuqezi, drejtuesi provoi dhe ia doli të fitojë. Shqipëria për herë të parë arriti majën dhe kësaj radhe, nuk duhet ta lëmë vetëm. Në humbje e kemi lënë shpesh, por të paktën, në fitore, të ëndërrojmë bashkë me kuqezinjtë tanë dhe t’i mbështesim fort, për arritjen e objektivit të madh: Euro 2024.

B.T (Dosja.al)

Shto Koment