Aktualitet

Helmimi i nxënësve në Fier, drejtoresha e Spitalit dhe mjeku: Kanë vështirësi në frymëmarrje, janë jashtë rrezikut për jetën (VD)

Drejtoresha e Spitalit Nevila Shuke deklaroi se nxënësit kanë paraqitur simptoma ankthi, por se situata e tyre sa vjen e po përmirësohet. Shuke u shpreh se gjendja e 14 nxënësve që janë në monitorim tanimë është shumë e mirë
Featured image of article: Helmimi i nxënësve në Fier, drejtoresha e Spitalit dhe mjeku: Kanë vështirësi në frymëmarrje, janë jashtë rrezikut për jetën (VD) Mjeku dhe drejtoresha e spitalit në Fier

FIER- Drejtoresha e Spitalit të Fierit dhe mjekët kanë dalë në një deklaratë për mediat pas helmimit të disa nxënësve në shkollën “Janaq Kilica”. Drejtoresha e Spitalit Nevila Shuke deklaroi se nxënësit kanë paraqitur simptoma ankthi, por se situata e tyre sa vjen e po përmirësohet. Shuke u shpreh se gjendja e 14 nxënësve që janë në monitorim tanimë është shumë e mirë.

Nxënësit e parë në Spitalin e Fierit janë paraqitur rreth orës 11.00. Janë paraqitur 30 nxënës. Më pas ka vazhduar numri tek 50 nxënës dhe 10 rastet e fundit kanë ardhur më shumë me simptoma ankthi dhe gjithsej janë afërsisht 60 pacientë, 2 mësuese dhe 58 nxënës. Aktualisht 14 nxënës janë në monitorim. Gjithë stafi i Spitalit Rajonal të Fierit ka qenë i angazhuar për përballimin e situatës. Gjendja e 14 nxënësve që janë në monitorim tanimë është shumë e mirë, ata janë jashtë rrezikut për jetën dhe për situatën. Janë marrë të gjitha analizat toksologjike nga instancat e tjera dhe se situata po shikohet nga afër, si në rastin e parë ashtu edhe në rastin e dytë. Janë cuar të gjitha ekzaminimet laboratorike pranë institucioneve përkatëse, të cilat do nxjerrin përfundimet e gjithë situatës”, tha ajo.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Nga ana tjetër mjeku toksikolog Lulzim Banushi, u shpreh se nxënësit kanë pasur simptoma si lotimi i syve e vështirësi në frymëmarrje. Banushi u shpreh se janë simptoma që nuk kanë rrezik për jetën.  “Nxënësit kanë pasur simptoma si lotim i syve, kolla, me vështirësi në frymëmarrje, por në tërësi rastet nuk kanë qenë të rënda. Janë raste nën mesataren, jo intonksinuar rëndë. Kjo është një lloj lënde që jep efekte negative tek rrugët e frymëmarrjes, si lotimi i syve, teshtima etj. Por janë simptoma që nuk kanë rrezik për jetën. Jo të gjithë pacientët e paraqitur ishin të intoksikuar, për arsye se një pjesë e tyre ishin edhe me shqetësime psiko-emocionale, gjendje stresi dhe ankthi, ndoshta të krijuara edhe nga momenti. Pacientët kanë probleme me gjendjen psiko-emocionale dhe duhet të qetësohen deri në fund”, deklaroi doktori Banushi.

Një helmim masiv është përsëritur sot në shkollën e mesme të Përgjithshme “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit. Mbi 30 nxënës janë dërguar me shenja të rënda helmimi në spital, pasi janë ndjerë keq gjatë orëve të mësimit. Dyshohet se ata janë helmuar nga një spraj, që lëshohet në ajër, duke përsëritur të njëjtën gjë që ndodhi rreth një javë më parë, ku  u helmuan 7 nxënës, po të kësaj shkolle.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment