Aktualitet

Studiuesi italian flet për bàndàt: ‘Ndragheta’ prokuron klanet shqiptare për tràfik kokàine, màfià e painteresuar për investime në Shqipëri. Lojrat online me fitime të mëdha

Profesor Antonio Nicasso ka analizuar historinë e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në Amerikë dhe  lidhjet e tyre me mafian italiane.
Featured image of article: Studiuesi italian flet për bàndàt: ‘Ndragheta’ prokuron klanet shqiptare për tràfik kokàine, màfià e painteresuar për investime në Shqipëri. Lojrat online me fitime të mëdha Antonio Nicasso:

Forcimi i grupeve kriminale shqiptare konfirmohet edhe Profesor Antonio Nicasso, Profesor i Historisë sociale të krimit të organizuar e mafias në Universitetin e Queen’s në Kanada, autor i mjaft librave best seller mbi mafian italiane, shtrirjen e saj në botë dhe lidhjet me grupet kriminale të huaja.

Në studimet e tij jo pak herë ai ka analizuar historinë e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare në Amerikë dhe  lidhjet e tyre me mafian italiane.

Në një intervistë ekskluzive për RTV Ora, ai thotë se bashkëpunimi me Ndraghetën shihet edhe përtej Italisë.

Professor si prezantohet aktualisht aktiviteti i krimit të organizuar shqiptar në Amerikë?

Antonio Nicasso: Aktiviteti i krimit të organizuar shqiptar po bëhet gjithnjë e më i fortë dhe në Amerikën e Veriut ku bashkëpunon shumë me mafian kalabreze Ndrangheta. Ne kemi pasur informacion për praninë e kriminelëve shqiptarë fillmisht në SHBA, njerëz të fortë që madje kishin nisur të sfidonin fuqinë e familjeve të mëdha si ajo Gambino. E gjatë kohëve të fundit kemi pikasur praninë e klaneve shqiptare në Kanada e kësaj herë në raport e miqësi të ngushtë me Ndranghetan. Duhet marrë parasysh se mes Ndranghetas e krimit të organizuar shqiptar ka një marrëveshje që parashikon mbi të gjitha një bashkëpunim mbi të gjitha në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Ajo që mua më pëlqen ta quaj si “postfordismo” të riorganizimit kriminal apo riorganizimit të mafias, organizata si Ndrangheta po prokuron pjesë të filialit të narkotrafikut, organizatave më të vogla siç janë klanet shqiptare.

Prandaj po shohim gjithnjë e më shpesh broker shqiptarë të “ligjëruar” nga Ndrangheta  që mbërrijnë në Amerikën Latine e organizojnë transferta të drejtpërdrejta të trafikut të drogës. Kush më parë kishte provuar ta bënte një gjë të tillë pa autorizimin e Ndranghetas nuk pati suksese. Ndërsa ajo çka po ndodh aktualisht është se gjithnjë e më shumë broker shqiptarë për llogari të Ndranghetas apo në bashkëpunim me të po përpiqen të kenë një rol gjithnjë e më aktiv e më të rëndësishëm në aktivitetin e narkotrafikut. Por dhe në menaxhimin e transfertave të sasive të mëdha të kokainës me destinacion Europën.

Po ky bashkëpunim kriminal ka nisur qysh në vitet ’90?

Antonio Nicasso: Mund të themi se bashkëpunimi i kriminalitetit shqiptar me mafian kalabreze ka nisur në fillim të viteve ’90 por mbi baza të ndryshme nga ato të sotmet. Nisi kur klanet shqiptare filluan të shfrytëzonin trafikun e prostitucionit në territore të kontrolluar nga Ndrangheta sidomos në territorin e provincës së Koxencës ku iu bë e mundur të përdornin disa zona të kontrolluara nga klanet kalabreze për aktivitetin e tyre të shfrytëzimit të prostitucionit në shkëmbim të shitjes së kallashnikov, e armëve që kishin në dispozicion nga koha e ish Jugosllavisë.

Pra Italia është një ndërmjetëse në aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare në Amerikë?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Antonio Nicasso: Jo aktiviteti kriminal i klaneve shqitpare kryhet në mënyrë të drejtpërdrejtë në Itali, Flasim për praninë e tyre që në vitet ’90, në të njëjtën periudhë kur mjaft eksponentë të klaneve shqiptare mbërritën në Itali, ndërsa mjaft eksponentë të tjerë kriminelë shqiptarë, emigruan e mbëritën në Amerikën Veriore duke u afirmuar e krijuar kushtet për të menaxhuar biznese e organizuar aktivitete kriminale sidomos në kontrollin e night club, në hapje lokalesh që shërbenin për të ricikluar para duke krijuar kështu një prani të fortë, fillimisht në SHBA e më pas në Kanada.

Operacionet e fundit të Antimafias italiane kanë hedhur sinjale mbi shtrirjen e aktivitetit kriminal të klaneve shqitpare dhe në sektorin e lojërave të fafit e të bastev sportive? A qëndrojnë këto dyshime?

Antonio Nicasso: Po ka prova të pranisë së kontrollit të tyre në trukimin e ndeshjeve, në bastet sportive klandestine, në lojërat online. Kjo është një botë e errët, një aktivitet që sjell fitime mjaft të mëdha e me një rrezik mjaft të ulët në rast arrestimesh e dënimi nga drejtësia. Pra është një aktivitet që sjell përfitime të mëdha e rrezik shumë të vogël. Ndryshe nga sa ndodh me trafikun e lëndëve narkotike ku drejtësia italiane parashikon masa të rënda ndëshkuese.

Në studimet e tij mbi përsiatjet e ndrysimet që pëson mafia italiane dhe e huaj ndër vite. Profesor Nicasso përdor një term të ri tregues; parajsa normative, e cila të kujton vendet e konsideruar parajsë fiskale e ku gjithkush mund të depozitoj apo të tërheq në bankë sasi të mëdha parash pa deklaruar prejardhjen e tyre.

Në analizat e ekspertëve antimafia krahas listës së vendeve të parajsës fiskale po merr jetë dhe një listë e re ajo e vendeve të parajsës normative.

Vende të parajsës normative konsiderohen të gjitha ato ku është më e lehtë të kryesh një aktivitet kriminal, ku nuk ekziston ligji kundër pjesëmarrjes në aktivitet mafioz, ku është mjaft e vështirë të konfiskohen të mirat materiale me prejardhje kriminale, ku ka një nivel të lartë korrupsioni e mangësi normative të respektimit të  traktateve ndërkombëtare e ku persona të shpallur në kërkim apo me prercedent penalë mund të investojnë kapitalet e tyre të fituara ilegalisht. Vende të tilla i hapin oreksin organizatave mafioze.

Po a konsiderohet Shqipëria një vend i tillë?

Antonio Nicasso: Shqipëria është një vend që mund të konsiderohet parajsë normative, por nuk mendoj se ka në këtë moment interesa të mëdha për të investuar në Shqipëri. Sigurisht mund të ketë investime të tilla, por nuk mendoj se Shqipëria është prioritet për organizata e mëdha mafioze që sot po investojnë shumë në Europën Veriore, në Gjermani, Austri, në Belgjikë, në Hollandë, në Francë, në Angli, në Spanjë, në Portugali, se sa në Shqipëri. Shqipëria vazhdon të jetë një vend tranziti, një vend depozitë për marijuanën që është e një cilësie mjaft të mirë e vazhdon të jetë një korridor i rëndësishëm për trafikun e armëve e mbi të gjitha është gjithnjë e më operative në menaxhimin e trafikut e kokainës.

Marrë nga OraNews

Shto Koment