Politike

Studentët i kërkuan bibliotekë digjitale në shqip, Rama: Vetëm në anglisht, nuk jemi qendër e botës

Sipas Paktit për Universitetit, i cili është publikuar nga qeveria një prej kërkesave të studentëve që do merrte zgjidhje ishte dhe ndërtimi i një biblioteke online në gjuhë shqipe.

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim sot me pedagogë dhe studentë në kuadër të Paktit për Universitetin, nga ku ka dhënë lajmin se qeveria së shpejti do të ndërohet biblioteka dixhitale që do u shërbej të gjithë studentëve.

“Biblioteka Dixhitale është në dispozicion por është anglisht jo shqip. Se imagjinojmë dot të jetë shqip, të paktën jo në shekullin e 21-të. Sot për sot s’kemi mundësi dhe duhet të përqëndrohemi tek anglishtja. Gjuha shqipe me patjetër duhet të zejë vendin e vetë në Universitet”.

Por premtimi i Ramës sot duket se ka ndryshuar nga deklaratat dhe nga vendimet që ka marrë qeveria në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

Sipas Paktit për Universitetit, i cili është publikuar nga qeveria një prej kërkesave të studentëve që do merrte zgjidhje ishte dhe ndërtimi i një biblioteke online në gjuhë shqipe.

Studentët në pikën e 7 të kërkesave shpreheshin: Ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

Por qeveria në Paktin për Universitetin shkoi më tej duke premtuar në atë kohë dhe ulje çmimi për librat print dhe pasurim të bibliotekës online me libra në gjuhë të huaj. Ndërkohë sot Rama në deklaratën e tij, thotë diçka krejt ndryshe pasi bibliotekta online do të ketë vetëm libra në gjuhë të huaj.

PJESË NGA VENDIMET E QEVERISË NË DHJETOR

Kërkesa e shtatë e studentëve: Ndërtimi i bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

Situata aktuale: Deri më sot aksesi drejt librave dhe revistave shkencore ka qenë një veprimtari që është lidhur drejtpërsëdrejti me vendimmarrjen autonome të institucioneve të arsimit të lartë. Mungesa e aksesueshmerisë drejt botimeve me të fundit shkencore ka sjellë dhe një kosto të shtuar ekonomike, pasi kjo mungesë e kthen në domosdoshmëri blerjen e librave dhe titujve fizike.

Çfarë vendosëm sot: Për këtë çështje është miratuar VKM “Për ngritjen e komisionit të përcaktimit të literaturës akademike ndërkombëtare në institucionet e arsimit të lartë, që do të përkthehen në gjuhen shqipe”; Duke hedhur kështu një hap të madh në përmirësimin e titujve akademik, ne IAL-të e vendit.

Cila do jetë zgjidhja: Brenda muajit Mars fillon funksionimi i bibliotekës dixhitale, që do të jetë e aksesueshme nga çdo student e staf akademik në të gjithë vendin.

Afati i realizimit: Maj 2019.

Pakti për Universtitetin u prezantua nga qeveria si një formë zgjidhje për kërkesat e studentëve, pas protestave të shumta që këta të fundit zhvilluan në muajin dhjetor të vitit të shkuar.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment